Padia ndaj Gjozës-Luan Rama: Ministri i Brendshëm të vërë në shinat e ligjit Policinë e Shtetit

Administratori i njësisë 2 në Tiranë, Elez Gjoza gjatë një konference për shtyp në selinë e LSI-së, ka deklaruar se akuzat e bëra ndaj tij nga Policia e shtetit, janë akuza politike të urdhëruara nga ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas tij e gjithë kjo lojë e pistë politike është bërë për xhelozi politike, për shkak të mbështetjes së shumtë që LSI ka në numër, krahasuar me atë të PS-së. Gjoza ndërkohë ka paditur Policinë e shtetit në prokurori për akuzat e bëra në drejtim të tij.

Luan Rama 
Mirëdita të gjithëve, jam këtu në këtë komunikim të drejtpërdrejtë nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të denoncuar me forcë një veprim haptazi të paligjshëm në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, në abuzim të drejtpërdrejtë, shpërdorim të detyrës, të bërë nga drejtuesit e Policisë së Shtetit në lidhje me një çështje për të cilën ata kanë bërë përpjekje të implikojnë z. Elez Gjozaj, në cilësinë e administratorit të njësisë administrative nr. 2 në Bashkinë e Tiranës. Se si qëndron e vërteta dhe ku qëndron thelbi i mashtrimit dhe i shpërdorimit , z. Gjozaj do ta bëjë të ditur vetë.

Elez Gjoza
Përshëndetje, jam këtu si administratori i Njësisë administrative nr. 2 ta bëj me dije të gjithë opinionit publik në të gjithë vendin për tre akuza të ngritura sot, me të cilat unë jam njohur nëpërmjet medias, nga Drejtoria e Policisë së Tiranës për një çështje që i përket vitit 2013 për regjistrim të banorëve në Njësinë administrative nr. 2 me dokumente të falsifikuara.
Unë i them të gjithë opinionit publik se ky rast i përket periudhës para vitit 2013 ku Prokuroria e Tiranës, pasi është bërë kallëzimi po nga policia e shtetit, ka shqyrtuar këtë çështje dhe nuk ka parë absolutisht asnjë shkelje ligjore. Zyra e gjendjes civile në këtë njësi ka punuar sipas ligjeve në fuqi. Çdo qytetar është i lirë të banojë aty ku atij i përmbushen interesat.
Akuza e dytë që është më qesharakja është sikur administratori i Njësisë nr. 2 shkëmben vende pune për t’iu marrë qytetarëve të kësaj njësie votat. Kjo nuk është e vërtetë, madje është qesharake. Unë si administrator i Njësisë nr. 2 nuk kam tagrin ligjor të bëj emërime, pasi edhe sekretaren time e emëron Kryetari i Bashkisë. Pra ju e kuptoni dhe i gjithë opinioni publik duhet të kuptojë se çfarë akuzash janë këto.
Dhe akuza e tretë, është po ashtu një akuzë qesharake, ku akuzohem për marrje pjesë në fushatë elektorale. Është e vërtetë që unë marr pjesë në fushatë dhe do të vazhdoj të marr pjesë në fushatë elektorale pas orës 16:00, teksa nga ora 08:00 deri në orën 16:00 jam në shërbim të qytetarëve të Njësisë administrative nr. 2, që është njësia më e madhe në Tiranë me rreth 100 mijë banorë.
Duke qenë para mediave, dua t’i bëj një thirrje ish-Ministrit të Brendshëm, ministrit që mbolli gjithë Shqipërinë me hashash, t’i lërë presionet me administratorin e Njësisë nr. 2, nuk më tremb dot. Ju do të shkoni pas hekurave dhe jo administratori, i cili me mish dhe me shpirt i shërben këtyre njerëzve gjatë gjithë ditës.
Absolutisht, pas orës 16;00 do jem pranë forcës sime politike dhe ata janë të terrorizuar. Për koincidencë para dy ditësh unë dhe ish-ministri i hashashit bënim njëkohësisht takime në zonën e Sanatoriumit. Ai u terrorizua nga pjesëmarrja nga mbështetja e LSI-së, teksa në takimin e tij kishte rreth 50 persona, ndërsa në takimin e LSI-së kishte 500-600 veta.
Prandaj erdhi ky denoncim nga policia nga ai ministër, i cili e mbolli edhe bahçen me vet me hashash.
Dua t’i bëj një thirrje Ministrit në detyrë, për të cilin kam shumë respekt sepse vjen nga fusha e sportit, të shikojë institucionin dhe të mos lejojë askënd të abuzojë me këtë institucionin, që është shpresa dhe besimi i të gjithë shqiptarëve. 

