Heiko Mass i jep ultimatum kryeministrit Rama: Pa bërë reformat në adinistratë, harrojini negociatat me BE-në

573
Sigal

Ministri i Jashtëm gjerman: Pa kryer reformat, nuk hapen negociatat për anëtarësim në BE

Kryeministri Rama vlerëson ndihmën e kalcelares Merkel për integrimin e Shqipërisë

Bashkimi Evropian, në vendimmarrjen e 28 qershorit 2018 për të mos hapur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE i kushtëzoi Shqipërisë kryerjen e reformave të mëdha, deri në qershorin e 2019-s, kur do të shqyrtohet sërish vendimmarrja, në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, respektimin e të Drejtave të Njeriut dhe minoriteteve, ndërtimin e institucioneve të Drejtësisë, funksionimin e Gjykatës Kushtetuese etj. Deri tani, Shqipëria nuk ka kryer akoma asnjë nga kushtet e BE-së. Akoma nuk janë ndërtuar institucionet e reja të Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, akoma nuk është zgjedhur Kryeprokurori i Përgjithshëm, asnjë zyrtar i lartë nuk është hetuar dhe gjykuar për korrupsion, ndërsa prokuroria akoma nuk ka hetuar çështjet e mëdha të kryerjes së veprave penale nga krimi i organizuar, kujtojmë këtu zbardhjen e trafikimit të 613 kg heroine të kapur në Portin e Durrësit.

Kryeministri Rama: Vlerësojmë ndihmesën e kancelares Merkel

Dje erdhi për një vizitë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass, i cili u takua me gjithë udhëheqjen politike të vendit tonë, në kuadrin e njohjes së reformave të integrimit të Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Në takimin e kryeministrit me ministrin e Jashtëm gjerman Mass, kryeministri vlerësoi ndihmesën e kancelares Merkel për integrimin e Shqipërisë në BE. Kryeministri Rama, ndër të tjera, theksoi: Ne i japim një rëndësi të posaçme marrëdhënies me Republikën Federale të Gjermanisë dhe nga ana tjetër e konsiderojmë me një rëndësi historike angazhimin e qeverisë federale dhe të vetë Kancelares, për të iniciuar atë që tanimë njihet nga të gjithë, botërisht, si Procesi i Berlinit. Por jo vetëm kaq, ne jemi shumë mirënjohës qeverisë federale, Kancelares për rolin e rëndësishëm, në funksion të mbështetjes së një prej reformave më themelore shtetbërëse të Shqipërisë evropiane. Unë do të përsëris një kërkesë që ne e kemi bërë, për të marrë mbështetjen e qeverisë federale për kandidaturën e Shqipërisë për të drejtuar OSBE-në. Jemi të bindur që kjo do të kontribuonte edhe në funksion të vetë dinamikave të rajonit tonë, të procesit integrues të rajonit dhe do të ishte një incentivë për Shqipërinë dhe për rajonin.

Ministri i Jashtëm Gjerman Mass: Duhet të bëni reformat, për të hapur negociatat

Ministri i jashtëm gjerman Mass ishte i qarte sa i takon perspektivës evropiane te Shqipërisë. “Në qershor 2019 BE do të vendosë për mundësinë , që të nisë bisedimet me Shqipërinë, por për këtë duhen edhe reformat. Ka kundërshti, apo rezistencë në këto procese, që duhet të kapërcehen që të vijojë perspektiva evropiane. Shqipëria ka mbështetjen e Gjermanisë. Perspektiva evropiane nuk është vetëm fjalë, nëse do të vijoni rrugën, përmbushni kushtet. Rruga drejt BE do të vijojë dhe për këtë keni mbështetjen tonë të plotë. Gjithkush në rajon edhe në Berlin, e di se sa e rëndësishme është kjo për perspektivën evropiane. Është me rëndësi të vijoni në rrugën e nisur. Jeni partner i rëndësishëm për ne.” – theksoi ndër të tjera shefi i diplomacisë gjermane Mass në takimin me kryeministrin Rama.

Ministri gjerman me Bushatin: Jo çelje automatikisht e negociatave

Gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe takimit me homologun shqiptar Ditmir Bushati, ministri i jashtëm gjerman ka folur për çështjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Ministri Heiko Maas tha se Gjermania ka kërkesa të caktuara, sa i përket çështjes së reformave dhe qershori i 2019-s nuk do të thotë çelje automatikisht e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. “Ne kemi pasur një diskutim në qeverinë federale, se cila është perspektiva e Ballkanit Perëndimor. Në qershor të këtij viti u mor një vendim orientues, sa i përket fillimit të mundshëm të bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë,duke nisur prej 2019-s. Është një vendim që tregon vlerësim për reformat që janë marrë vitet e fundit në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, shtetet anëtare të BE kanë bërë të qartë se qershori i 2019-s nuk do të jetë një automatizëm sa i përket çeljes së bisedimeve të anëtarësimit. Kriteret për këtë janë të ditura dhe të qarta.”- tha ministri gjerman në takimin me ministrin e Jashtëm Bushati.