Hetim vendimmarrjeve të KQZ-së/ Flasin Prof. Dr. Kristaq Kume dhe Artan Lazaj: Dorëzimi i mandateve është nul, nëse deputeti nuk e deklaron në Komisionin e Mandateve. KQZ ka shkelur Kodin, kur shpërndau mandatet e rinj me 4 vota, dhe regjistroi partinë “Bindja” pa zbardhur vendimin e gjykatës

586
Sigal

Forumi në “Telegraf”, flasin ekspertët e Kodit Zgjedhor, Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar dhe Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së

KQZ-ja ka shkelur Kodin Zgjedhor, duke u dhënë mandatin e deputetëve vetëm me 4 vota

Jakup B. GJOÇA

Ekspertët e Kodit Zgjedhor Prof. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së dhe Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së në forumin e gazetës “Telegraf” prononcohen, se Kuvendi i Shqipërisë ka shkelur Kodin Zgjedhor, përderisa nuk ka thirrur në Komisionin e Mandateve dhe të Rregullores të Kuvendit deputetët që dorëzuan mandatin e deputetit, që ata, një e nga një të deklaronin publikisht vullnetin politik për dorëzimin e mandatit të deputetit, por Kuvendi në kundërshtim të plotë me Kodin Zgjedhor i përcolli në KQZ listën e deputetëve që dorëzuan mandatin, vetëm me një letër përcjellëse të partive politike. Prof. Dr. Kristaq Kume deklaron se KQZ-ja ka shkelur edhe Kodin Zgjedhor që ka dhënë mandatet e deputetëve vetëm me 4 vota, kur sipas neneve përkatëse 161, 162 dhe 163 duhet që në KQZ të jenë të paktën 5 vota që të miratojnë dhënien e mandatit një deputeti.

Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së: Në bazë të ligjit, deputetët nuk e kanë dorëzuar mandatin e deputetit

Kuvendi i Shqipërisë duke mos e respektuar ligjin, sipas mendimit tim, procedurën e parashikuar në kodin zgjedhor që është neni 164, i cili kërkon shprehimisht që “të bëhet efektive dorëheqja, duhet që deputeti ta deklarojë në mënyrë publike përpara Komisionit të Rregullores dhe të Mandateve”. Këtë nuk e bëri ai. Komisioni i Mandateve dhe i Rregullores në Kuvendin e Shqipërisë duhet t’i pyeste një nga një çdo deputet që donte të dorëzonte mandatin e deputetit dhe deputeti duhet të bënte deklaratë publike se hiqte dorë nga mandati i deputetit. Komisioni i Mandateve dhe i Rregullores në Kuvendin e Shqipërisë mori thjesht listën e deputetëve që u dha PD-ja dhe LSI-ja dhe mbi bazën e kërkesës së partive për dorëheqjen e mandateve, e përcolli drejtpërdrejt në KQZ, që kjo ta miratonte listën, e cila iu përcoll nga Kuvendi.

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së: Deputeti e dorëzon mandatin para Komisionit të Mandateve

Kodi Zgjedhor thotë që deputetët duhet të bëjnë deklaratë personale tek Komisioni i Mandateve të Kuvendit që duan të dorëzojnë mandatin e deputetit. Mandati i deputetit është personal, prandaj secili deputet duhet të bënte deklaratë publike.

Prof. Kume: KQZ-ja ka shkelur Kodin Zgjedhor që u ka dhënë mandatin e deputetëve me 4 vota

