“Heqja e imunitetit kërkon domosdoshmërisht një shtet të emancipuar dhe organet e drejtësisë të jenë absolutisht të pavarura”

1795
Sigal

 INTERVISTA/Flet Dëshira Subashi, anëtare e KQZ-së: “Është jashtë çdo logjike, që ndryshimet në Kushtetutë të bëhen pa një debat të gjerë në kohë”

Nuk është vetëm një palë politike që thotë se KQZ-ja aktuale e ka humbur mirëbesimin, pavarësinë e saj, nuk është vetëm një pjesë e opinionit publik që shpreh këtë shqetësim. Problemi është real, sidomos kur vetë anëtarë të  kësaj KQZ-je pohojnë, përtej hipokrizisë profesionale, sikurse Dëshira Subashi, në intervistën për “Telegraf” se KQZ-ja  humbi besueshmërinë si një arbitër i paanshëm, ndaj kërkesa për ndryshimin e KQZ-së është legjitime.  Përsa i përket përkatësisë partiake të komisionerëve të KQZ-së, zonja Subashi  pranon: “Besoj që është një çështje besimi. Përsa i përket heqjes së imunitetit, anëtarja  e KQZ-së, Dëshira Subashi thotë se palët politike kanë humbur një vit kohë nga koha e debatit që duhet të bëhej në  ndryshimet e Kushtetutës për heqjen e Imunitetit, por mbi të gjitha, ndryshimet në Kushtetutë, nuk duhet të bëhen me copëza, por të jenë një paketë të ndryshimeve në Kushtetutë, pasi, duke bërë çdo herë ndryshime të pjesshme, dëmtohet shtylla vertebrore e shtetit. E keqja më e madhe, sipas zonjës Subashi, është kur palët politike nuk bashkëpunojnë, por debati midis tyre bëhet përmes medias. Heqja e imunitetit, pohon zonja Subashi, kërkon organe të drejtësisë të pavarura.

– Zonja Subashi, nevoja për rikompozimin e KQZ-së është kërkesë e domosdoshme që ka lidhje me rritjen e besueshmërisë të vetë procesit zgjedhor apo është një kërkesë subjektive e PS-së, derisa PD-ja e kundërshton me kaq forcë?

– Rikompozimi i KQZ-së ishte nga rekomandimet parësore të misionit të ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit 2011. Nuk është thjesht një rekomandim i këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar që monitoron zgjedhjet, por një rekomandim, i cili erdhi pas vëzhgimit të administrimit të zgjedhjeve, ku u evidentua hapur vendimmarrja politike e KQZ-së, çka, sipas raportit, krijoi perceptimin se KQZ-ja po vepronte në favor të partisë në qeverisje, duke humbur besimin se po vepronte si një institucion i paanshëm. KQZ-ja  përbën një nga garancitë zgjedhore dhe sa kohë kjo strukturë e KQZ-së humbi besueshmërinë si një arbitër i paanshëm, kërkesa për ndryshimin e KQZ-së është legjitime dhe e bazuar në rekomandimet e ODIHR-it.

– Në aspektin e rritjes të besueshmërisë të sistemit zgjedhor, përse PD-PS nuk reformojnë tërësisht dhe rrënjësisht strukturat e organizimit të zgjedhjeve, sikurse janë heqja e komisionerëve partiakë në të gjitha komisionet zgjedhore?

Besoj që është një çështje besimi. Gjithsesi, sistemi i administrimit partiak të zgjedhjeve është një sistem që pranohet dhe njihet nga Kodi i Praktikave të Mira Zgjedhore të Komisionit të Venecias, por që kërkon demokraci të konsoliduar të shtetit, që do të thotë se partitë politike nuk ndikojnë mbi nëpunësit zgjedhorë apo se nëpunësi zgjedhor nuk ndikohet nga partitë politike, që i kanë propozuar në këto detyra. Qenia e tyre në administrimin e zgjedhjeve duhet vetëm si një garanci besueshmërie.

Ka më se një vit që ndërkombëtarët kanë dhënë një draft për heqjen e imunitetit. Papritur, Berisha paraqet draftin e tij dy javë para se të mbyllet sesioni parlamentar. Shikoni ju diçka që mazhoranca përpiqet ta bëjë në nxitim për të kaluar te imuniteti?

Një vit për të gjetur më në fund konsensus për heqjen e imunitetit për ndryshime kushtetuese është shumë, ndërkohë që për këtë element do të duhej vetëm pak ditë për mendimin e specialistëve. Një vit kohë do të ishte mirë të harxhohej për të diskutuar për brendinë e ligjit për imunitetin e zyrtarëve. Gjithsesi ndryshimi i këtij statusi të zyrtarëve të lartë do të  kërkonte një vullnet të mirë e, mbi të gjitha, të pastër politik.

