Haxhinasto: 130 milionë dollarë investime në 5 vitet e ardhshme për sigurinë rrugore

444
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto deklaroi se gjatë 5 viteve të fundit do të investohen 130 milionë dollarë për mirëmbajtjen e rrugëve, ç’ka do të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, ku po diskutohet p/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin
“Mirëmbajtje dhe siguri rrugore bazuar në rezultate”, ministri Haxhinasto tha se ky është një projekt që do të zbatohet për herë të parë në vendin tonë dhe se ka një rëndësi të madhe për vet impaktin që ka për ruajtjen e sistemit tonë rrugor.
“Janë 80 milionë dollarë të dhëna nga banka Botërore dhe 50 milionë dollarë nga qeveria shqiptare që do të investohen për të ruajtur rrjetin tonë kombëtare prej 1300 km ku në 20 vitet e fundit është investuar në mënyrë të jashtëzakonshme”, deklaroi Haxhinasto.
Sipas tij, ky investim synon të kthejë sistemin tonë rrugor kombëtar në mirëmbajtje rutinë pasi difektet dhe mungesa e financimit e ka lënë atë sistem në gjendje të mjerueshme. Kreu i MTI-së, po ashtu theksoi se që nga vitit 2014 janë dyfishuar investimet për sigurinë rrugore çka ka ulur me 26 % edhe numrin e aksidenteve fatale. Ai informoi edhe për investime në dy segmente rrugore gjatë këtij viti. Konkretisht tha Haxhinasto do të investohet në segmentin Rrogozhinë-Qafë Thanë dhe segmentin Fushë Krujë- Hani i Hotit.
Sigal