Hoffmann: Gjermania mbështet Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian

486
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffmann në një intervistë dhënë Drejtorit të Përgjithshëm të ATSH-së, Gëzim Podgorica, me rastin e 3 Tetorit, Festës Kombëtare të Gjermanisë, ka folur për marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë, për procesin e reformave që po kalon Shqipëria, çështjen e azilkërkuesve si edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
ATSH: Zoti Ambasador, duke ju uruar për festën tuaj Kombëtare, më lejoni t’ju shpreh edhe ndjenjat e mia dhe komplimentat për punën dhe misionin tuaj në Shqipëri.

Festa juaj kombëtare me simbolikën e vet i kalon kufijtë e Gjermanisë dhe shënon fillimin e një epoke të re, epokë që krijoj mundësinë e një faqeje të re marëdhëniesh midis dy vendeve tona? Si do e vlerësonit ju këtë moment të 25 viteve më parë dhe efektet e këtij ndryshimi ?
Ambasadori Hoffmann: Më lejoni fillimisht t’ju falenderoj përzemërsisht lidhur me mundësinë e kësaj interviste në prag të festës kombëtaretë Gjermanisë, e cila këtë vit shënon një përvjetor mjaft të rëndësishëm, bëhet fjalë për 25 vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë, por është njëkohësisht edhe 25 vjet procese transformimi në Shqipëri. Pra të dyja vendet kanë lënë pas vetes një periudhë me procese paralele. Mendoj që këto 25 vite kanë qenë me zhvillime mjaft pozitive, si për Gjermaninë ashtu edhe për Shqipërinë. Në rastin e ribashkimit të Gjermanisë më duhet të them që kjo ka qenë një pikë kthese dhe zhvillim tejet pozitiv për historinë e mbarë Europës. Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë janë tejet miqësore dhe Gjermania është e angazhuar në Shqipëri prej 25 vitesh tashmë. Unë personalisht mund të them që ndodhem me shumë kënaqësi në vendin tuaj dhe detyrën që kam marrë përsipër e bëj me shumë kënaqësi. Nëse më pyesni se çfarë do të shquaja nga kjo periudhë 2- veçare e veprimtarisë time këtu më besoni do t’iu thoja shumë gjëra, por dëshiroj të përqëndrohem vetëm në disa prej tyre. Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe Gjermania i mbështet përpjekjet e vendit tuaj në këtë drejtim, por kjo gjithashtu do të thotë që Shqipëria do të duhet të realizojë disa procese reformash, për të cilat gjithashtu Gjermania jep mbështetjen e saj.

ATSH : Lidhur me atë që ju thatë për reformat, do ishte me interes të dinim ku duhen përqëndruar tashmë më shumë reformat?
Ambasadori Hoffmann: Nëse flasim për reformat, sigurisht këtu kemi të bëjmë me një fushë mjaft të gjerë, por unë personalisht prej momentit të mbërritjes time këtu jam përpjekur të përqëndrohem në 2 prej tyre. E para do të ishte ndërtimi apo krijimi i një administrate publike profesionale, duke garantuar një lloj vazhdimësie pikërisht në përpunimin apo trajtimin e çështjeve që janë kompetencë e kësaj administrate. Më duhet të them me keqardhje që është një traditë, jo pozitive, jo e mirë kjo që është krjiuar në Shqipëri që punonjësit e adminstratës publike, pas ndërrimit të qeverive, shpesh iu duhet të lënë vendet e tyre të punës. Jam i bindur që do të ishte në interes të Shqipërisë që kjo praktikë të mund të ndryshojë dhe të marrë fund dhe që njerëzit që do të vihen për të punuar në adminstratën publike të jenë atje në bazë të meritave të tyre dhe përtej kufijve partiakë dhe politikë.
Tema me të cilën jam marrë intensivisht është reforma në sistemin e drejtësisë. Jam i mendimit dhe i bindjes që një reformë efektive në sektorin e drejtësisë, ç’ka ka të bëjë më së shumti me luftën kundër korrupsionit pikërisht duke pasur për objekt gjithë ata gjykatës dhe prokurorë të prekur prej këtij fenomeni, mendoj se do të ishte me rëndësi thelbësore për zhvillimin e Shqipërisë. Mendoj që përqëndrimi në punën me të dyja këto tema, pra krijimi i një administrate profesionale publike dhe realizimi i ngritjes së një sistemi drejtësie kompetente do të kenë një impakt të drejtpërdrejtë edhe sa i përket angazhimit të investimeve të huaja dhe ruajtjes së tyre në vend. Unë konstatoj zhvillime mjaft pozitive për të dy këto sektorë me rëndësi prioritare dhe i përshëndes me shumë kënaqësi si zhvillime. Nëse do të më pyesni edhe për ndonjë pikë tjetër që do të më duhej të shquaja mendoj është dëshira apo përpjekja që Shqipëria do të duhej të bëjë për zhvillimin dhe krijimin e një kulture pozitive politike në Shqipëri sepse shoqëria shqiptare është e karakterizuar në mënyrë të theksuar nga një antagonizëm mjaft i fortë.

