Hetimi për nxjerrjen e sekretit dhe përvoja amerikane

446
Arben Malaj

Prokurorë mësoni nga modeli amerikan. Hetoni dhe çoni në gjykatë këdo nga 10 deputetët që shiti identitetin e dëshmitares së mbrojtur, veprim ky që përbën vepër penale. Në të gjitha zhvillimet e këtyre ditëve, ajo që ka tronditur jo pak opinionin publik ishte papërgjegjshmëria ligjore e atij deputeti që shiti identitetin e kësaj dëshmitareje. Hetimi është shumë i thjeshtë, fajtori gjendet shumë shpejtë. Është e paqartë pse mungon vullneti ligjor i prokurorisë, pse mungon përgjegjshmëria publike e mazhorancës dhe opozitës. Identifikoni këdo fajtor. Bëjeni këtë që njerëzit të mos zhgënjehen, që reforma në gjyqësore të etiketohet e dështuar; bëjeni këtë në respekt të çdo individi që rrezikon jetën e tij për të bërë një shërbim shumë të vështirë për vendin e tij; bëjeni që qytetarët të bëhen pjesë aktive e luftës kundër krimit, bëjeni për kolegët tuaj, policë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët sakrifikojnë jetën e tyre dhe familjet e tyre për të na shërbyer ne të gjithë duke luftuar krimin, duke rikthyer rendin publik, duke e parandaluar rritjen e kriminalitetit dhe pasigurisë; bëjeni në detyrim të femijëve tuaj dhe të ardhmes së tyre. Ata dhe shokët e tyre që meritojnë një jetë më të mirë.

Të gjithë duhet t’i kthejmë kredibilitetin publik të munguar Kuvendit, i cili ka vite që e ka humbur atë dhe pa të cilin nuk mund të krijojë shpresë në misionin e tij jetik për demokracionë funskionale, që është ndarja dhe kontrolli i dy pushteteve të tjera, gjyqësori dhe qeveria. Duhet të kthehet kredibiliteti publik i të zgjedhurve politikë. Kjo nuk bëhet me përbetimin në fjalime, por me raste konkrete që krijojnë shpresë dhe rikthejnë kredibilitetin e tyre. Ky është një rast konkret që ndihmon në funksionimin më mirë të shtetit ligjor, ndaj nuk duhet vonuar, nuk ka nevojë për komsione hetimore parlamentare, kërkohen thjeshtë hetime “professionale” të shpejta dhe të paanshme nga Prokuroria, e cila bën mirë ta bëjë këtë gjë pa kërkuar arrestim paraprak, por dërgim të menjëhershme të çëshjes në gjykatë.

Kushtetuta e thekson qartë që në rastin kur një deputet dënohet me vendim gjykate, ai e humbet mandatin. Përvoja amerikane për këto raste është impresionuese. Kur shefi i kabinetit të zv/presidentit Dick Cheney zbuloi padashje identitetin si agjente e CIA-s të bashkëshortes së ambasadorit të SHBA në Irak, i cili nuk i jepte mbështetje publike Presidentit Bush për ndërhyrjen në Irak, opozita dhe media kërkoi që kushdo që e kishte bërë krimin e zbulimit të identitetit të gruas së tij të dënohej. Pas hetimeve u verifikua se këtë sulm ndaj ambasadorit e kishte bërë z. Libby, shef i kabinetit të zv/presidentit dhe këshilltar për sigurinë kombëtare, i cili u dënua me 30 muaj. Kjo histori u bë film nga Hollivud, i cili është mirë të rishikohet nga deputetët e Komisionit të Mandateve. Ne duhet të angazhohemi për një funksionim më të mirë të shtetit ligjor në vendin tonë, pa të cilin çdo shpresë bëhet e pamundur dhe çdo ëndërr mbetet thjeshtë një ëndërr.

(Autori është rektor i universitetit “Luarasi” dhe ish-ministër i Ekonomisë e Financave)
Sigal