Hetim penal 3 mijë punësimeve elektorale

590
Hetim penal 3 mijë punësimeve gjatë zgjedhjeve
Prokuroria mbyll verifikimet dhe çel dosjen për shpërdorim detyre dhe korrupsion ndaj krerëve të administratës. Shqyrtim dosjeve të emërimeve
Rikthehet dosja e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Prokuroria e Tiranës ka mbyllur verifikimet dhe ka nisur hetimin penal për dyshimet se është shpërdoruar detyra dhe është ushtruar korrupsion aktiv gjatë zgjedhjeve lidhur me punësimet. Pas kallëzimit të ish-zëvendëskryeministres teknike, Ledina Mandia, se qindra persona ishin punësuar gjatë fushatës elektorale në shkelje të Kodit Zgjedhor, dosja tashmë ndodhet në duart e prokurorëve. Burime të sigurta i thanë “Top Channel” se dosja mban numrin 7.564 dhe hetimi konsiderohet i hapur në datën 22 shtator 2017. Pjesëtarë të grupit të hetimit, që janë pjesë e task forcës, shtojnë se ka bindje që zyrtarë të administratës kanë konsumuar këto dy vepra penale, jo vetëm në përfundim të këqyrjes së raportit të dorëzuar nga Mandia, por edhe të disa përgjigjeve të depozituara me kërkesë të prokurorisë nga Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve. Ish-zëvendës kryeministrja Mandia, kryesuesja e taks forcës ministrore, denoncoi në prokurori se gjatë fushatës zgjedhore ishin kryer 3.600 lëvizje në administratën shtetërore. Ndërsa në shkresën e Drejtorisë së Tatimeve, si përgjigje ndaj Prokurorisë së Tiranës, kjo shifër konfirmohet pjesërisht. Prokuroria thotë se nga data 25 maj 2017 deri në 22 qershor 2017 rezulton: “Sipas informacionit të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rezultuar se për periudhën e kërkuar, me anë të email-it janë punësuar rishtas, apo larguar nga puna një numër prej 3.014 personash, duke rënë ndesh me nenin 88, pika 3 e Kodit Zgjedhor”. Për këtë arsye, kryeprokurori i Tiranës Petrit Fusha dhe shefja e njësisë task forcë Deniona Katro u ka dërguar të gjitha drejtorive një shkresë me anë të së cilës kërkohet informacion i plotë për çdo person të larguar nga detyra dhe të emëruar gjatë muajit të fushatës zgjedhore. Prokuroria kërkon gjithashtu dosjen personale të këtyre punonjësve dhe praktikën e ndjekur, ndërsa paralajmëron se drejtoritë duhet të përgjigjen brenda afatit të 10 ditëve, pasi çdo vonesë sjell zvarritje të hetimit.

Çështja e punësimeve në administratë ishte një ndër akuzat kryesore të fushatës së shkuar elektorale. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim u ankuan vazhdimisht se Partia Socialiste kishte shtuar në mënyrë të pajustifikuar numrin e të punësuarve për të joshur zgjedhësit, në këmbim të votës. 
Sigal