Hipokrizia e Braçes me “Bankers Petrolium”

514
Braçe është hipokrit, kur kujtohet të kritikojë tani, derisa e di që “Bankers Petrolium” është fajtor, por edhe që fitoi 216 milionë dollarë në 2014 dhe s’ka paguar asnjë taksë
Ndonëse në Marinzë nga shpërthimi i gazrave në fushën naftëshfrytëzuese nga kompania “Bankers Petrolium” ndodhi katastrofë ekologjike, ku banorëve u është rrezikuar jeta nga gazi helmues, sa janë shtruar në spitale banorët, ku është ndotur gjithë mjedisi nga uji, gazrat dhe argjili helmues, njësoj si një gjenocid ekologjik, e megjithatë, deri tani, as policia, as prokuroria, por as edhe Ministria e Energjitikës, nuk kanë marrë asnjë masë, asnjë arrestim, asnjë konkluzion, se cilët janë fajtorët e katastrofës dhe të gjenocidit ekologjik. Dhe e gjithë ky teatër pasiviteti nga institucionet shtetërore, ka një emërues shpjegimi. Që të gjithë, prokurorë, hetuesë, Polici e Shtetit, Ministri i Energjitikës Gjiknuri, Sekretari i Përgjithshëm i tij Koli Bele, që në fakt, është sekretari i të gjitha bordeve që mbulon kjo ministri, heshtin, sepse duan të mbulojnë përgjegjësinë penale dhe kriminale të “Bankers Petrolium”, ngaqë të gjithë janë palë me interesat e kësaj kompanie. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Erjon Braçe, mori mundimin dje, që në një postim në facebook, të “kritikojë” me pambuk, Ministrin e Energjitikës, si edhe kompaninë “Bankers Petrolium”, gjoja në emër të mungesës së transparencës. Braçe, natyrisht, si mjeshtri i hipokrizisë politike, duhet të dijë, se me cilësinë e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, i ka ditur që më parë shkeqet që shkaktuar këtë tragjedi. Braçe, si deputet i Qarkut të Fierit, i ka parë dhe dëgjuar protestat e banorëve të zonës naftëshfrytëzuese të Marinzës, e më gjerë, për shpërthimet e nëndheshme, që u kanë prishur shtëpitë, por Braçe atëhere heshti dhe mbylli edhe sytë, edhe veshët, kur Policia e Shtetit burgosi e keqtrajtoi banorët protestues, ngaqë kishte urdhër nga lart, domethënë edhe nga qeveria e Braçes, që të mbronte interesat ekonomike të “Bankers Petrolium”. Përse, deputeti i Qarkut të Fierit, Erjon Braçe, nuk mbështeti banorët kur ata protestuan kundër “Bankers Petrolium”? Përse Erjon Braçe, si Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë nuk kërkoi që shteti të ndërpresë kontratën me “Bankers Petrolium”, ngaqë shkakton dëme kolosale në pasurinë e banorëve? Erjon Braçe, si mjeshtër i madh i hipokrizisë politike, tani na është kujtuar edhe që “Qytetarët dhe interesat e tyre duhet t’i mbrojnë institucionet”!!!. Shumë bukur si artikulim politik nga Braçe kjo frazë. Po për kë e thoni, zoti Braçe dhe përse e thoni tani që ndodhi katastrofa dhe gjenocidi ekologjik dhe jo më parë, që të parandalonit katastrofën? Zoti Braçe, juve nuk ju dhimbsen qytetarët, derisa edhe ju, si institucion shtetëror, me cilësinë e deputetit të zgjedhur, por edhe si Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, qytetarët nuk i patë, nuk i dëgjuat, nuk i përkrahët kur ata protestuan, ju si institucionin shtetëror, zoti Braçe, nuk i mbrojtët, kur Policia e Shtetit i keqtrajtoi dhe i burgosi, ngaqë guxuan dhe protestuan kundër kompanisë, që qeveria mbron interesat