Haxhinasto dhe Xhika në “vendin e krimit”, por asnjë projekt dhe asnjë investim

399
Prej afro 45 ditësh aksi rrugor me dendësi maksimale lëvizjesh të automjeteve të lehta dhe të rënda, Elbasan-Librazhd, ka mbetur pa asnjë ndërhyrje dhe projekt konkret. Është mjaftuar vetëm me hedhjen e disa kamionëve me dhera dhe inerte, që gërmohen në pika të ndryshme të fshatrave dhe kaq. Banorët dhe shoferët e asaj zone, si dhe ata që kalojnë çdo ditë tranzit drejt qyteteve Pogradec, Korçë, Bilisht dhe Kolonjë, shprehen se “ecim me frikë kur vijmë tek kjo pjesë e rrugës, kemi pasagjerë me vete, është e frikshme, nuk e kuptojmë se si nuk merren masa dhe të ndërhyjnë pasi uji lumit Shkumbin mund të prishë gjithë krahun e dëmtuar”. Fakti është se prej afro 45 ditësh aksi rrugor nacional Elbasan-Librazhd, vazhdon të kalohet me një korsi dhe kjo pranë fshatit Xibrakë, për shkak të shembjes që rruga ka pësuar gjatë ditëve me shira të fuqishëm një muaj më parë. Edhe pse kjo situatë ka sjellë probleme të mëdha në qarkullim, edhe pse kjo situatë bëhet shkak për dhjetëra aksidente, deri tani nuk është marrë asnjë për riparimin e saj. 

Mashtrimet e Ministrisë së Transporteve
Kreu i ARRSH Dashamir Xhika dhe Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto erdhën dy herë në vendin e dëmtuar dhe u angazhuan mediatikisht për një “ndërhyrje të shpejtë dhe serioze pasi dëmtimi është i madh dhe ky është një ndër akset më të rëndësishme në vend”, por deri sot asgjë nuk është bërë. Duke parë nga afër situatën e rrugës specialistët e kësaj fushe në qytetin e Elbasanit thanë për “Telegraf” se “situata është mjaft serioze, pavarsisht se shkarje e tilla kanë nxjerrë në shesh cilësinë e punimeve të kësaj rruge, gjë e cila u pranua edhe nga dyshja Xhika-Haxhinasto, qeveria duhet të ndërhyjë, por për fatin e keq dhe arsyet që akoma nuk dihen nga ne, ndërkohë edhe pas një muaji e gjysmë rruga vazhdon të jëtë në këtë gjendje dhe ata që e vuajnë janë drejtuesit e mjeteve”. Nga ana e tyre banorët e Xibrakës dhe fshatrave rrotull shprehen se “qysh nga dita kur ndodhi kjo hata, dhe rruga u prish, kemi parë me sytë tanë shumë probleme dhe shumë aksidente, vetëm gjatë kësaj periudhe janë vrarë 4 persona dhe plasogur dhjetëra, ndaj qeveria dhe konkretisht ARRSH dhe MT duhet të marrin masa, nuk ka kuptim kjo heshtje”. 

Probleme të njëjta edhe në Dragostunjë

Një situatë e njëjtë paraqitet edhe në dalje të Librazhdit, pranë fshatit Dragostunjë, ku edhe këtu shembja ka përfshirë tranversën e rrugës së re duke rrezikuar izolimin e banorëve. Specialistët e rrugëve thonë se “nevojitet një zgjidhje urgjente në mënyrë që situatë të mos degradojë si në Xibrakë, Dragostunjë, Labinot, dhe zona të tjera ku rrezikohen fshatrat dhe automjetet”. Prej afro 10 ditësh ARRSH ka urdhëruar dy firma nënkontraktore të cilat aktualisht po mbushin me material inerte anën e rrugës për të evituar afrimin e mëtejshëm të ujërave, por kjo është thjesht një zgjidhje provizore. Ky aks rrugor lidh lindjen dhe perëndimin e vendit dhe kalojnë çdo ditë mbi 20 mijë automjete të lehta dhe të rënda, pa përmendur mjetet motorrike dhe karrocat me kuaj që përdorin fshatarët e zonave për punët dhe furnizimet e tyre. Para dy netësh një maune ardhur nga Turqia ka mbetur e bllokuar për afro 2 orë në njërin krah të segmentit të prishur, pasi pësoi defekt në motor, duke krijuar vështirësi në trafikun rrugor, pasi vargu me makina që vinin dhe iknin arriti deri në Qendër-Labinot. Është dashur ndërhyrja e policisë në orët e vona të natës, e cila të paktën mundësoi kalimin pa incidente në aksin e dëmtuar rrugor, të cilin ARRSH po e mbush jo me beton, por me inerte. 
Përgatiti Alma Jonuzi 
Sigal