Hoffmann: Hapja e dosjeve vlerë si Bunk’Art, s’rehabiliton Enverin

444
Sigal

TIRANE – Kryediplomati gjerman në vendin tonë, Hellmut Hoffmann nuk e sheh si rehabilitim të figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha hapjen për publikun të bunkerit të nëndheshëm anti-bërthamor të regjimit komunist. Madje sipas tij, shndërrimi në ekspozitën e pagëzuar “Bunk’Art”, është mjaft pozitive duke shprehur njëherësh keqardhje për interpretimet negative që iu bënë hapjes së tij.
 
Nga tryeza që Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi për nismën e qeverisë në hapjen e dosjeve të regjimit komunist, Hoffmann risolli në vëmendje fjalimin e kryeministrit Rama në Bunk’Art, fjalim i cili në vlerësimin e tij ishte mbresëlënës. Pikërisht nga ky bunker, kreu i qeverisë Rama bëri për herë të parë publike iniciativën e mazhorancës për të hapur dosjet e sigurimit në regjimin komunist.
 
“Pata mbresë kur shkova në hapjen e Bunk’Art dhe dëgjova fjalën e kryeministrit dhe ishte mjaft mbresëlënës. Hapja e Bunk’Art u interpretua si një përpjeke për të rehabilituar regjimin Hoxhës. Habitem, pasi është ndryshe.  Duhet të ketë një tjetër këndvështrim. Hapja e ekspozitës ishte mjaft pozitive. Unë kam qenë tre herë, por ka qenë fillesë mjaft e mbarë si ekspozitë”, u shpreh ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë.
 
Ndërsa sa i përket hapjes së dosjeve të sigurimit, Hoffmann tha se përballja me të shkuarën, edhe pse është e hidhur sjell përfitime të jashtëzakonshme. Kryediplomati gjerman theksoi se shqiptarët mund të ndjekin modelin gjerman në këtë proces, por debati i hapur duhet të zhvillohet mes tyre.

“Jemi përpjekur të përballemi me të dyja llojet e së shkuarës. Nuk është se kemi ardhur në fund të këtij debati. Ka qenë përvojë pozitive, por nuk është diçka e thjeshtë mund të jetë mjaft e hidhur, por ka disa element. Së pari, është debati publik që nis. Po të shikoni në gazetat gjermane ka të gjitha llojet e artikujve që botohen për dosjet, për t’i treguar njerëzve atë që ka ndodhur. Kjo ka të bëjë me njohjen e viktimave, që atyre tu njihen këto fakte të rëndësishme. Ju keni një ligj që thotë se kush ka të drejtë të hapë dosjes së pari, që në fakt nuk i kanë hapur këto dosje. Kurse ne, pas 1989-ës kemi pasur një debat shumë të madh për këtë me dosjet e STAS-it, me shkelësit që duhet të dilnin para drejtësisë. STAS-i pra, mund t’ju shërbejë si një lloj modeli, por ne nuk jemi këtu për t’ju thënë sesi ta bëni, ne jemi për këshillim. Debati duhet të zhvillohet ndërmjet shqiptarëve, ne thjesht duam t’ju këshillojmë”, u shpreh ambasadori gjerman.
 
Një debat i tillë ka nisur dhe në Brazil, edhe në Afrikën e Jugut për regjimin e Pinoçetit, ashtu si dhe në Shqipëri, ku unë edhe pse nuk di shumë, di se ka pasur përpjekje të mëparshme të pasuksesshme për hapjen e dosjeve”, tha Hoffmann.


Hoffmann  shtoi se pavarësisht rasteve të hidhura që mund të zbulohen, përpjekja për të hapur dosjet nuk duhet të ndalet…dhe në këtë rast mori këtë shembull:  “Një disidente në Gjermani zbuloi që bashkëshorti i saj e kishte përgjuar dhe ishte edhe anëtar i parlamenti, gjera të tilla do të ndodhin por kjo s’duhet t’ju ndalë që ju të vazhdoni me këtë përpjekje”