Luan Rama
Siç mund ta vini re fare qartë, e gjitha është një akuzë e ngritur mbi asgjë dhe pikërisht për këtë arsye, z. Gjoza drejtpërdrejt si personi i atakuar pa të drejtë ka bërë denoncim në Prokurori për kallëzim të rremë dhe shpërdorim detyre nga ana a punonjësve të policisë që janë marrë me këtë çështje.
Ndërkaq, unë ftoj publikisht prokurorin e Përgjithshëm të Republikës dhe Prokurorinë e Shtetit, të hetojnë me përgjegjësinë e ligjit dhe të nxjerrë përpara ligjit çdo abuzues, çdo shpërdorues dhe çdo falsifikator, që përpiqet të përdorë institucionet e zbatimit të ligjit në lojë politike, për t’u hakmarrë apo për të vënë nën terror qytetarët, që të mos jenë të lirë të bëjnë zgjedhjen e tyre apo të shprehin bindjet apo qëndrimet e tyre politike.
Ndërkaq, dua ta ndaj një herë e mirë përgjegjësinë e drejtuesve të Policisë nga roli i përgjegjshëm i Policisë së Shtetit dhe dua të falënderoj një mori punonjësish të policisë, që kanë denoncuar pranë meje tentativa për t’i keqpërdorur në veprime politike dhe në kundërshtim me ligjin.
Ndërkaq, e ftoj ministrin e Brendshëm që të vërë në shinat e zbatimit të ligjit, të vërë nën autoritetin e ligjit veprimtarinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sepse nuk mundet që Policia e Shtetit të merret peng siç u morr për të mbjellë kanabis, edhe për të kanabizuar zgjedhjet në Shqipëri. Nëse ministri i Brendshëm nuk është në gjendje të bëjë detyrën për të cilën është besuar, të japë dorëheqjen.
Ndërkaq, e ftoj Zëvendëskryeministren në cilësinë e drejtueses së Task-Forcës që monitoron të gjithë rolin e veprimtarisë së administratës publike, në zbatim të ligjit të analizojë me përgjegjësi rolin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili nuk mund të fshihet nën petkun politik. Dhe nëse u hoqën 10 apo 12 drejtorë që ishin pengu i trustit të drogës, karteli i drogës vazhdon të ketë nën kontroll drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe po e përdor për ta instrumentalizuar policinë në rol politik, për të goditur pabesisht kundërshtarët politikë, për të terrorizuar dhe për të vënë në presion qytetarët që ata të mos ushtrojnë liritë e tyre kushtetuese, liritë themelore të shprehjes së bindjes apo të qëndrimit politik.
Zgjedhjet e 25 qershorit do ta ndajnë përfundimisht Shqipërinë e kanabisit nga Shqipëria e të ardhmes. Ta harrojnë, cilido qoftë ai, që mund të tremben, që mund të frikësohen, apo që mund të zbrapsen anëtarët, militantët, simpatizantët dhe votuesit e LSI. Unë e kuptoj që rritja e forcës politike dhe elektorale, e mbështetjes së qytetarëve ndaj LSI-së i ka terrorizuar dhe i ka vënë nën panik, por kjo është për të keqen e tyre. 
Ne nuk na krijon asnjë problem, ndaj edhe një herë i ftoj punonjësit e Policisë së Shtetit në detyrë, edhe me respektin dhe mirënjohjen që kam ndaj tyre për gjithçka ata kanë bërë në shërbim të atdheut, në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të komunitetit, por edhe me meritën që kam qenë ministri i parë që e kam drejtuar atë ministri dhe i kam nxjerrë strukturat e policisë jashtë rolit të tyre në përfshirjen e zgjedhjeve, të mos kthejnë mbrapa një arritje thelbësore që i bën nder Policisë së Shtetit dhe i bën nder të gjitha institucioneve të shtetit dhe të mos lejojnë të përdoren si instrumente politikë në fushatën e zgjedhjeve. 
Zgjedhjet e 25 qershorit me apo pa dëshirën e Haki Çakos, apo të atyre që e komandojnë në mënyra okulte Haki Çakon jashtë dijenisë dhe autoritetit të ministrit të Brendshëm, do t’i fitojë LSI, do t’i fitojnë qytetarët shqiptarë.