– Mos vallë ju shikoni një ripërsëritje të rrethanave  politike të 2008-s, ku PD-PS në një kohë tepër të shkurtër, pa krijuar mundësinë e një debati gjithëpërfshirës, bënë ndryshime në Kushtetutë?

Jo,  nuk dua të besoj një përsëritje të rrethanave të ndryshimit të Kushtetutës siç ndodhi në 2008-n. Gjithsesi, është tashmë një temë e vënë në diskutim, e diktuar nga koha, por edhe nga partnerë ndërkombëtarë, të cilët e shikojnë heqjen e imunitetit si një mundësi më të mirë të përgjegjësie ndaj funksionarëve që shkelin e ligjet e vendit. Do të dëshiroja, që, pavarësisht tonit politik të ditës për këtë çështje, është e domosdoshme një debat gjithëpërfshirës për secilën kategori që prek, qoftë të nivelit Kushtetues apo të çdo niveli qoftë, edhe për faktin e eksperiencave të ndryshme të shteteve. Studimi dhe debati janë të shëndetshëm. Është e arsyeshme, është e standardeve që të hapet ky debat në kategoritë përkatëse e madje çështja të fokusohet tek konsesuset politike dhe të fundit kostitucionalistët që mbi variantet e propozuara për miratim të bëjnë verdiktin e tyre.

–  A mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë, vetëm për heqjen e imunitetit, kur akoma palët politike nuk kanë miratuar reformat zgjedhore e parlamentare?

– Në gjykimin tim, ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë një frymë politike bashkëpunimi, mirëbesimi, angazhimi politik serioz. Nuk mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë në mungesë të kësaj klime, duke folur kampet politike nëpërmjet medias e duke marrë mendimet e kundërshtarit politik nga ekranet televizive. Më shumë se një angazhim  serioz i forcës politike, ky fakt përbën farsë, që fatkeqësisht ka gjymtuar politikën, e ka bërë atë në sytë e popullit si e keqja e vendit. Vullneti i drejtë politik, pa qëllim “ia  hodha kundërshtarit”, do të sillte edhe reformën parlamentare dhe zgjedhore në kohë. A mund të japë ndokush shpjegim pse tensionohet prej shumë muajsh situata për reformat zgjedhore dhe parlamentare? Pse, pas shumë tensionesh arrihet marrëveshje, siç ndodhi me Reformën Zgjedhore? Kush është i interesuar ta mbajë këtë tension në vëmendje të shumë aktorëve? Kush mban përgjegjësi që prej muajsh opinioni publik është fokusuar me faktin e zgjedhjeve të vitit 2013, a thua se nuk ka halle e probleme në jetën publike  gjithë kjo periudhë. Për një gjë jam e bindur, se nga dita e miratimit të ligjit, do të quhet arritje e politikës me gjithë dëmet politike që ka sjellë në vend.

– A mund të bëhen ndryshime në Kushtetutë për heqjen e imunitetit kur akoma nuk janë bërë reformat në Gjyqësor dhe në luftën kundër krimit të organizuar, si prioritetet e BE për integrimin?

– Kemi një praktikë të hidhur, do ta quaja, në ndryshimet e Kushtetutës. Në vitin 2006 Kushtetuta u ndryshua vetëm për të shtuar dy anëtar të KQZ-së në organikë, pa patur për qëllim të sjellë ndryshime thelbësore të strukturës dhe balancave politike të institucionit. Thjesht, për të plotësuar, në rastin më të mirë, synimet e një partie apo një tjetre, që do te sillte vullnet për reformë zgjedhore. Edhe në vitin 2008, në të njëjtën situatë, u ndryshua Kushtetuta në periudhë që nuk përfundonte reforma zgjedhore. A thua është rastësi që edhe në vitin 2012, kërkohet të ndryshohet Kushtetuta, kur reforma zgjedhore kalon me ecje e ngecje?  Kushtetuta e çdo vendi është “shtylla kurrizore” e një shteti. Çdo dëmtim i shtyllës kurrizore, pa asnjë dyshim të kthen në invalid. Ndërhyrjet e shpeshta në Kushtetutë, me problematika të caktuara, e dëmtojnë Kushtetutën, soliditetin e saj dhe është me ndikim negativ në shtetformim. Shqyrtimi i të gjitha problemeve që lidhen me Kushtetutën, pa asnjë mëdyshje i shërbejnë konsolidimit të shtetit, por  këto ndryshime nuk mendoj se duhet të bëhen me copëza. Ato duhet të përfshijnë një paketë të ndryshimeve Kushtetuese, duke hequr dorë një herë e përgjithmonë nga prekja e shpeshtë e ligjit themelor te shtetit. Për mua ky është treguesi i seriozitetit të  shtetit që synon integrimin në Europë.

