Haxhinasto: CEFTA na përgatit për në Bashkimin Europian

425
Sigal

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto mori pjesë dje në çeljen e Javës së CEFTA-s, e cila mbahet në datat 7 dhe 8 Nëntor në Tiranë. Java e CEFTA-s do të ketë në fokus prioritet e presidencës shqiptare, përqendrimin në lehtësimin e tregtisë, liberalizimin e tregut të shërbimeve, rritjen e integruar, etj. Në këtë aktivitet merrnin pjesë kreu i delegacionit të Bashkimit Europian, z. Ettore Sequi, presidenti i Shoqatës së Investimeve të Huaja në Shqipëri, z. Patrick Paskal dhe ministra të kabinetit qeveritar. Ministri Haxhinasto tha gjatë fjalës së tij se CEFTA është një mekanizëm i rëndësishëm për rritjen e konkurrueshmërisë, rritjen e eksporteve, dhe për integrimin e ekonomive të rajonit. “Marrëveshja CEFTA 2006 është në themel të saj një marrëveshje tregtare shumë komplekse. Zbatimi i marrëveshjes, tashmë ka hyrë në një fazë të re në të cilën kërkohet shumë ekspertizë, cilësi dhe dinamizëm. Përfundimi i liberalizimit tregtar tregoi se ai nuk është i mjaftueshëm. Eliminimi i tarifave në tregtinë midis vendeve është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë drejt forcimit të konkurrueshmërisë dhe hyrjes në tregje të reja”- u shpreh ministri. Shqipëria si presidente e radhës e marrëveshjes CEFTA dhe e Kompaktit të Investimeve, tha kreu i METE, ka punuar për të krijuar sinergji në drejtim të axhendës së tregtisë dhe të investimeve, e bindur se ato kontribuojnë në një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit, pasi objektivi ynë madhor, është ndërthurja e politikave të hapjes dhe liberalizimit të tregut me politikat për mbrojtjen e investimeve, një domosdoshmëri jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin.