Haxhinasto, Zeqo dhe Mziu (do) mbajnë përgjegjësi penale

482
Sigal

 Hapen portat në HEC-e, pasi nuk menaxhohet prodhimi i energjisë elektrike. Përmbytet Shkodra, nën ujë 1000 ha

Për shkak të shirave të vazhdueshme, 4 HEC-t kryesore, Komani, Vau i Dejës, Ulza dhe Shkopeti, kanë hapur portat e shkarkimit, duke rrezikuar kështu përmbytjen e zonave të Nënshkodrës.

 Keqmanexhimi i kapaciteteve të ujërave të HEC-ve

 Mësohet se nga hapja e portës HEC-i i Ulzës derdhet 300 m³ ujë për sekondë, po ashtu edhe nga hapja e portës së HEC-it të Shkopetit. Prurjet në hidrocentralin e Ulzës shkojnë në 140 m³/sec, ndërsa në HEC-in e Shkopetit janë rreth 190 m³/sec. Hidrocentrali i Ulzës punon me kapacitet të plotë prej katër turbinash dhe ai i Shkopetit po me kapacitet të plotë prej dy turbinash. Pak pas dy hidrocentraleve të para kanë hapur portat edhe Komani e Vau i Dejës. Mësohet se shkarkimet nga hidrocentrali i Komanit janë 700 m³ për sekondë, ndërsa prurjet 1160 m3/s. Prurjet anësore në Hidrocentralin e Komanit janë 150 m³ për sekondë. Ndërsa Vau i Dejës shkarkon 500 m³ për sekondë, niveli aktual është 75.42 m, prurjet anësore 200 m3/s..Niveli aktual i HEC-it të Komanit është 174.94 metra, ndërsa pika kritike 175.6 m. Mirëpo e vërteta e hapjes të portave të HEC-ve, nuk qëndron te prurjet e shumta të ujit, për shkak të reshjeve të vazhdueshme. A ka përgjegjësi politike (dhe penale) për shkarkimin e ujërave nga HEC-et, nga portat që nuk prodhojnë energji elektrike? Natyrisht, që hapjet e portave të shkarkimit, në HEC-et më të mëdha të vendit tonë, nuk duhet të justifikohet me paparashikueshmërinë e reshjeve të shiut. Por, në fakt, ndodh një dukuri, që zbatohet në bazë të interesave të caktuara. Ndoshta, disa kanë interesa që të importohet sa më shumë energji elektrike. Dhe ministri i METE-s është përgjegjësi kryesor për katandinë dhe mosmenaxhimin e drejtë të ujerave në HEC-e.

Përgjegjësia politike dhe penale e ministrit Haxhinasto

A mundet ministri iMETE-s, Edmond Haxhinasto të argumentojë se, cila ka qenë gjendja e kapaciteteve të ujërave të HEC-ve, në muajt e fundit, cila ka qenë dinamika e prodhimit të energjisë elektrike? Mos vallë, për muaj të tërë gjatë dimrit, ministri Haxhinasto ka lejuar (me dashje) që HEC-et të prodhojnë energji elektrike nën kapacitetin e duhur normal, duke ruajtur në rezervuarët e tyre sasi uji më shumë se sa duhej? Dhe kjo bëhej për të justifikuar energjinë elektrike të importuar gjatë dimrit, edhe pse duhej që zotërinjtë eMETE-s, dhe vetë ministri Haxhinasto të parashikonin edhe reshjet e këtyre muajve. Shteti blen energjinë elektrike me çmim më të lartë dhe dikush këtu në Shqipëri nxjerr fitime dhe për këtë, ministri Haxhinasto ka përgjegjësi politike, por edhe penale. A kanë prodhuar energji elektrike me kapacitet të plotë, gjatë këtyre muajve HEC-et që sot shkarkojnë sasi më të mëdha, nga ato që prodhojnë? Sa ishte sasia e ujit në rezervuarët e HEC-ve, që sot po mbimbushen me reshjet e 2-3 ditëve? Përse nuk u prodhua në muajt e mëparshëm energji elektrike me kapacitetet maksimale të HEC-ve dhe kjo energji të eksportohej? Për këtë keqmenaxhim të kapaciteteve të ujërave të HEC-ve a nuk duhet të mbajë përgjegjësi politike ministri Haxhinasto? Dhe, po qe se dëmi ekonomik për shtetin dhe shqiptarët është i madh, a nuk duhet të mbajë edhe përgjegjësi penale ministri iMETE-s, Haxhinasto? Dhe, kur ministri Haxhinasto privatizon në finish të mbarimit të mandatit qeveritar HEC-et, me gjoja justifikimin se shteti nuk mund të mirëmenaxhojë, e zbaton këtë politikë. Sepse ai vetë, i pari, është i paaftë të mirëmenaxhojë. Dhe, jo vetëm kaq. METE  dhe ministri Edmond Haxhinasto, duhet të përgjigjet edhe për dëmet e mëdha të përmbytjeve në Velipojë e në mbarë Shkodrën, për shkak të hapjes së portave të shkarkimit të HEC-ve.

Prokuroria (do) të  hetojë Kryebashkiakun Mziu për përmbytjet në qytetin e Kamzës

Një rrebesh shiu disaorësh mjaftoi që qyteti i Kamzës të përmbytet, aq sa 1.000 banorë u rrezikuan në banesa dhe në lokalet e biznesit të tyre. Qendra e qytetit të Kamzës u shndërrua në një kënetë, me përrenjtë e ujit, thua  bulevardet e Kamzës ishin lumenjtë e  Drinit dhe qendra e Kamzës se ishte mesi i Tërbufit dhe i Myzeqesë. Para disa kohësh, prokuroria ka filluar hetimet ndaj kryetarëve të Bashkisë të Durrësit dhe Fierit- dhe mirë ka bërë- për përmbytjet e fushave të mbjella të Myzeqesë. Mirëpo, përballë përmbytjes të qytetit të Kamzës, ku infrastruktura e saj ka gëlltitur miliona euro, si mund të justifikohet? Madje, u tha nga zotërinjtë e Bashkisë së Kamzës, se kanalizimet ishin të rregullta, por të vogla dhe nuk mundën të përballonin reshjet. Mos vallë Kryebashkiaku Mziu, projektet e kanalizimeve i harton me shiun e korrikut, ndërsa fondet i shpenzon me shiun e ….marsit? Prokuroria a do të fillojë hetimet për dëmet e pallogaritshme që pësuan banorët dhe biznesi i Kamzës nga përmbytja e përgjegjësive të Kryebashkiakut Mziu? Apo, për prokurorinë, disa kryebashkiakë, si Mziu, janë të nënës dhe i mbajnë në sqetull, e disa kryebashkiakë të tjerë, i penalizojnë!