ATSH: Keni patur takime me njerëz të poltikës, të biznesit, të artit e kulturës dhe të fushave të tjera. Si do ta përshkuanit eksperiencën tuaj lidhur me këtë. A janë shqiptarët njerëz të lehtë me të cilët mund të punohet apo të vështirë?
Ambasadori Hoffmann: Gjatë bashkëpunimit tim me personat me të cilët më duhet për efekt të detyrës të jem në komunikim kam pasur një përvojë mjaft pozitive. Më duhet të them se në përgjithësi qytetarët shqiptarë janë tejet miqësorë përsa i përket Gjermanisë dhe gjermanëve, ç’ka e bën detyrën time dhe më shumë të lehtë. Nëse do të hidhja vështrimin pas në 33 vjet të veprimtarisë apo punës time në shërbimin diplomatik, atëherë ajo ç’ka do të më binte në sy në mënyrë krejt pozitive është aksesi majft i lehtë që ka një diplomat këtu tek personalitetet drejtuese të jetës në vend dhe këtë e konsideroj si diçka pozitive për punën e një diplomati. Por, ndodh herë pas here, në mënyrë të veçantë në sektorin e ekonomisë dhe këtu e kam fjalën për interesat e përbashkëta të sipërmarrjeve shqiptare dhe gjermane në këtë sektor, që në çështje më të komplikuara na duhet të dëshmojmë një këmbëngulje më të madhe përkundrejt strukturave të adminsitratës, deri sa të mbërrijmë në rezultatet pozitive. Kjo ka të bëjë më së shumti me faktin që burokracia dëshmon një farë kokfortësie të vetën. Në momentin që jemi në kontakt dhe bisedojmë për zgjidhjen e këtyre çështjeve me ministra apo në nivel drejtues dhe marrim prej tyre premtimet konkrete për zgjidhjen e çështjeve, për fat të keq, deri sa mbërrijmë në nivelin e punës teknike të administratës nuk funksionon gjithmonë ashtu siç ne do të kishim dëshiruar.

ATSH: Gjermania ka qenë pranë Shqipërisë në këtë periudhë tranzicioni në mënyrë komplekse, por specifikisht ajo ka dëshmuar mikpritje dhe mirëkuptim për mijëra shqiptarë që banojnë atje dhe janë integruar në jetën e këtij vendi. Si e vlerësoni punën e shqiptarëve në Gjermani?
Ambasadori Hoffman: Në fakt është e saktë ajo që thoni. Që prej viteve 90’ në Gjermani është krijuar tashmë një komunitet shqiptarësh, për të cilët nuk mund të bëj dallime nëse janë pjesa më e madhe shqiptarë nga Kosova apo nga Shqipëria. Në fakt është një rastësi që të afërm, familjarë të mitë kanë fqinj të tyre që janë shqiptarë dhe mund të them me bindje që në përgjithësi shqiptarët atje shquhen për dëshirën e tyre për punë. Janë mjaft të vullnetshëm dhe kërkojnë të ndërtojnë diçka prej punës tyre. Mesa di unë në Gjermani jetojnë prej disa kohësh edhe artistë shqiptarë. Berlini është më së shumti një skenë kulturore që i tërheq ata. Por për të qenë tërsisht të sinqertë më duhet të them që imazhi i shqiptarëve në Gjermani krakterizohet në një farë mase, unë do të thoja të ekzagjeruar, shenjohet prej faktit që shqiptarët në Gjermani, në atë që quhet krimi i organizuar atje, luajnë një rol jo pak të rëndësishëm. Por mendoj që zhvillimet pozitive që shënon Shqipëria, sigurisht do të jenë një faktor i rëndësishëm që do të ndihmojnë në reduktimin e këtij komponenti negativ në perceptimin e shqiptarëve në Gjermani.