ekonomike të saj. Ju sot, kujtoheni për qytetarët, sepse afrojnë zgjedhjet dhe përkujdesoheni që t’u vilni votën me hiprokrizinë politike. Ju zoti Braçe, nuk doni të mbroni as interesat e shtetit, derisa e dinit dhe keni heshtur, (nëse nuk e keni ditur, është faj edhe më i madh, sepse jeni Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonimosë), që vitin që lamë pas, “Bankers Petrolium” nuk ka derdhur asnjë lekë në formën e tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit. Kështu raporton “Vizion Plus”, që ka botuar këtë raport, i cili tregon të ardhurat e kompanisë për vitin e kaluar. Në raport thuhet se se janë fituar 216 milionë dollarë, por këto para deklarohen si të mbuluara me shpenzime. Sipas kontratës që ka me qeverinë shqiptare, firma e cila ka të drejta ekskluzive në fushën e kërkimit dhe prodhimit të naftës në Shqipëri, nuk mund ta paguajë këtë tatim, nëse shpenzimet tejkalojnë të ardhurat që ajo nxjerr, si pasojë e shitjes së naftës jashtë. Por, cilat janë shpenzimet e kësaj kompanie? 60 milionë dollarë janë shpenzime transporti, 22 milionë dollarë shkojnë për paga dhe 95 milionë shkojnë për operacionet e kërkimeve. Në total, nëse këto shpenzime mblidhen, ato kalojnë edhe zërin që gjithë qeveria shqiptare ndan për administratën. Në fillim të vitit 2014 qeveria shqiptare, në vend që të shtrëngonte kushtet për vjeljen e taksave ndaj këtyre firmave, miratoi së bashku me paketën fiskale, një ligj, i cili favorizonte “Bankres Petrolium” që të mos paguante TVSH-në për naftën që importon për të kryer operacionet e kërkimit dhe zhvillimit, nismë e cila i kushtoi buxhetit të shtetit 200 milionë lekë të rinj. E fundit, zoti Braçe, meqë ju pohoni, si deputet, si Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, se “për gjithçka dhe për çdo operator të licencuar, transparenca nuk është standard. Askush nuk di sot se kush është Stream oil”, përse ju, deri tani, meqë keni 2 vjet që qeverisni, nuk zbardhni të vërtetën që dini? Zoti Braçe, derisa ju e dini, përse nuk pohoni publikisht, kush janë pronarët, aksionerët e vërtetë të “Bankers Petrolium”? Sepse disa drejtues të saj kanadezë, mund të jenë nëpunës, kur pronarët dhe aksionerët e mëdhenj të kësaj kompanie, mund të jenë …shqiptarë. Derisa të gjitha këto, ndoshta i dini, përse zoti Braçe nuk i pohoni publikisht. Edhe nëse nuk i dini, ju, me cilësinë e kreut të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, keni të gjitha mundësitë ligjore të mësoni, kush është “Stream oil”, që pyesni, kush janë aksionerët e pronarët e vërtetë të “Bankers Petrolium”. Mjaft më me hipokrizi dhe teatër politik, zoti Braçe, derisa banorët e Marinzës po sëmuren nga gazrat helmuese të çliruara nga të çarat e tokës, derisa është shkaktuar katastrofë dhe gjenocid ekologji, është ndotur uji, toka, janë ndotur prodhimet bujqësore e blegtorale, janë shkatërruar shtëpitë nga shpërthimet e nëndheshme. Duhet të guxoni dhe të denonconi, zoti Braçe fajtorët dhe përgjegjësit e kësaj katastrofe të madhe në Marinzë, qofshin këta politikanë, qofshin edhe kompani si “Bankers Petrolium”, “Stream oil”, që qytetarët, sikurse ju pohoni, të mbrohen nga institucionet shtetërore, përfaqësues i të cilave jeni edhe ju vetë. 
Sigal