Hillary Clinton më 1 nëntor në Tiranë

32

Sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton do të vizitojë Tiranën. Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar vizitën në Ballkan në datat 29 tetor-2 nëntor. Në Shqipëri, sekretarja e shtetit do të nënvizojë solidaritetin me Shqipërinë si aleate e NATO-s dhe do të mbajë një fjalim në Parlament në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë. Ajo do të theksojë nevojën kritike për bashkëpunim më të madh politik dhe forcim të shtetit ligjor, konfirmon Departamenti i Shtetit. Ndalesa e parë e Clinton do të jetë Algjeria e më pas do ti bashkohet shefes për politikën e jashtme në Bashkimin Evropian Catherine Ashton për udhëtimin në Ballkanin perëndimor. Sipas Departamentit të Shtetit, më 30 tetor Clinton do të takohet me Presidentin e Algjerisë Abdelaziz Bouteflika me të cilin do të diskutojë gjendjen e krijuar pas konfliktit me grupet ekstremiste rebele. Clinton do të udhëtojë më pas drejt Bosnje Hercegovinës, Serbisë dhe Kosovës për të demonstruar interesimin e Shteteve të Bashkuara dhe mbështetjen për të ardhmen euro-atlantike të Ballkanit. Në këto tre takime në vendet e ish Jugosllavisë, Clinton do të shoqërohet nga shefja për politikën e jashtme në Bashkimin Evropian Catherine Ashton. Në Sarajevo, Clinton dhe Ashton do të nënvizojnë nevojën urgjente që liderët partiake tu shërbejnë interesave të Bosnje Hercegovinës duke përmbushur reformat e nevojshme. Në Beograd, dy zyrtaret e lartë do të ritheksojnë qëndrimin e SHBA dhe BE se Serbia dhe Kosova duhet të avancojnë me dialogun në linjën e marrëveshjeve të arritura më parë. Ato pritet të inkurajojnë hapat konkrete që do tu lejonin këtyre dy shteteve progresin në perspektivën evropiane. Clinton do ta mbyllë turin me ndalesën në Kroaci dhe Shqipëri, vende të cilat ju bashkuan aleancës ushtarake të NATO-s në vitin 2009. Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar vizitën në Tiranë të Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, si ngjarjen më të rëndësishme në kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha, i cili e ftoi zonjën Clinton në Tiranë për festën e pavarësisë gjatë takimit të tyre në Uashington, publikoi një deklaratë të posaçme për t’i uruar mirëseardhjen Sekretares Amerikane të Shtetit.