ATSH: Kohët e fundit jeni përballur me një fluks kërkesash për azil, por edhe me rikthime të atyre që kanë udhëtuar drejt Gjermanisë. Si e mendoni zgjidhjen e kësaj situate, e cila ka patur një tkurrje gjatë këtyre ditëve, por përsëri vazhdon megjithëse avionë të njëpasnjëshëm ulen në Rinas me azilkërkues nga Shqipëria?
Ambasadori Hoffmann: Është një problem tejet serioz fakti që prej fundit të vitit 2013 shumë shqiptarë kanë udhëtuar në drejtim të Gjermanisë për të kërkuar azil atje. Kemi patur madje një muaj dhe ky ishte gushti që sapo shkoi, në të cilin më shumë se 8 mijë shqiparë aplikuan për azil. Ju me siguri i keni ndjekur dhe zhvillimet e 2-3 javëve të fundit ku në Gjermani na është dashur të përballemi me lëvizje dramatike apo me prurje mëdha të azilkërkuesve apo refugjatëve nga vende të tilla si Siria, Iraku, Afganistani apo Pakistani dhe jemi gjendur praktikisht në një situatë që na është dashur të presim përveç tyre edhe dhjetra mijëra refugjatë që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Shifra e pritshme e refugjatëve apo azilkërkuesve në Gjermani këtë vit pritet të jetë 800 mijë deri në 1 milionë. Dhe ne dëshirojmë të jemi të qartë lidhur me faktin që kjo situatë i tejkalon të gjitha mundësitë e asaj që ne mund të bëjmë realisht për ta kapërcyer atë. Përvoja tregon ndër të tjera që të gjithë azilkërkuesit që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ata që vijnë nga Shqipëria, por edhe ata nga Kosova, Serbia, Maqedonia. Ata nuk kërkojnë azil politik në Gjermani, por kërkojnë një mundësi punësimi atje. Por e kam thënë në disa intervista të mia kohët e fundit, që është një keqkuptim fakti që duke shkuar në Gjermani dhe duke kërkuar azil politik mund të gjesh një mundësi punësimi atje. Praktikisht të gjithë aplikantët nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do kenë mundësi të marrin statusin e azilantit politik dhe do të duhet të kthehen në vendet e tyre. Nisur pikërisht nga ky përshkallëzim ekstrem i situatës në Gjermani, gatishmëria e strukturave për t’i rikthyer në vendet e tyre të origjinës të gjithë këta refugjatë që kërkojnë azil për arsye ekonomike është mjaft i lartë. Nuk ka qenë kështu në vitet e mëparshme, por tani kjo gatishmëri është mjaft e lartë. Por, mjaft e rëndësishme në këtë kontekst është nje përpjekje paralele për të hapur tregun gjerman të punës për shtetas nga vendet e Ballkanit Perëndimor për punësim të ligjshëm të tyre etj. Sipas kontekstit ligjor të vlefshëm në Gjermani aktualisht, qe tani qytetarët shqiptarë, të cilët kanë një kualifikim të caktuar, mund të udhëtojnë në drejtim të Gjermanisë për të kërkuar atje një vend punë, të nisin procedurat për njohjen e kualifikimit të tyre dhe të rikthehen në Tiranë për të aplikuar për një vizë pune përkatëse. Qeveria Federale, sëbashku me kryeministrat e Landeve, kanë njoftuar së fundmi se kërkojnë të zgjerojnë rrethin e personave që mund të përfitojnë nga kjo mundësi e punësimit të ligjshëm. Por kjo mund të funksionojë vetëm në këtë mëyrë, pra secili person i interesuar të kërkojë një punëdhënës potencial në Gjermani, me të cilin të lidhë një kontratë pune të caktuar dhe më pas të kthehet sërish në Tiranë për të aplikuar për vizën për punë. Por në asnjë rast nuk duhet ndjekur rruga e azilkërkimit. Kjo është rruga më e sigurt për të marrë një përgjigje refuzuese.

