Hekuran Rapaj: Ju tregoj arritjet dhe vështirësitë e transportit ushtarak në 100 vjet

97

 INTERVISTA/Flet Dr. N/Kolonel (R) Hekuran A. Rapaj, për 100- vjetorin e krijimit të transportit ushtarak

Në historinë e shërbimit të mbështetjes logjistike në Forcat e Armatosura, shërbimi i transportit ushtarak zë një vend të posaçëm, të rëndësishëm dhe jetik. Ai është bashkëmoshatar dhe bashkudhëtari më aktiv, që me krijimin e shtetit të parë dhe, natyrisht edhe të vetë Forcave të Armatosura e të Ushtrisë Shqiptare. Në lidhje me 100- vjetorin e themelimit të transportit ushtarak ka folur në një intervistë për “Telegraf” Dr. N/Kolonel (R) Hekuran A. Rapaj.

-Zoti Rapaj, si do ta përkufizoni sot rrugëtimin e transportit ushtarak shqiptar në vite?

– Në vitin e ri që jemi futur dhe pikërisht më 6 maj 2013, Transporti Ushtarak Shqiptar do të festojë jubileun e madh të 100 -vjetorit të themelimit dhe krijimit të tij. Personalisht, si studiues i pasionuar i këtij shërbimi madhështor dhe mjaft prestigjioz i ushtrisë shqiptare, kam në dorë dhe gati për botim gjithë historikun dhe manualet përkatëse të këtij shërbimi automjeteve në vite që nga viti 1912 e në vazhdim. Po, shërbimi i transportit ushtarak zë një vend të posaçëm, të rëndësishëm dhe jetik. Ai është bashkëmoshatar dhe bashkudhëtari më aktiv, që me krijimin e shtetit të parë dhe, natyrisht edhe të vetë Forcave të Armatosura e të Ushtrisë Shqiptare, që nga koha e fillesave të tyre, më 1912. Njëkohësisht, me këtë rast mund të evidentojmë se: Së pari, një ushtri moderne mund të realizojë misionin e vet për mbështetje logjistike, vetëm atëherë, kur organizohet e pajiset me teknikë e mjete transporti të kohës, në përshtatje me kushtet dhe nivelin teknologjik kur vepron, mbështetur në përvojën e shkuar, teorike e teknike, kombëtare e botërore. Së dyti, duke kthyer vështrimin prapa në kohë dhe, duke parë në mënyrë analitike përvojën historiko-ushtarake shqiptare, dalin më tepër në pah vlerat përgjithësuese e problemore, të proceseve organizative, parimet, rregullat, normat teknologjike shkencore në rrjedhat e historisë gjatë këtyre viteve. Së treti, në ecurinë e një shekulli, referuar me atë mori pune të pakrahasuar në vite, argumentohet se evolucioni i shërbimit të Transportit ushtarak është krijesë e drejtpërdrejtë e punës dhe e përpjekjeve të ndjekura vit pas viti, nga populli shqiptar dhe formacionet transportuese të tij, në historinë shumëshekullore luftarake.

-Për pak ditë mbushen 100 vjet nga krijimi i transportit ushtarak shqiptar, cilat ishin hapat e parë të krijimit të këtij shërbimi?

-Hapat për të pasqyruar pikërisht etapat e ngritjes, të përsosjes dhe të zhvillimit të shërbimit të Transportit ushtarak, kanë mbetur pothuajse përpjekje fillestare, deri më sot, kur dhe datat përkujtimore të këtij shërbimi shumë të rëndësishëm të Ushtrisë Shqiptare, nuk i kanë shpëtuar dot politizimet apo njëanshmëritë e ndryshme politike të kohës 100 -vjeçare. Le ta pasqyrojmë këtë argument nëpërmjet momenteve më të rëndësishme të saktësuara me data dhe vite, në këtë udhëtim 100- vjeçar, të këtij shërbimi krenar sot në Forcat e Armatosura dhe në Ushtrinë Shqiptare. Në fillimet e organizimit të transportit ushtarak shqiptar në vitet 1912-1924, historikisht del në pah ajo përvojë e pakët organizuese e transportuese në strukturat drejtuese dhe në formacionet ushtarake fillestare, të krijuara me lindjen e shtetit të parë të pavarur shqiptar, si dhe në procesin e organizimit të ushtrisë.

-Cila është data e saktë e krijimit të Transportit ushtarak shqiptar?

-Ky shërbim e nisi punën qysh me krijimin e formacioneve të para të ushtrisë dhe të xhandarmërisë shqiptare, duke marrë masat e para më të domosdoshme edhe për mbështetjen transportuese, për furnizimin e forcave që luftonin në mbrojtje të tokave të Shqipërisë. Zyrtarisht veprimtaria e prapavijës e organizuar si një zyrë shërbimi (sektor), pranë Shtabit Madhor të Ushtrisë Shqiptare, nisi më datën 6 maj 1913. Megjithatë, ajo që na tërheq më  tepër vëmendjen është fakti se nuk ka një datë fikse të miratuar për këtë qëllim me një urdhër ministri apo me një urdhër a udhëzim të veçantë të Komandantit të Përgjithshëm të FA. Problemi tjetër është fakti se asnjëherë nuk është përmendur data e saktë e ditëlindjes së këtij shërbimi, që është 6 maji i vitit 1913, datë e papolitizuar, por origjinale për nga rrethanat dhe dokumentacioni. Kam bërë disa përpjeke edhe në momentet që kam qenë Shef i Sektorit të Transportit në FA, që me një urdhër ministri të saktësohet përfundimisht kjo datë e rëndësishme e transportit ushtarak.  Me disa argumente të përkrahura për këtë qëllim jam mbështetur dhe nga Arkivi Qendror i Ushtrisë dhe i Forcave të Armatosura, ku dhe siç e përmenda më lart, nuk ka një dokument zyrtar për datën e Transportit Ushtarak. Për ta saktësuar me një dokument zyrtar, jam mbështetur gjithashtu nga Drejtoria e Arkivit Qendror të Ushtrisë dhe Drejtoria e Logjistikës së FA, kryesisht nga Kolonel Zaho Golemi dhe Arben Demollari. Si një personalitet i drejtimit dhe i studimit të këtij shërbimi në Forcat Armatosura, me argumente dhe dokumentacion shkencor dhe historik të argumentuar i jam drejtuar ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Maksim Malaj i cili për fat të keq nuk e përcolli praktikën përkatëse tek ministri i Mbrojtjes, ku kisha besimin se do ta kishte miratuar praktikën dhe datën e propozuar.

