Hetimi në SHBA: Partia Socialiste e Ramës financohet nga Soros

733
Presidenti i “Judicial Watch”, Tom Fitton, tregon për median prestigjioze amerikane se si u përdorën paratë e taksapaguesve për të forcuar të majtën shqiptare
Presidenti i “Judicial Watch”, Tom Fitton, ka treguar për televizionin prestigjioz amerikan “Fox News”, se si administrata e presidentit Barak Obama ka financuar Xhorxh Sorosin për të ndihmuar Edi Ramën në Shqipëri, me qëllim që të kapë sistemin e drejtësisë. Fitton tregon për publikun amerikan, se si administrata e Obamës dërgoi rreth 9 milionë dollarë për një grup të quajtur “Instituti i Menaxhimit Lindje-Perëndim”, organizatë që financonte aktivitetet politike në Shqipëri. “Paratë sollën fuqizimin e qeverisë socialiste dhe të Edi Ramës në Shqipëri”, tha Fitton, duke folur me gazetarin Tuker Karlson. Sipas tij, fondet ndihmuan në sponsorizimin e sondazheve që “prodhuan rezultate të tipit, 91 për qind të mbështetjes pro-qeverisë ose thënë ndryshe pro-Sorosit që po financonte Reformën në Drejtësi”. “Judicial Watch” thotë se kjo reformë i shërbeu qeverisjes së majtë. Sipas “Judicial Watch”, Soros, një miliarder i krahut të majtë hungarezo-amerikan, i ka përdorur paratë e dhëna nga Administrata Obama për të nxitur “reformën” e sistemit gjyqësor shqiptar. Kryeministri shqiptar Edi Rama, i zgjedhur në vitin 2013, është kreu i Partisë Socialiste prej më shumë se një dekadë. Sipas Fitton, e keqja më e madhe lidhet edhe me faktin se, Soros financon qeveri që janë kundër SHBA-së. Ai pretendon se subjektet e lidhura me Sorosin kanë qenë të lejuara të këshillojnë për sipërmarrjet e politikës së jashtme amerikane edhe jashtë Shqipërisë. Gjashtë ligjvënës i kërkuan sekretarit të Shtetit të atëhershëm, Rex Tillerson, të bënte një hetim në çështjen Soros-Shqipëri. Por duket se ky hetim ka nisur tani. Nën akuzë nga “Judicial Watch” është edhe ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Ky i fundit ka mohuar gjithçka. Çështja po merr një pasqyrim të gjerë në SHBA nga mediat konservatore. Dy ditë më parë ishte sërish “Fox News” që raportoi për financimin e Sorosit në Shqipëri. “Cili është ndryshimi mes filantropisë dhe aktivitetit politik? Asnjë ndryshim nuk ka, nëse emrin e ke Xhorxh Soros”. Me këto fjalë “Fox News” komentoi skandalin e financimit me 9 milionë dollarë të “Fondacionit për Shoqëri të Hapur” nga ambasada amerikane në Tiranë, i zbuluar nga “Judicial Watch”, një grupim konservator në SHBA. Të dhënat e “Judicial Watch” faktojnë lidhjet financiare mes organizatave të Sorosit dhe ambasadës amerikane, duke hedhur dyshime se reforma në drejtësi ishte që në zanafillë, një projekt që synonte kapjen e drejtësisë nga Edi Rama, mik i ngushtë me Soros. Duke marrë shkas nga 9 milionë dollarët e taksapaguesve amerikanë për Xhorxh Soros, “Fox News” ka kujtuar 18 bilionë dollarë të shpenzuara në total nga “filantropi”. Siç u shpreh gazetari Lou Dobbs, financimet janë edhe “antiamerikane”. “Mos po tallemi gjë?” ishte pyetja e gazetarit, në nisje të intervistës me Matt Schlapp, një politikan konservator i ftuar në “Fox News” për këtë temë. Dobbs nga ana tjetër përmendi faktin se financimet për Xhorxh Sorosi përgjithësisht nuk kontrollohen, megjithëse “Fondacioni për Shoqëri të Hapur” ka dhënë prova se është qartësisht i përfshirë në financime okulte të politikës.

