‘Hashim Thaçi po luan me fatin e Kosovës për hir të karrierës së tij’

560
Sigal

‘Plani i Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit për korrigjimin e kufijve midis Serbisë e Kosovës, me mbështetjen e kryeministrit shqiptar Edi Rama, do të rezultojë në një fiasko të vërtetë’.

Kjo është deklarata e Dr. Zijad Beçiroviç, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Mesme (IFIMES), me bazë në Ljubjana të Sllovenisë.

Ai ka folur gjatë një interviste të dhënë për gazetarin Genc Mlloja në Albanian Daily News.

Eksperti për politikën ndërkombëtare beson se më 2019 Kosova do të jetë një nga faktorët kyç për stabilitetin në rajon

‘Vizita e fundit e presidentit rus Vladimir Putin në Beograd tregon qartë synimin për t’i bërë Serbinë dhe Republika Srpska në Bosnjë bazat e bastionet kryesore ruse e për rrjedhojë edhe burimet kryesore të pastabilitetit në rajon’, thotë Beçiroviç. ‘Ideja iracionale e shkëmbimit të territoreve e propozuar nga Aleksandar Vuçiç e Hashim Thaci me mbështetjen e Edi Ramës do të kthehet në fiasko. Edhe pas katër luftërave në rajon me synim ndryshimin e kufijve asnjë nga kufijtë nuk lëvizi qoftë edhe një centimetër. Ata kufij janë formuar si rezultat i Luftës së Dytë botërore dhe i vullnetit të superfuqive’.

Drejtori i IFIMES ndërkaq akuzon Thaçin se po luan me fatin e Kosovës për hir të karrierës së tij. Ai dhe Vuçiç po i bëjnë tërkuzë bisedimet, me shpresën e një administrate të re në BE, pas zgjedhjeve të këtij viti.

‘Bisedimet Beograd-Prishtinë kanë ngecur. Vuçiç e Thaçi po përpiqen ta zgjasin dialogun për të siguruar mbijetesën e tyre politike. Ata shpresojnë se duke e mbajtur dialogun në vend do të mbeten në pushtet deri në zgjedhjet e reja në BE dhe formimin e administratës së re, e cila do t’u japë mundësinë për një fillim të ri. Hashim Thaçi po luan me fatin e shtetit të Kosovës, ndërsa Vuçiç nuk ka asgjë për të humbur. I vetmi që mund të humbë është shteti i Kosovës. Veriu i Kosovës është një parajsë krimi. Sipas disa vlerësimeve, atje fitohen rreth një miliard euro parà të pataksuara përmes krimit. Mund ta merrni me mend fuqinë e atyre që kontrollojnë këtë trafik kriminal parash, dhe ata vijnë nga qarqet e politikës’.