Hetimi Gjerman dhe Italian sjell dosjet në Tiranë

600
Sigal

Gjermania dhe Italia, hetim për 200 call-center mashtrues, vijnë dosjet në Tiranë

Dy vende të rëndësishme të Bashkimit Evropian, Gjermania dhe Italia, kanë nisur një fushatë të gjerë kundër kompanive call-center pirate, një pjesë e rëndësishme e të cilave kanë filiale në Shqipëri, e kryesisht në Tiranë. Ky investigim i gjerë ka nisur pasi autoritetet gjermane dhe italiane kanë marrë ankesa nga një numër shumë i lartë qytetarësh të tyre për mashtrime nga kompanitë call-center anonime. Autoritetet italiane kanë mbyllur së fundmi rreth 25 faqe interneti, që imitonin në mënyrë pirate bursat (broker). Nga të dhënat e autoriteteve italiane, këto faqe pirate kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe në Shqipëri. Por, në vendin tonë, lëvizjet mashtruese janë dyfish, pasi, së pari operojnë me platforma pirate dhe së dyti, këta “broker” janë të pa licencuar nga autoritetet fiskale. Gjithashtu, edhe autoritetet gjermane, si edhe të disa vendeve të tjera të Unionit, i kanë dërguar qeverisë shqiptare kërkesa, në mënyrë diplomatike, për informacion mbi disa kompani “brokerimi”, me seli në Shqipëri, të cilat operojnë kryesisht për tregun gjerman dhe atë ndërkombëtar e që ka dyshime se funksionojnë me platforma pirate. Nga ana e qeverisë shqiptare nuk ka pasur reagim publik mbi këtë shqetësim të partnerëve tanë më të rëndësishëm në Bashkimin Evropian. Megjithatë, shqetësimi duket se është kanalizuar tek autoritetet ligjzbatuese shqiptare. Të dhënat dëshmojnë se Prokuroria Shqiptare ka aktualisht nën procedura hetimore rreth 200 kompani call-center, të cilat operojnë kryesisht në Tiranë. Prokurorët po shqyrtojnë dokumentacion përkatës të këtyre call-center-ave, nën dyshimet se ato veprojnë me platforma të palicencuara dhe të paregjistruar në organet e administratës. Nga ana tjetër, vetëm Komisariati nr. 2 në kryeqytet ka bllokuar së fundmi aktivitetin e rreth 20 call-center-ave, për shkak të mungesës së plotë të dokumentacionit. Këto biznese, nëse quhen të tilla, vepronin në mënyrë pirate dhe në ambiente tërësisht të papërshtatshme, kryesisht në bodrume pallatesh, si një formë e mirë për t’iu shmangur kontrolleve të institucioneve ligj-zbatuese.

Si funksionon mashtrimi

Mijëra qytetarë, në Shqipëri, por sidomos në vendet e Bashkimit Evropian, janë ndjerë të mashtruar nga operatorët pirate call-center, të cilët kanë filialet e tyre në Shqipëri. Një panoramë më të plotë për mënyrën se si realizohet mashtrimi nga Shqipëria, me kosto mijëra euro për qytetarët italianë, prezantoi pak kohë më parë emisioni “Striscia la Notizia” në stacionin “Canale 5”, e publikuar e plotë edhe nga “Boldnews.al”. Në atë emision, një “broker i penduar” shqiptar tregonte se si, nëpërmjet kompanive private të call-center, kontaktoheshin qytetarë të ndryshëm italianë. “Brokerat” falso i prezantoheshin qytetarëve si përfaqësues të kompanive të rëndësishme, të cilat reklamonin mallrat. Pasi i bindnin klientët dhe pasi merrnin prej tyre pagesa on-line, këto kompani pirate zhdukeshin, ndryshonin numrat e telefonit dhe personat e mashtruar nuk arrinin të merrnin as mallin e porositur, por as paratë që kishin paguar paraprakisht. “Brokeri i penduar” tregonte se si, në raste të ndryshme, kishin arritur të mashtronin qytetarë italianë edhe në vlera të konsiderueshme, përfshirë edhe shuma deri në 10 mijë euro. E njëjta skemë, por me personazhe dhe “piratë” të ndryshëm, vijon të funksionojë, aq sa ka detyruar autoritetet gjermane, italiane, por edhe të vendeve të tjera, të kërkojnë informacione më të detajuara nga Shqipëria, për të kryer një investigim më të plotë, si edhe për të kuptuar përmasat reale të mashtrimit gjigant të realizuar nga “call-center-at” e bodrumeve në vendin tonë.