Hetim përdorimit të parave të qeverisjes qëndrore dhe vendore

91

 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë projektligjin “Për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.

Në bazë të projektligjit, 23.400 punonjës të profesioneve të vështira tëminatorit, naftëtarit dhe metalurgut, të cilët janë në pension ose do të dalin në pension në vitet në vijim, do të përfitojnë trajtim suplementar shtesë. Gjithashtu, përfitim tjetër i këtyre kategorive është edhe ulja e moshës për daljen në pension, në 55 vjet për minatorët dhe 60 vjet për naftëtarët dhe metalurgët.

Ministrja informoi gjatë fjalës së saj se nga ky projektligj do të përfitojnë 13.300 minatorë, 7.600 naftëtarë dhe 2.500 metalurgë, me një vlerë totale prej 14 milion dollarë në vit. Duke marë parasysh harkun kohor të veprimit prej 10 vjetësh, bëhet fjalë për një vlerë prej 140 milion dollarë, që buxheti i shtetit do t’i akordojë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si agjencia që mbulon çështjet e pensioneve.

Ministrja Denaj theksoi faktin se projektligji është diskutuar me grupet e interesit, sindikatat përkatëse të minatorëve, industrisë dhe naftës, dhe individë ish minatorë, tani në pension. Projektligji është paraqitur për miratim edhe Këshillit Kombëtar të Punës në nëntor 2018, si detyrim ligjor i Kodit të Punës dhe në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli, sindikatat e minatorëve, të industrisë dhe të naftës kërkuan me insistim kalimin e projektligjit me procedurë të shpejtuar.

 

Fjala e plotë e Ministres Anila Denaj:

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Deputetë,

Projektligji që prezantojmë sot fokusohet në trajtimin suplementar, duke vlerësuar punën në vite, në dekada, të punonjësve që kanë punuar e punojnë në tre profesionet më të vështira: atë të minatorit nën toke, të punonjësve të industrisësë naftës e gazit dhe të metalurgjisë.

Projektligji ju jep një trajtim suplementar shtesë punonjësve të tre kategorive të përmendura më sipër, plot 23.400 punonjësve, që janë në pension ose që do të dalin në pension në vitet nëvijim.

Me konkretisht, do të përfitojnë nga ky projektligj 13.300 minatorë, 7.600 naftëtarë dhe 2.500 metalurgë, me nje vlerë totale prej 14 milion dollarë në vit. Duke marë parasysh harkun kohor të veprimit prej 10 vjetësh, bëhet fjalë për një vlere prej 140 milion dollarë, që buxheti i shtetit do t’i akordojë Institutit tëSigurimeve Shoqërore, si agjencia që mbulon çështjet e pensioneve.

Me miratimin e këtij projektligji sigurohet pensioni suplementar si një shtese mbi pensionin e pleqërisë tëpërfituar nga skema kontributive,

Ndërkohë, përfitim tjetër i këtyre kategorive është edhe ulja e moshës për daljen në pension, në 55 vjet për minatorët dhe 60 vjet për naftëtarët dhe metalurgët.

 

Është e nevojshme të nënvizoj disa veçori specifike të këtij projektligji:

  • Projektligji është trajtim financiar shtesë, nuk është një statuspër këto profesione, pasi statuset janë me spektër më të gjerë që lidhen jo vetëm me përfitime financiare në moshë pensioni.
  • Përfshirja në një ligj e tre profesioneve të vështira është bërë për shkak të ngjashmërisë në lidhje me vështirësinë e punës dhe brenda këtij parimi janë bërë dallime në punë të vështira dhe shumë të vështira.
  • Ky projektligj ju jep pension para kohe deri në 10 vjet (para moshës normale të daljes në pension) këtyre tre profesioneve si dhe ju jep shtesë mbi pension për të gjithë pensionistët aktuale dhe ata që do të dalin në periudhën afatshkurtër. Kjo shtesë mbi pension nuk është e financuar nga kontributet e paguara, por është një privilegj i pastër që ju bëhet këtyre kategorive, të financuara nga buxheti i shtetit. Me këtë shtesë të ardhurat e shumicës së minatorëve arrijnë në shumën e pensionit maksimal që përfitojnë pensionistët e tjerë, përmes skemës së pastër kontributive.
  • Me këtë ligj dhe me ligjin 150/2014, plotësohen kërkesat e paraqitura në vite nga minatorët dhe sindikatat që përfaqësojnë ata.
  • Ky projektligj përfshin edhe metalurgët që kanë kryer një punë që konsiderohet e vështirë duke vendosur një trajtim të barabartë bazuar në vështirësinë e punës.
  • Historikisht këto industri kanë qënë shtetërore dhe nga kjo buron edhe përgjegjësia që ka shteti për të mbuluar personat që kanë punuar në këta sektorë. Aktualisht të gjitha këto industri janë private dhe si të tilla përgjegjesinë kontributive dhe të trajtimit financiar të ardhshëm duhet t’ua kalojnë fondeve profesionale të kapitalizuara.
  • Ky projektligj jep përfitime shtesë për ata ish minatorë, naftëtarë dhe metalurgë, që kanë punuar në industrinë shtetërore dhe që punojnë në sektorin privat, por parashikohet që në vijimësi punëdhënësit dhe punëmarrësit privatë të paguajnë kontribute shtesë në masën 5 përqind. Me këto kontribute parashikohet që të ulet gradualisht ngarkesa e Buxhetit të Shtetit  deri në arritjen e përballimit të shtesës me kontribute.
  • Ky projektligj vendos trajtim të barabartë, bazuar në vështirësi pune dhe duke ndjekur këtë parim saktëson edhe përfituesit nga statusi i naftëtarit. Kështu, përfitojnë vetëm naftëtarët që kanë punuar dhe punojnë direkt në nxjerrrjen e naftës dhe jo administrata apo punonjësit e sektorëve ndihmës të industrisë së naftës.
  • Përmes trajtimit financiar suplementar, përfitimi i këtyre profesioneveështë disa herë më i lartë se i profesioneve pa trajtim të veçantë. Kështu,për një minator koeficienti i përfitimit është 332%. Për naftëtarin dhe metalurgun,ky koeficient përfitimi është179%. Ndërkohë ky raport për pensionet e punëve jo të vështira ështërreth 100% (p.sh. për mësuesit është 97%).
  • Për të ruajtur trajtimin e barabartë të qytetarëve, për të dhënë përfitimin në bazë të meritës dhe vështirësisë në punën e kryer janë parashikuar mosha të ndryshme të daljes në pension si dhe përqindje të ndryshme të përfitimit të shtesës mbi pension. Kështu, puna e minatorit në nëntokë është profesioni më i vështirë sipas vendimit të ndarjes së punëve në kategori për efekt pensioni.Mosha e daljes në pension për këtë kategori është përcaktuar 55 vjeç.

