‘Hetim minoritarëve’, PBDNJ: Drejtësia jo pjesë e lojërave politike

525
Sigal

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka reaguar pas shoqërimit të kreut të OMONIA-s Fredi Bejleri dhe të akuzuarve të tjerë për akte terroriste si pjesë e hetimit për “Masakrën e Peshkëpisë”.

Ndonëse nuk flet me emra, PBDNJ thotë se ditët e fundit po thirren nga Krimet e Rënda dhjetëra pjesëtarë të minoritetit grek duke e krahasuar këtë me dosjen famëkeqe “Lotus” të Gazidedes në 1994.

PDBNJ i drejtohet drejtësisë duke i kërkuar të mos bëhet pjesë e lojërave politike dhe të jetë institucionalisht më e vëmendshme ndaj gjuhës dhe akteve të urrejtjes etnike të manifestuara nga individë të veçantë deri edhe në grupime politike dhe media, ndaj të cilave deri tani sipas saj, ka demonstruar një tolerancë të papranueshme.

DEKLARATA E PLOTË
Ditët e fundit Prokuroria e Krimeve të Renda po thërret dhjetëra pjesëtarë të Minoritetit Etnik Grek në cilësinë e personave ndaj të cilëve zhvillohen hetime për veprën penale të parashikuar nga Neni 50 (vepra terroriste kundër përfaqësuesve të shtetit dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë ose kundër personave të tjerë për shkak të veprimtarisë së tyre shtetërore ose shoqërore) dhe neni 13 i Kodit Penal (Ligji 5591 dt. 15.06.1977, ndryshuar me Ligjin nr. 6300 dt. 27,03.1981), lidhur me procedimin penal me nr. 26 të vitit 2019.

Përmbajtja, forma si edhe metodat e përdorura na sjellin të gjithëve ndërmend Dosjen famëkeqe “Lotus” të frymëzimit Gazidede të vitit 1994, pogramin hetimor të qindra pjesëtarëve të Minoritetit Etnik Grek dhe Gjyqin-farsë ndaj pesë liderëve të OMONOIAS.
Pavarësisht faktit se sajesa haluçinante “Lotus” ra në Parlament, në Gjykatë, në opinionin vendas dhe ndërkombëtar, askush nuk mund të neglizhojë traumat qe ajo la në radhët e Minoritetit Etnik Grek, në imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare dhe, natyrisht, në marrëdhëniet me partnerët perëndimorë. Nuk duhet harruar se u desh edhe përfshirja e Shtëpisë së Bardhë me të dërguar të posaçëm për zbardhjen e së vërtetës dhe normalizimin e situatës.

Riciklimi i kësaj çështjeje në shërbim të konsumit politik të ditës përmban elemente qe dëshmojnë se ka individë dhe grupime, në politikë dhe, fatkeqësisht edhe në drejtësi që synojnë të mbajnë të gjalla stereotipe dhe paragjykime – reminishenca të regjimit totalitar ndaj anëtarëve të minoritetit etnik grek, të krijojnë klimë represioni dhe pasigurie në radhët e tyre, të kultivojnë artificialisht frymë kundërvënieje etnike, duke cenuar bashkëjetesën harmonike.
Apeli ynë është në krahë krejt të kundërt: të ridimensionohen politikat e garantimit të respektimit të të drejtave të Minoritetit Etnik Grek, qeveria të plotësojë kuadrin ligjor implementues për të cilin është angazhuar në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, por qe pa asnjë arsye po e vonon prej më shumë se një viti, rritjen e përpjekjeve sistematike për krijimin e një opinioni publik evropian në lidhje me respektimin e të drejtave të minoriteteve.
Në mënyrë të veçantë i drejtohemi Drejtësisë që të mos bëhet pjesë e lojërave politike dhe të jetë institucionalisht më e vëmendshme ndaj gjuhës dhe akteve të urrejtjes etnike të manifestuara nga individë të veçantë deri edhe në grupime politike dhe media, ndaj të cilave deri tani ka demonstruar një tolerancë të papranueshme.