-Cilat janë disa nga momentet më të rëndësishme në këto 100 vjet të këtij shërbimi?

-Në historinë e tij 100-vjeçare, shërbimit të Transportit ushtarak, i është dashur të gjejë rrugët, format dhe mjetet e nevojshme për t’i përballuar me sukses dhe efektivitet ngjarjet dhe situatat, që janë krijuar për Shqipërinë dhe popullin shqiptar gjatë këtyre viteve të historisë. Sidoqoftë, historia e Forcave të Armatosura, brenda tyre edhe e atyre të shërbimit të transportit ushtarak shqiptar, vijon deri në ditët tona. Transporti ushtarak është një pjesë përbërëse e rëndësishme e shërbimit të mbështetjes logjistike. Logjistika në konceptin e vet përfshin lëvizjen, furnizimin me sektorët përbërës të tyre, si dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura. Në këtë mënyrë, Logjistika përbën faktorin bazë për veprimtarinë dhe ekzistencën e njësive dhe reparteve në FA. Konceptet dhe parimet kryesore mbi të cilën është projektuar realizimi i Misionit të mbështetjes logjistike, përfshin personelin, materialet, transportin, kazermat, depot, shpërnguljen dhe, për të gjitha këto, administrimin e vlerave mjaft të mëdha materiale e monetare. Në kombinimin e metodave të programimit material e monetar, zbërthimi dhe detajimi në njësi dhe reparte, për gjithë specialitetet, armët,  shërbimet përbërëse së bashku me specialistët përkatës, bazohet suksesi i mbështetjes logjistike. Në këtë kompleksitet të gjerë, administrimi, furnizimi, shpërndarja e kërkesave, sigurimi shëndetësor, etj., sigurohen vetëm nëpërmjet funksionimit normal, operacional dhe fleksibël të shërbimit të mbështetjes me  transport ushtarak në FA. Nisur nga ky mision, Transporti ushtarak është një nga elementët kryesore të kësaj mbështetje. Kjo edhe për faktin më të thjeshtë, se sado masa të plota të jenë marrë për planëzimin e operacioneve, në drejtim të gjetjes së burimeve të furnizimit, krijimit të rezervave të çdo niveli komandimi e drejtimi, nuk do të ishte asgjë pa i afruar këto pranë efektivave, teknikës, e nevojave të konsumit. Dhe këto realizohen vetëm nëpërmjet transportit. Shërbimi Transportit ushtarak, është tregues i shkallës e i nivelit të infrastrukturës së një kombi.

Datat dhe momente më kryesore të shërbimit të transportit ushtarak

Më 22 prill 1913, doli “Rregullore për organizimin e Ministrisë së Luftës”. Më 4 maj 1913, u formua Shtabit Madhnuer (Shtabi Madhor). Më 6 maj 1913, formohet shërbimi i parë i prapavijës (i intendencës dhe i transportit). Më 1 shtator 1925, doli rregullorja “Rregullore mbi Përdorimin dhe mbajtjen e Automobilave.” Më 1 nëntor 1926, formohet Batalioni ‘’Vjosa’’ në Shkodër, i kompletuar me 70 kafshë transporti. Shtator 1926, u ngrit një ofiçinë e mirëmbajtjes së automjeteve të transportit ushtarak. Më 24 shtator 1944, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH-së, mori urdhra për krijimin e seksionit të transportit pranë shtabit të Korparmatës së I-rë, ku theksohej: “Seksioni i transporteve dhe i komunikacioneve kryen të gjitha punët që kanë të bëjnë më mbajtjen dhe me rregullimin e trafikut dhe të komunikacioneve të trafikut, të transporteve ushtarake, materialin ushtarak, ushqimin dhe pajisjen, transportin e të plagosurve dhe të sëmurëve, lidhjet (telefon, telegraf, postë), punimet teknike për qëllime ushtarake dhe organizimin e ofiçinave”. Po në këtë datë kanë dalë urdhra të tjera që përcaktojnë strukturën, detyrat si dhe bashkërendimet me seksionet e tjera ushtarake, të seksionit të transportit, i cili në këto dokumente merr formën e plotë të organizimit të tij pranë Shtabit të Përgjithshëm dhe në të gjitha njësitë e repartet tjera të Ushtrisë.  Shefi i parë i këtij seksioni u caktua Thanas Gjoka, i ardhur nga rreshtat partizane. Formohet kështu shërbimi i transportit automobilistik, i cili do të përballonte detyrat e luftës deri në çlirim e plotë të Shqipërisë dhe do të mbante mbi vete peshën kryesore të periudhës së luftës. Batalioni i Parë i Autotransportit në Tiranë, do të formohej me automjetet e rekuizuara në të gjitha qytetet e qarqet e Shqipërisë, në bazë të të urdhrit nr. 11, rez., datë 07.04.1945.   Batalioni i Dytë i Transportit në Durrës, i krijuar në javën e parë të muajit maj 1945.