ATSH: Mos këtu ka lindur dhe keqkuptimi i kërkesës për vende pune dhe dëshirës së shqiptarëve për të emigruar?
Ambasadori Hoffmann: Mund të jetë edhe kështu siç thoni ju. Më është thënë edhe në biseda të mëparshem që kjo mund të jetë për arsye keqkuptimi, por për fat të keq nuk mund të ndryshohet situata, sepse është e vërtetë, ekonomia gjermane shpesh herë ka bërë të ditur se ka nevojë për forcë punëtore, por azilkërkimi nuk është rruga e duhur. Dhe askush nuk i ka thënë askujt që përmes kësaj rruge mund të gjejë punësim. Duhet të shpreh vlerësime për qeverinë shqiptare, e cila në fakt na ka mbështetur me sqarimin e opinionit publik shqiptar në lidhje me situatën. Duhet thjesht të kuptohet një gjë që institucioni i azilkërkimit, i azilit politik si e drejtë në Gjermani, është ngritur për ata njerëz që janë të përndjekur në dimensionin politik. Sigurisht që kjo e drejtë për të cilën ne në Gjermani hapim dyert e azilkërkimit u takon edhe atyre njerëzve që vijnë nga situata katastrofale si luftra civile apo nevoja ekstreme në të cilat ato gjenden. Por institucioni i azilit politik nuk është krijuar për të mbështetur njerëz, të cilët në thelb nuk janë gjë tjetër veçse emigrantë ekonomikë.

ATSH: U ndalëm më gjatë tek cështja e azilit, e cila është një problem i ditës jo vetëm për Gjermaninë, por për mbarë Europën. Duke u kthyer tek realiteti shqiptar, me interes është sigurisht ekonomia. Aty ku fillojnë dhe duhet zgjidhen të gjitha problemet. Shqipëria dhe Gjermania kanë një urë të konsoliduar bashkëpunimi, por në gjykimin Tuaj cilat janë fushat ku duhet shtrirë më shumë bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve ?

Ambasadori Hoffmann: Do të doja fillimisht të bënim një saktësim terminologjik. Nëse fasim për bashkëpunim ekonomik midis dy vendeve, atëhere kemi të bëjmë me një bashkëpunim në sektorin ekonomik, i cili rregullohet nga qeveritë e dy vendeve përkatëse. Pra këtu në Shqipëri mbështeten projekte që financohen nga qeveria gjermane. Në këtë kontekst Gjermania është e angazhuar tepër fuqishëm në Shqipëri. Shqipëria zë vendin e parë për frymë të popullsisë në mbështetjen që Gjermania jep ne kuader të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë pikë ne kemi shënuar arritje mjaft të mira në bashkëpunimin tonë ndër-qeveritar, sigurisht përmes angazhimit edhe të strukturave të tjera, sikundër mund të jetë ajo e zyrës së KFW-së, përmes së cilës kemi realizuar projekte mjaft të mira në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujësjellës-kanalizimeve, apo në sektorin e furnizimit me energji elektrike. Po kështu një bashkëpunim mjaft i mirë është realizuar nëpërmjet mbështetjes së zyrës së GIZ në sektorë nga më të ndryshmit, kryesisht në mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmes projektesh për ruajtjen e biodiversitetit apo përmes projektesh që kanë të bëjnë me zhvillimin profesional. Janë vetëm 3 fusha që përmenda nga një sërë fushash me projekte bashkëpunimi. Ka sigurisht edhe sektorë të tjerë ku ne, në koordinim të punës sonë me qeverinë shqiptare kërkojmë të bëjmë më tepër. Një sektor i tillë është ai i arsimit profesional.