Ajo që kam kritikuar lidhet me faktin që, në vlerësimin tim, KQZ-ja në të gjitha rastet kur merr vendim për dhënien e mandatit vendimi duhet të merret me pesë vota. Kështu e parashikon ligji kur thotë ndarja e mandateve, ndërkohë që KQZ-ja ka marrë vendimin, ka marrë mandat dhe me katër vota. Për mua KQZ-ja e ka respektuar kërkesën e ligjit. Aty ku bëhet fjalë për ndarjen e mandateve. Vendimmarrja e KQZ-s, neni 24 konsideron me votën pro: me jo më pak se pesë anëtarë të KQZ-s vendimet që lidhen me, e para shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore dhe këtu ka rëndësi tani sipas neneve 162, 163, 166 pika 3 e këtij kodi zgjedhor. Këtu brenda në këtë nen ka përfshirë në pikën pesë të 163 menjëherë pas përfundimit të procedurave për ndarjen e mandateve për çdo parti sipas këtij neni KQZ-ja përcakton mandatet nominale për çdo parti politike, pra me emra sipas renditjeve, pra është pjesë e ligjit për mua e nenit 163 që kjo këtu 24 detyron që vendimin ç’ka ka të bëjë me 163 apo për të shpërndarë mandatet për çdo zonë sipas 162,163 dhe 166 pika 3 do ta marrin me pesë vota. Pra për mua ata duhet ta merrnin, meqë bëhet fjalë për shpërndarje mandatesh dhe shpërndarje mandatesh nuk është vetëm numër mandatesh kaq te kjo parti dhe aq te ajo parti, por ata e kanë kapërcyer këtë gjë, e kanë konsideruar që nuk nevojë të merret me pesë vota një vendim i tillë sepse pesë janë për një listë të miratuar.

 

Prof. Dr. Kristaq Kume: Mazhoranca e pranon që ka krizë të thellë politike

Ftesa që i bëri Kuvendi Partisë Demokratike që të marrë pjesë në Komisionin Parlamentar dhe pse nuk është më në parlament tani, Sens juridik, jo s’ka, por për mua është tregues që mazhoranca pranon që është në krizë dhe kërkon instrumente për ta kapërcyer krizën. Ku instrumenti më efektiv në këtë rast, nuk është ky për mendimin tim, por është të ulen dhe të bëjnë marrëveshjen për zgjedhjen e krizës. Patjetër që po, të bëjnë marrëveshjen duke zgjidhur krizën dhe, për mua, zgjidhje e krizës do të thotë, rishqyrtim në themel i gjithë legjislacionit tonë duke filluar që nga Kushtetuta dhe te Kodi Zgjedhor po ashtu, veçanërisht ato ndryshime të Kushtetutës që u bënë, në 2008-n, të cilat na ka shpënë në këtë situatë që kemi sot. Dhe vetëm pasi të bihen dakord për të tilla gjëra, pastaj mund të caktohet kur do të bëhen zgjedhjet lokale ose zgjedhje e përgjithshme. Për mua nuk ka rëndësi farë ajo data e zgjedhjeve, madje nuk do të jetë pjesë e diskutimeve në tavolinë, por diskutimi në tavolinë duhet të jetë për rrugën, mënyrat që duhen përdorur për të zgjidhur ngërçin politik që ne kemi, ngërç i cili ka vënë në pikëpyetje të madhe në përgjithësi sistemin qeverisës tek ne. Sipas mendimit tim, si rezultat i ndryshimeve të bëra në 2008-n është shmangur në mënyrë të vazhdueshme përherë e më shumë nga parimi themelor, sipas të cilit kërkojnë të ndërtojnë shoqërinë tonë që është demografia përfaqësuese. Jemi duke reaguar në mënyrë të frikshme ndaj këtij parimi, në zbatim të këtij parimi, ashtu sikurse s’kemi përdoruar asnjëherë parimin komplementar që është demokracia e drejtpërdrejtë, nuk kemi bërë ndonjëherë referendume, gjë që do të thotë se është koha, është nevoja që të ulen në tavolinë forcat politike dhe të gjejnë rrugëzgjidhje për të shëndetësuar këtë situatë, e cila nga dita në ditë agravohet.

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ-së: PD-ja nuk mund të bëhet pjesë e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore

-Një parti jo parlamentare mund të marrë pjesë në Komisionin Parlamentar, në një aktivitet, por jo në punimet e Komisionit Parlamentar, nuk mund të ftohet asnjë parti jo parlamentare që të bëhet pjesë e këtij komisioni parlamentar e aq më tepër me të drejtë vote. Tani, PD-ja nuk mund të bëhet pjesë e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, derisa nuk ka më mandat në Kuvend.