– Heqja e imunitetit, shtrohet nga Berisha,  si domosdoshmëri për të luftuar korrupsionin. Por, nga ana tjetër, nuk bëjnë aspak përpjekje, nuk tregojnë aspak vullnet politik për të depolitizuar organet e gjyqësorit, të akuzës, të hetimit, të policisë. Në këto kushte, heqja e imunitetit si duhet trajtuar?

Sigurisht, që një reformë cilësore në sistemin e drejtësisë është jetike, e ndërthurur edhe me ligjin  për heqjen e imunitetit Heqja e imunitetit kërkon domosdoshmërisht një shtet real demokratik, kërkon një shtet të emancipuar dhe që organet e drejtësisë të jenë absolutisht të pavarura. Pa instrumentet e nevojshëm të një demokracie, të një garancie që lidhet me zbatimin e ligjit korrekt e me qëllimin që ai ka, vetëm ndryshimet e neneve të Kushtetutës  nuk do të sillnin integrimin e vendit. Hartimi i ligjit është vetëm hapi i parë. Vetëm hartimi i ligjit nuk është i mjaftueshme për të thënë që u luftua korrupsioni.

–  Kërkesat e PS-së, që zgjedhja e gjyqtarëve në Gjykatat Kushtetuese dhe të Lartë të bëhen me 84 vota, ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese për të rritur cilësinë e standardeve politiko-demokratike në Kushtetutë?

– Do të ishte pozitive që të gjitha ligjet e rëndësishme, të cilat rregullojnë veprimtarinë e një shteti, janë ligje që i shërbejnë  demokracisë dhe duhet një votim i pranuar nga gjithë spektri politik, pavarësisht  votave që kërkohen, 71 apo 84. Ligjet që lidhen me funksionimin e drejtësisë nuk duhet të bëjnë pjesë në politikat e ngushta elektorale të partive. Nuk duhet të ndryshojë funksionimi i drejtësisë me ndryshimin e pushteteve, sepse nuk mban më emrin drejtësi. Ndaj konsolidimi i drejtësisë, domosdoshmërisht kërkon tjetër vëmendje.

– Heqja e imunitetit, duhet bërë në rrafshin paralel për të gjitha subjektet, politikanët, gjyqtarët, prokurorët?

Nuk  kam një mendim absolut, sepse kam bindjen që kërkon një vëmendje të çdo pozicioni në mënyrë të veçantë. Gjithsesi në parim jam e mendimit se diku duhet hequr e diku mund të ketë kufizime imuniteti, por zyrtarët të mos kenë mundësi të mbrohen me imunitet kur kryejnë vepra penale. Zyrtarët gëzojnë imunitet vetëm për aktet që lidhen me detyrën e tyre në përputhje me kompetencat që ju ka dhënë ligji.

– Cilat do të ishin kriteret, ndryshimet që duhen bërë, që heqja e imunitetit të mos shndërrohet në një instrument politik presioni të pushtetit ndaj opozitës?

– Uroj të mos jetë ky qëllimi i ligjit apo të mos kthehet në qëllim pasi të miratohet. Do të ishte fatale për demokracinë, do të kthehej në diktaturë me vendime drejtësie, mjaft e rrezikshme, ndaj heqja e imunitetit kërkon një shtet të fortë ligjor, të paanshëm, mbi të gjitha nga politika.

– Procesi i zgjedhjes të Presidentit nxori në pah edhe dobësitë e mangësitë e Kushtetutës për një zgjedhje të Presidentit, i cili duhet të jetë simboli i unitetit dhe jo demonstrim i shumicës partiake. A nuk duhet që diskutime për  ndryshimet në Kushtetutë të përfshijnë edhe mënyrën e zgjedhjes të Presidentit?

– Do të ishte mirë që kjo çështje të bëhej pjesë e një debati, në se do të bëhen ndryshime kushtetuese. Unë do të mendoja se nuk është herët, ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen jashtë afateve kohore të zgjedhjes së Presidentit, sepse do të bënte të mundur një gjykim të ftohtë politik, jashtë interesit të momenti .

Ndryshime në Kushtetutë me pjesëmarrjen edhe të subjekteve jopolitike

Kam bindje që ndryshimet kushtetuese kërkojnë një proces gjithëpërfshirës, jo vetëm të partive politike parlamentare e jashtë parlamentare, por në mënyrë të posaçme të grupeve të interesit, për dispozitat që mendohet të amendohen. Është jashtë çdo logjike për mua, që ndryshimet në Kushtetutë të bëhen pa një debat të gjerë në kohë, në përmbajtje dhe në shtrirje. Me që jemi në çështjen e heqjes apo kufizimit te imunitetit për një kategori funksionesh të larta të shtetit, ky amendim  domosdoshmërisht  do të duhet të marrë kohën  e duhur për një diskutim të gjerë, sepse është një standard që vendoset për herë të parë në vendin

-Ju faleminderit!