Financimet e Sorosit në Shqipëri u vendosën në lupën e Uashingtonit pak ditë më parë. “Judicial Watch”, një grupim aktivistësh amerikanë konservatorë, kanë publikuar dosjen, se si miliarderi George Soros përfitoi nga paratë e taksapaguesve amerikanë për qëllimet e tij politike në Shqipëri. Ky grupim ka hetuar disa nga financimet e Soros në vende të ndryshme të lindjes dhe së fundmi ka publikuar një dosje me 32 faqe se si “Fondacioni për Shoqërinë e Hapur” në Shqipëri u vu në shërbim të Partisë Socialiste në pushtet dhe kryeministrit Edi Rama për të justifikuar mënyrën se si po bëhej reforma në drejtësi. “Judicial Watch” e ka bërë hetimin nisur nga interesi i saj, për të hedhur dritë se si u shpenzuan paratë e taksapaguesve amerikanë për qëllime politike të administratës së ish-presidentit Obama. Por dokumentet e publikuar nxjerrin disa detaje mjaft interesante për të kuptuar mbështetjen e fortë që Edi Rama kishte nga ambasadori amerikan Donald Lu gjatë negociatave të miratimit të reformës në drejtësi dy vjet më parë dhe, sidomos, gjatë krizës politike përpara zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, kur Lu doli hapur kundër bojkotit të opozitës. “Judicial Watch” thotë se dosjen me 32 faqe arriti ta marrë më 26 maj 2017, vetëm pasi ngriti një padi për lirinë e informacionit kundër departamentit amerikan të shtetit. Ky i fundit fillimisht refuzoi të jepte dokumentet ,31 mars 2017. Dokumentet tregojnë se si fonde të USAID u derdhën për llogari të “Fondacionit për një Shoqëri të Hapur” në Shqipëri i mbështetur nga Soros, për t’i dhënë qeverisë socialiste më shumë kontroll mbi gjyqësorin. USAID ka paguar 9 milionë dollarë në 2016-ën për fushatën e quajtur “Drejtësi për të gjithë”, i cili është mbështetur nga “Instituti i menaxhimit Lindje-Perëndim” sërish në varësi të Soros. Në mars 2017, gjashtë senatorë amerikanë të kryesuar nga Mike Lee i dërguan një letër Sekretarit të Shtetit të asaj kohe Reks Tillerson që të hetonte, nëse zyrtarë amerikanë kishin përdorur fondet e taksapaguesve për të mbështetur Sorosin në Shqipëri. Në letër thuhej: “Fondacioni për një Shoqëri të Hapur” dhe ekspertët e tij me fonde të USAID kanë hartuar të ashtuquajturin “Dokument Strategjik për Reformën në Drejtësi në Shqipëri”. Disa politikanë besojnë se këto “reforma kanë si qëllim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së tij të qendrës së majtë një kontroll të plotë mbi drejtësinë”. Në parlamentin shqiptar, opozita e ka përmendur shpesh se kjo “strategji” është një reformë e sponsorizuar nga Soros. 

Dokumentet
Të dhënat e reja të “Judicial Watch” zbulojnë një “memo” të prillit 2016 nga ambasada amerikane në Tiranë që tregon se ka “sponsorizuar” një sondazh në bashkëpunim me “Fondacionin për një Shoqëri të Hapur” të Sorosit për të matur te qytetarët shqiptarë “njohuritë, mbështetjen dhe pritshmërinë nga reforma në drejtësi”. Fondacioni i Sorosit raportoi më pas, se 91% e shqiptarëve e “mbështesnin plotësisht” apo “e mbështesnin disi” nevojën për një reformë në drejtësi. Sondazhi nuk e specifikonte, se çfarë lloj reforme kërkohej. Një tjetër dokument i shkurtit 2017 tregon se si Departamenti i Shtetit bashkë-financoi një tjetër sondazh të “Fondacionit për Shoqërinë e Hapur” për reformën në drejtësi që forconte kontrollin e qeverisë shqiptare mbi reformën. Raporti tregonte se Departamenti për Marrëdhënie Publike në ambasadën amerikane në Tiranë dhe fondacioni “Soros” mbështetën organizata lokale për të orientuar opinionin publik mbi reformën në drejtësi. Të dhënat tregojnë se DASH i dha organizatës së Sorosit fonde direkte për programet në Shqipëri. Një raportim në 10 shkurt 2017 thotë se “si një nga ofruesit më të mëdhenj të ndihmës në Shqipëri, përfaqësuesit e Fondacionit të Shoqërisë së Hapur kërkojnë të marrin pjesë në shqyrtimet teknike të aplikimit që jepen për financim“. “Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu, i administratës së Obamës, ka qenë i lidhur ngushtë me Sorosin dhe qeverinë socialiste në Shqipëri. Në maj 2017, Lu ndihmoi të minojë planet e partive opozitare shqiptare për të protestuar ndaj zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, duke deklaruar se SHBA do të pranonin rezultatet e zgjedhjeve, edhe në qoftë se partitë e opozitës refuzonin të merrnin pjesë. Lu është përshkruar në shtypin amerikan si “një forcë shtytëse nga pas e reformës në drejtësi në Shqipëri”, shkruan “Judicial Watch”. Administrata e Obamës kaloi në heshtje të paktën 9 milionë dollarë dollarë amerikanë të taksapaguesve në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me mbështetjen e miliarderit të krahut të majtë George Soros për një qeveri socialiste në Shqipëri. “Është veçanërisht mizore që Departamenti i Shtetit lejoi operacionin Soros të ndihmonte me fondet e drejtpërdrejta të taksapaguesve në grupime të tjera”, tha në një deklaratë presidenti i “Judicial Watch”, Tom Fitton. “George Soros është një miliarder dhe ai nuk duhet të marrë mbështetjen e taksapaguesve për të çuar përpara agjendën e tij radikale të majtë për të minuar lirinë brenda dhe jashtë vendit”, shton ai.
Sigal