Holanda: Ja pse kërkojmë rikthimin e vizave

517
Zbulohet raporti: Pse Holanda kërkon rikthimin e vizave
Shqetësimi për rritjen e kriminalitetit bashkohet edhe me rastet e shumta të ndërrimit të identitetit nga shqiptarët
Publikohen pjesët kryesore të raportit të policisë e prokurorisë holandeze, që mund të çojnë në nisjen e procedurave për rivendosjen e vizave të qytetarëve shqiptarë në vendet e zonës “Shengen”. “ABC News” ka siguruar raportin e policisë dhe prokurorisë holandeze që këshillon rikthimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Shtimi i bandave kriminale shqiptare mbetet kërcënim për shoqërinë holandeze, sipas këtij raporti. Elementët kriminalë shqiptarë janë fuqizuar se tepërmi vitet e fundit në Holandë, dhe për ketë arsye Policia në bashkëpunim me prokurorinë Holandeze ka këshilluar Qeverinë për të pezulluar lëvizjen e lirë me Shqipërinë. “ABC News” ka siguruar në një mënyrë ekskluzive raportin e plotë të policisë holandeze, e cila përshkruan një panoramë të krimit të organizuar shqiptar në Holandë. “Kriminelët shqiptarë shikohen si një kërcënim serioz për shoqërinë holandeze, pasi janë të implikuar në trafikimin dhe shitjen e kokainës dhe kanabisit, trafikimin njerëzor dhe pastrim parash. Roli i kriminelëve shqiptarë po forcohet dhe ka marrë një rol prominent në Holandë. Ka një mbiprezencë të madhe te shqiptarët në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave. Një tjetër problem janë klandestinët shqiptarë, të cilët përdorin portet holandeze për të ikur ilegalisht në Angli”, theksohet në raport. 

Kjo mbështetet dhe nga një burim në policinë holandeze, që thotë se për momentin trafikantët e drogës dhe ata të njerëzve, të cilët përbëhen kryesisht nga shtetas shqiptarë, janë përcaktuar si rreziku më serioz për rendin publik në Holandë. Sipas policisë, në vitet e fundit të paktën 5800 persona janë regjistruar në sistemin policor në lidhje me veprat penale të kryera në territorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta. Shqiptarët janë të implikuar kryesisht në trafikun e drogës, trafikimin e qenieve njerëzore si dhe pastrimin e parave.

Një faktor shqetësues i policisë holandeze është që në Shqipëri është relativisht e lehtë të ndryshosh emrin dhe mbiemrin, gjë që sipas raportit, është bërë nga rreth 700.000 persona në Shqipëri. Sipas raportit, kjo do të thotë që rreth 1 në 3 shqiptarë ka bërë ndryshime në identitet, gjë që vështirëson punën e policisë në Holandë. Sipas raportit, përveç ndryshimit të emrit që mund të bëhet në një mënyrë legale në Shqipëri, ka dhe raste ku një person ka mundur të ndryshojë dhe atësinë dhe datëlindjen e tij në pasaportë, diçka që në asnjë vend nuk do të ishte e mundur. Në raport përshkruhet se nga vëzhgimet e policisë së Amsterdamit, shumë rrallë shihen shtetas shqiptarë, të cilët qëndrojnë si turistë legjitimë në Holandë. Pothuajse të gjithë shqiptarët që qëndrojnë në Holandë janë për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari kriminale.

Raporti tregon se pas liberalizimit të vizave, puna e kriminelëve shqiptarë në Holandë është lehtësuar. Por, sipas raportit, rritja e faktorit të krimit në Holandë është diçka e vitet e fundit dhe qeveria e këtij vendi për këtë arsye duhet të marrë masa konkrete dhe të menjëhershme për të moslejuar që krimi shqiptar të forcohet dhe stabilizohet strukturalisht në Holandë. Për këtë arsye i është kërkuar qeverisë të pezullojë lëvizjen e lirë për shtetasit shqiptarë në zonën “Shengen”.

Prej shtatë vjetësh, shqiptarët janë përfitues të regjimit të lëvizjes së lirë në vendet e zonës “Shengen”, duke i dhënë fund pritjes dhe radhëve të gjata në dyert e ambasadave. Megjithatë, krahas efekteve pozitive, lëvizja e lirë duket se ka “prodhuar” edhe probleme për vendet e Bashkimit Evropian. Shtimi i vazhdueshëm i kriminalitetit dhe pamundësia e Shqipëria për të frenuar problematikat që lidhen me grupet kriminale dhe falsifikimin e dokumenteve zyrtare kanë nxitur shtete të veçanta të shqyrtojnë mundësinë e marrjes së masave ekstreme. 

Ambasada: Raporti ekziston, po shqyrtohet
Rritja e krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë, që ka sjellë shqetësimin e rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët, ka bërë që policia e këtij shteti të përgatisë një raport konfidencial, që do t’ia prezantojë Ministrisë së Drejtësisë holandeze. Mediet kontaktuan dje me Ambasadën Holandeze në Tiranë në lidhje me këtë shqetësim, e cila u përgjigj se është në dijeni të artikujve në shtypin holandez për këtë raport, por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar nga Ministria. Në përgjigjen e saj zyrtare, Ambasada e Vendeve të Ulëta në Tiranë, shprehet se ky raport, i zbuluar pjesërisht në mediet holandeze, ekziston dhe po studiohet nga Ministria e Drejtësisë dhe Sigurisë, por ende nuk ka asnjë prezantim zyrtar. “Ne jemi në dijeni të artikujve të shtypit holandez në lidhje me një raport konfidencial nga policia holandeze për sa i përket zgjerimit të krimit të organizuar nga persona me origjinë shqiptare në Holandë. Ky raport aktualisht po studiohet nga Ministria holandeze e Sigurisë dhe Drejtësisë nuk ende nuk i është prezantuar Ministrisë zyrtarisht”, theksoi ambasada.

Berisha: Për Holandën, Rama i dyshuar
Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi raportin e policisë holandeze lidhur me mundësinë e kthimit të vizave për shqiptarët. “Shqipëria është kështu vendi i parë për të cilën një vend anëtar i BE-së kërkon rikthimin e vizave, ndërkohë që Holanda ishte vendi i vetëm i BE-së që nuk dërgoi ekip për verifikimin e arritjes së kritereve për heqjen e vizave, pasi ishin të bindur se Shqipëria i kishte plotësuar ato! Kurse tani, jo vetëm kërkon kthimin e vizave, por kontrollon edhe kryeministrin e Noriegën e Shqipërisë si suspekt?!”, shkruan Berisha. Ai i referohet publikimit pak javë më parë të një fotoje të kryeministrit Rama në një aeroport të Holandës, ku ai po pyetej nga oficerët e kalimit të kufirit. 

Versioni i qeverisë: Janë vetëm klithma
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka reaguar dy ditë më parë pas raportit të policisë holandeze për vizat dhe deklaratave të PD, LSI dhe ish-presidentit Nishani, që fajësojnë qeverinë dhe kryeministrin Rama. Bushati eksponentët e PD dhe LSI, i cilëson si “gjinkalla” të dëshpëruara nga rezultati i 25 qershorit, të cilat po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave, ndërsa u uron shërim të shpejtë. “Gjinkallat e dëshpëruara të 25 Qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë”, shkruante ai në rrjetet sociale.
Sigal