Hetim koncesionit 70 milionë euro/ Qeveria dhe shërbimet e Sigurisë franceze i kërkojnë Shqipërisë anulimin e tenderit të parkut Fotovoltaik

605
Sigal

Loja 70 Milionë euro e koncesionit për kompaninë energjetike indiane “India Power Corporation”

Qeveria dhe shërbimet e sigurisë franceze, i kërkojnë Shqipërisë zhbërjen e tenderit të dyshimtë

Disa telefonata të bëra nga “Champs Elysee” drejt autoriteteve qeveritare shqiptare, sugjerojnë se qeveria franceze dhe shërbimet e sigurisë të këtij vendi, po kërkojnë zhbërjen e një tenderi të dyshimtë, për të cilin ata bëjnë direkt përgjegjës ish-ministrin Damian Gjiknuri dhe një zyrtar të komunitetit të energjisë në BE, të quajtur Janez Kopac.

Historia e tenderit të dyshimtë

Në vitin 2018, qeveria shqiptare zhvilloi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e parkut foto-voltaik (energji diellore) të Akërnisë, në Vlorë. Në tender morën pjesë 6 kompani ndërkombëtare, mes tyre dhe një grup biznesi francez. Pas përfundimit të garës, ministria e Energjisë, e cila asokohe drejtohej nga Gjiknuri, shpalli fituese ofertën e kompanisë energjetike indiane “India Power Corporation”, e cila kishte hyrë në këtë garë nëpërmjet një joint-venture me dy kompani ndihmëse me origjinë të paqartë. Grupi francez që hyri në këtë garë, kishte marrë në mënyrë informale garancitë nga Gjiknuri, se në këtë garë nuk do të kishte fitues të paracaktuar dhe se procedura do të filtronte ofertën më të mirë teknike dhe ekonomike. Por francezëve u rezultoi ndryshe. U rezultoi se gara ishte e trukuar.

Janë dy të dhëna që orientuan trukimin

  1. a) Kompania Midami ltd, e regjistruar në Hong Kong, në joint-venture me kompaninë fituese indiane, rezulton si entitet biznesi i kamufluar, me pronarë të panjohur, e që dyshohet se është futur në lojë si siguresë për ujdinë e fshehtë për trukimin e garës. Kompania “Midami ltd”është krijuar në Hong Kong në vitin 2015 dhe është zyrtarisht përfaqësuese e shitjeve në Azi, e një korporate ruse të lëndëve petrokimike në pronësi të biznesmenit rus Yakov Goldovsky. Ky i fundit njihet për lidhje të dorës së parë me zyrtarë të rëndësishëm të institucioneve të energjetikës në BE. Kompania Midami ltd, njihet si përfaqësuese e autorizuar shitjesh për produktet e Goldovskyt në Azi, por nuk është verifikuar se kush janë aksionarët dhe poseduesit e saj, nëse janë në ortakëri me Goldovskyn, apo janë shqiptarë, apo janë të tjerë të panjohur, apo janë të ndërthurur mes tyre.
  2. b) CEZ-Kopac-indianët dhe lidhjet me Gjiknurin

Janez Kopac është drejtues i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në BE. Ai është një mbështetës i paepur i Gjiknurit, i vetmi zyrtar i huaj që shprehu pikëllim të thellë ditën kur Gjiknuri u shkarkua si ministër i Energjisë me firmë të Edi Ramës. Lidhja Kopac-Gjiknuri nisi të konsolidohej në vitet 2014-2015, në kohën kur Gjiknuri po bënte tratativa me kompaninë CEZ, për dëmshpërblimin e kësaj të fundit me mirëkuptim. Janez Kopac, erdhi në Tiranë dhe loboi fuqishëm tratativat dhe bëri thirrje në mënyrë të përsëritur se problemi me CEZ nuk duhej të shkonte në arbitrazh, por palët duhej të gjenin një zgjidhje në tavolinë. Më pas Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjeti marrëveshjen 600-milionëshe me CEZ si të dëmshme për interesin e shtetit shqiptar. Janez Kopac, ushtroi një ndikim të fortë që të arrihej ujdia me CEZ, ai posedonte lidhje direkte me pronarët e fuqishëm të kompanisë CEZ dhe loboi në interesin e tyre, njëherësh u miqësua dita ditës dhe me Gjiknurin në këtë periudhë. Por Kopac ka qenë aktiv dhe në mbështetjen e projektit 70 milionë euro për parkun foto-voltaik të Vlorës. Nëpërmjet disa deklaratave ai ka mbështetur realizimin e këtij tenderi dhe e konsideroi sukses zhvillimin e tij, pasi u shpall fituese kompania indiane “India Power Corporation”. Rezulton se kompania indiane “India Power Corporation” ka dy aktivitete kryesore në Evropë.

E para, është aktiviteti i punës që siguroi në Shqipëri, për ndërtimin e parkut fotovoltaik.

E dyta, është synimi që ka kjo kompani për të hyrë në tregun bullgar të energjisë.

Por si do hyjë në këtë treg?

Raportimet nga media bullgare informojnë se kompania indiane është në tratativa me kompaninë CEZ në Bullgari me qëllim që t’i blejë asaj aktivitetin e biznesit. Duket se indianët operojnë vetëm në ato tregje ku kanë ndikim miqtë e Janez Kopac, në Bullgari me miqtë e tij të CEZ dhe në Tiranë, me mikun e tij Gjiknuri. Një burim i mirë informuar i tha Hashtag.al, se janë pikërisht këto lidhje të cilat janë gjurmuar dhe investiguar në mënyrë më të detajuar nga autoritetet franceze, që kanë sjellë reagimin e tyre. Francezët kanë kërkuar zhbërjen e tenderit 70 milionë euro për parkun foto-voltaik të Vlorës, duke e konsideruar të trukuar dhe të dyshuar si korruptiv, ndërsa Gjiknurin e dyshojnë si një ministër të zhdërvjelltë që ka arritur të lidhë interesat e veta me ato të Kopac duke i lënë “peshqesh” kryeministrit Rama një faturë jo të vogël politike në raport me francezët. Nga hashtag.al