ATSH: Biznesi gjerman është prezent në Shqipëri, por jo në ato përmasa që do t’i jepnin vërtet një impakt të fuqishëm zhvillimi ekonomisë shqiptare. Mendoni se ka hapësira të tjera për ta rritur këtë prezencë dhe cilat mund të jenë ato?
Ambasadori Hoffmann: Jam plotësisht dakord me ju. Në fakt ka hapësira të lira ku mund të bëhet më tepër, ku ekonomia private gjermane mund të jetë më tepër e pranishme. Është një pyetje jo e thjeshtë për t’iu përgjigjur, pse nuk ka ndodhur kjo deri tani, por unë do të shquaja dy sektorë ku mund të bëhet më tepër në mënyrë që të rrisim prezencën e ekonomisë private gjermane, biznesit gjerman, në Shqipëri. E para është ndërtimi i një shteti ligjor solid të konsoliduar dhe e dyta është ndërtimi i një infrastrukture transporti të zhvilluar. Është një kënaqësi të konstatoj se që prej konferencës së fundit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila u zhvillua në Vjenë, u vendos që të paktën në sektorin e infrastrukturës së transportit të bëhet më tepër, duke krijuar një lidhje më të mirë të Shqipërisë përmes linjës së autostradave. Duke iu rikthyer edhe një herë pyetjes tuaj, ku mund të bëhej më tepër që biznesi gjerman të ishte më i pranishëm, do të përmendja sektorin e industrisë fasone. Nëse industria private gjermane vendos të investojë në këtë sektor do të ishte mjaft mirë që të krijohej edhe infrastruktura e duhur e transportit në mënyrë që këto produkte që krijohen këtu të mund të mbërrinin sa më shpejt dhe me sa më pak kosto në tregjet gjermane.
ATSH: Turizmi mbetet një aset i rëndësishëm kombëtar për Shqipërinë, megjithatë turistët gjermanë vijnë pak në Shqipëri, pavarësisht se i ndesh shumë pranë kufijve tanë si Mali i Zi apo Kroacia. Çfarë mendoni ju se duhet bërë që të tërheqim vëmendjen gjermane drejt bregdetit, por edhe aseteve të tjera turistike që ka Shqipëria?
Ambasadori Hoffmann: Fillimisht dëshiroj të theksoj se Shqipëria ka një peisazh të mrekullueshëm natyror, të cilit po t’i shtosh edhe qytete të tjera, apo qëndra të tilla historiko-kulturore sikurse janë, po përmend vetëm 4 prej tyre, Gjirokastra, Berati, Apolonia dhe Butrinti, bëhet vërtet një destinacion tërheqës për turizmin, por për të cilat sigurisht mund të bëhet shumë më tepër. Dhe nëse do të më pyesnit mua thjesht si qytetar evropian, i cili lëviz në vendet e rajonit duke përfshirë edhe Shqipërinë, do të thoja se sa i përket turizmit bregdetar mjaft e rëndësihme do të kishte qenë rrijte e cilësisë së estetikës së këtyre qëndrave turistike. Përmend këtu ndërtimin e Lungomares në Vlorë apo rindërtimin në këndvështrimin tim i suksesshëm, i sheshit qëndror të bashksië së Durrësit. Pikërisht ky lloj përmirësimi estetik i cilësisë së qyteteve mendoj se do ta bënte Shqipërinë mjaft atraktive dhe në sytë e turistëve gjermanë. Mendoj që edhe në sektorin e shërbimeve mbetet shumë për t’u bërë. Si pikë të fundit do të shquaja turizmin shëtitës. Për të gjithë ata njerëz që kërkojnë të eksplorojnë vendet të reja, janë simpatizantë të natyrës së paprekur, do të shquaja pikat turistike si Thethi dhe Valbona. Për këto pika nevojitet më tepër promovim, sepse mendoj që në këtë mënyrë do mund të gjejnë më shumë simpatizantë në Gjermani.

ATSH: Gjermania është lokomotiva e Bashkimit Evropian. Mbështetur në përvojën tuaj si pjesë vendimtare e këtij unioni, si e parashikoni rrugën që po ndjekin vendet jo anëtare në përpjekjen për t’u anëtarësuar në BE? Është fjala për Shqipërinë dhe vendet fqinje me të.
Ambasadori Hoffmann: Fillimisht nuk di sesa mund të flitet për rolin Gjermanisë si lokomotivë e Bashkimit Evropian, por një gjë është e sigurtë, ne jemi një anëtar shumë i angazhuar i BE-së. Ne gjithmonë kemi patur qëndrimin që e mbështesim perspektivën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është diçka së cilës i mëshojmë vazhdimisht. Kjo vlen të thuhet, jo vetëm për Gjermaninë, por të gjithë BE-në. Pra ka një konfirmim të qartë të perspektivës së Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Këtë e bëjmë, jo vetëm sepse kjo është në interes të këtyre vendeve, por edhe sepse është në interes të vetë Bashkimit Evropian. Për këtë arsye kemi një strategji mjaft të qartë. Por është e rëndësishme të theksohet që këto shtete duhet të arrijnë pjekurinë e duhur për t’u bërë anëtare të BE. Mund të thuhet që shumë gjëra janë zhvilluar në mënyrë pozitive në këtë drejtim, por mbetet ende shumë për t’u bërë. Më lejoni të përmend dy shembuj lidhur me këtë. Nuk do të ishte mirë që në këtë klub shtetesh sikurse është BE, të pranohen shtete që kanë probleme të dukshme me korrupsionin në drejtësi dhe ku figura të dyshimta që janë afër krimit të organizuar kanë lidhje të ngushta me politikën. Por, sikurse thashë, ne konstatojmë zhvillime pozitive edhe në këtë drejtim. Vetë Konferenca e vendeve të Balllkanit Perëndimor është një instrument mjaft i mirë për të ecur përpara me këto procese, ndaj jam optimist.
Sigal