Për profesionet e naftës dhe metalurgjisë që janë punë të vështira,  por të kategorisë së dytë mosha e daljes në pension është ulur me 5 vjet për burrat dhe me 8 vjet për gratë.

  • I njëjti parim është ruajtur edhe për përfitimin e shtesës mbi pension, ku për minatorët në nëntokë shtesa llogaritet 1% e pensionit për çdo vit pune në nëntokë dhe për naftëtarët dhe metalurgët 0.6 % që reflekton shkallën e vështirësisë.
  • Duhet të jetë e qartë që shtesa mbi pension do të përfitohet pas mbushjes së moshës normale për pension, të përcaktuar në ligjin për sigurimet shoqërore, pra 65 vjeç për burrat dhe 61-63 vjeç për gratë. Kjo për faktin që këto nuk janë para kontributive, por para publike nga taksat e përgjithshme dhe nuk mund të jepen para moshës së pensionit. Me këtë ligj përfitimi është bërë duke dalë para kohe në pension.
  • Në lidhje me ndryshimin e statusit të naftëtarit, vlen argumenti i dhënë nga Gjykata Kushtetuese në arsyetimin e vendimit për kundërshtimin e ligjit per statusin e ushtarakëve. Gjykata Kushtetuese, pasi konstatoi se efektet financiare të atij ligji ishin shumë të larta, konkludon se siguria financiare, pra përballushmeria nga buxheti i shtetit, prevalon mbi sigurinë juridike. Përfitimet e premtuara në statusin e naftëtarit nuk bazohen në kontribute të paguara, por në përfitime që subvencionohen totalisht nga taksat e përgjithshme.

 

Në projektligj janë bërë dy amendamente me propozim të kryetarit të komisionit të ekonomisë dhe financave:

  1. Për pensionistët minatorë që kanë dalë në pension sipas ligjit 150/2014 dhe që më parë kanë marrë trajtim të veçantë e drejta e shtesës mbi pension ju lind që nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit dhe jo kur mbushin moshën 65 vjeç. Kjo për arsyen se ata kanë dalë me më pak vjetërsi në punë në nëntokë dhe për rrjedhojë kanë pensione të ulta. Janë 1900 persona që përfitojnë.
  2. Për invalidët që janë bërë të tillë për shkak të një aksidenti në punë apo një sëmundje profesionale dhe për këtë shkak kanë më pak vjetërsi në profesión se vjetërsia e parashikuar në ligj, vjetërsia për minatorët do të llogaritet me 5 vjet punë në nëntokë dhepër naftëtarët dhemetalurgët me  20 vjet punë.

 

Duhet të theksoj së fundi se projektligji është diskutuar me grupet e interesit, sindikatat përkatëse të minatorëve, industrisë dhe naftës, dhe individë ish minatorë, tani në pension. Projektligji është paraqitur për miratim edhe Këshillit Kombëtar të Punës në nëntor 2018, si detyrim ligjor i Kodit të Punës. Në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli, sindikatat e minatorëve, të industrisë dhe të naftës kërkuan me insistim kalimin e projektligjit me procedurë të shpejtuar.

Për sa më sipër,Ju ftoj ta miratoni këtë projektligj.

Faleminderit