Hickling: Reforma në drejtësi, e rëndësishme për hapat e Shqipërisë drejt BE-së

533
Çështjet e shërbimeve ligjore të reformës në drejtësi, pjesë e dokumentit ‘analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri” ishin në qendër të konsultimit publik të radhës, i zhvilluar të martën në Universitetin “Nehemia” në Pogradec. Në këtë veprimtari, e mori fjalën i ngarkuari me punë i Ambasadës Britanike, Stephen Hickling, i cili nënvizoi disa nga arsyet se përse kjo reformë është e rëndësishme. 
Ai përmendi anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe investimet e huaja, si dy fushat kryesore që pengohen më shumë nga një gjyqësor i pa reformuar. Hapat përpara drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE, varen nga kjo reformë, tha diplomati britanik, ndërsa theksoi se ajo (reforma) nuk duhet të ndodhë për të mirën e Bashkimit Europian, komunitetit ndërkombëtar, apo Komisionit të Venecias, por për te miren e vendit.
“Nuk duhet ta bëni atë për të mirën tonë, Shqipëria duhet ta ndërmarrë këtë reformë për veten e saj, pavarësisht faktorëve të tjerë. Në zemër të të tij është ngritur një klikë gjyqtarësh shumë të korruptuar”, korrupsion ky i ndihmuar edhe nga vetë avokatët dhe personat e tjerë të përfshirë në shërbimet ligjore që shërbejnë si ndërmjetës midis klientëve dhe gjyqtarëve. 
Por ryshfetet nuk ju shkojnë vetë gjyqtarëve në xhep. Avokatët dhe të tjerët, në shërbimet ligjore janë bashkëfajtorë dhe përfitojnë nga ky sistem i korruptuar. Reforma në drejtësi është çështja kryesore me të cilën përballet vendi dhe të gjitha palët kanë përgjegjësinë për të luajtur rolin e tyre”, u shpreh Hickling.
Sigal