Hidhen shortet e para për vettingun, gati edhe Formulari i Denoncimit nga Publiku

148
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka filluar procesin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë, duke realizuar shortet e para në lidhje me listën e subjekteve prioritare, sipas parashikimeve të ligjit.
Sipas njoftimit për shtyp të KPK-së, ky komision ka përgatitur Formularin e Denoncimit nga Publiku, me qëllim informimin nga publiku me anë të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit.
“Pjesëmarrja e publikut në denoncimin e fakteve ose rrethanave, që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit është detyrim jo vetëm ligjor, por edhe moral e qytetar”, theksohet në njoftim.
Nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp, komisioni synon të prezantojë “Formularin e denoncimit nga publiku”, me qëllim përfshirjen e opinionit në kërtë proces të rëndësishëm për vendin, shkruan “ata”.
“Formulari është i organizuar në bazë të tri kritereve që përdoren për rivlerësim, pasurim kontrolli të figurës, si dhe vlerësimi i aftësive profesionale. Eshtë mjaft e rëndësishme të kuptohet se misioni i KPK nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave por të mbledhë të dhëna lidhur me veprimet korruptive të tyre, që kanë ndikuar në vendimmarrje”, nënvizohet në njoftim.
Ky formular gjendet online në faqen zyrtare të institucionit www.kpk.al, si dhe mund të plotësohet me ndihmën e një punonjësi të KPK-së, në mjediset e këtij institucioni.
“Komisioni i pavarur i Kualifikimit inkurajon ndërgjegjen qytetare që çdo informacion të vlefshëm që mund të keni, fotografi, dokumente, të dhëna të tjera t’i ndani me komisionin e pavarur të kualifikimit dhe të kontribuoni në këtë proces jetik për vendin”, përfundon njoftimi i KPK-së.