Hetimi ndaj Tahirit, ja çfarë gjetën oficerët e policisë në banesën e tij

494
Prokuroria e Krimeve të Rënda për “kortezi” u fut mesditën e djeshme në banesën e personit nën hetim Saimir Tahiri. Ishte thjesht një veprim procedural i kërkuar nga akuza dhe që Kuvendi ia dha këtë të drejtë, vetëm dhjetë ditë pas nisjes së hetimit. Vlera e provës duket se ka rënë tërësisht. Oficerët e Policisë Gjyqësore ishin të detyruar të futeshin në banesën e Tahirit. I pranishëm ishte edhe vetë deputeti i shoqëruar nga avokati Maksim Haxhia. Pas përfundimit të kontrollit mësohet se oficerët kanë marrë prej andej vetëm disa dokumente. Kjo është ajo që është thënë, ndërsa për prova të tjera ende s’ka asgjë konkrete. Prokuroria pretendonte të gjente në banesë prova, të cilat do të lidhnin veprimtarinë kriminale të Habilajve me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Tashmë çështja po hetohet dhe deri në përfundim të përkthimit të gjithë dosjes hetimore akuza nuk do të kryejë asnjë veprim. Ka të dhëna që e kompromentojnë ish-ministrin. Për këtë do të flitet, vetëm pasi të përfundojnë hetimet dhe të mësohet e vërteta e kërkuar kaq shumë këto ditët e fundit. Më 19 tetor Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkoi Kuvendit autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, por dje mazhoranca votoi kundër kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit dhe pro kontrollit personal dhe të banesës. Gjatë kësaj kohe përfaqësues të ndryshëm të opozitës kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama, se i la kohë Tahirit të zhdukte provat.
Sigal