Hashash-buxheti ose testamenti politik i Edi Ramës

539
Sigal

Po të bënim një krahasim në vite, buxhetet e shtetit janë si
vëllezërit, të cilët, sa ngjajnë, aq janë edhe të ndryshëm. Ndaj edhe për këtë
arsye ata mund të pagëzohen me një emër, që i dallon nga njëri-tjetri, në
varësi të peshës, që ka një temë e caktuar në synimet e tyre politike dhe
sociale.

Për shkak të polarizimit të fortë politik në Shqipëri, ne jemi mësuar tashmë me
kontrastet e thella në epitetet që u mvishen buxheteve. Qeveria thotë, fjala
vjen, rilindje, ringritje, shpresë, besim, prosperitet, begati dhe përparim,
ndërsa opozita flet zakonisht për depresion, varfëri, korrupsion, babëzi dhe
dëshpërim. Natyrisht, që ka ekzagjerime nga të dy anët. Por jo thjesht se ne
jemi një vend i varfër, dhe jo vetëm se unë jam deputet I PD, opozita është
shumë më afër të së vërtetës.

Unë nuk do të merrem me analizën e detajuar të buxhetit, sepse jam i sigurt që
do ta bëjnë me shumë profesionalizëm kolegët e mi. Jam i sigurt se ka plot vend
për ta bërë copë dhe rrëzuar një buxhet shqiptar. Por sado keq të jetë konceptuar
dhe shkruar buxheti, që po shqyrtojmë, do të ishte luks nëse ne do të merreshim
sot thjesht me kritikën e tekstit. Sepse unë mendoj se buxheti në vetvete, edhe
më i keqi qoftë ai, është gjithësesi më i pranueshëm se ajo që ndodh me arkën e
shtetit, pasi ai miratohet në parlament.

Masakra e vërtetë vjen gjithmonë kur lukunia e kusarëve të pushtetit i vërsulet
financave të brishta publike, që janë në fakt taksat e shqiptarëve. Dhe sulmi
fillon që më 3 janar, për të mos thënë edhe më shpejt. Ndaj ky buxhet edhe i
mirë po të ishte, do të katandisej si paraardhësit e vet. Do të copëtohej në
koncensione e tendera korruptivë, në abuzime dhe shpenzime luksi, sic ka
ndodhur sidmos në këto tre vjetët e fundit, që kur timonin e ka marrë në duar
Edi Rama.

Por ky duhet te ishte buxheti më i mirë ndoshta i kësaj qeverie, sepse ai
përkon me zgjedhjet, dhe Edi Rama do që t’i fitojë ato me cdo cmim. Do ta bënte
kushdo në fakt, sepse nuk mund të mohohet që askush nuk do që ta lërë me
dëshirë pushtetin. Por nuk është vështirë të konstatohet që ai në fakt është
buxheti i vazhdimësisë së depresionit të kësaj qeverie, që nga 2013-a e deri
tani, sepse nuk shquhet për asgjë të re. Për të mos thënë se ka edhe
prapakthehu, për të mbushur ndonjë gropë të tre buxheteve pararendëse.

Dhe në rast se do ta trajtonim atë si një kulminacion të një mandati politik,
ky buxhet është në fakt konfirmimi i varrosjes së premtimeve të bujshme të tre
vjetëve më parë për shëndetësi dhe legalizime falas, për taksa më të ulëta dhe
përralla të tjera të “Rilindjes”. Ndaj edhe ai është, pa asnjë dyshim,
monumenti më i spikatur i dështimit spektakolar të kësaj mazhorance.

Por edhe pse i përmban të gjitha këto elementë, prapëseprapë ai e meriton një
epitet, qoftë edhe për të mos e ngatërruar me të tjerët. Sipas meje, dokumenti
që kemi përpara mund të quhet pa frikë si buxheti i hashashit, edhe pse kjo
fjalë nuk gjendet në asnjë rresht të tij. Dikush mund të thotë se i paskam rënë
për shkurt, por kjo nuk është e vërtetë. Sepse unë, sic e dini edhe ju, nuk shquhem
shumë si hashasholog. E kam quajtur kështu sepse kam bindjen se kjo qeveri tek
kultivimi dhe trafikimi i kanabisit ka mbështetur gjithë shpresën, jo vetëm për
mbijetesën e saj politike, por edhe atë të ekonomisë kombëtare, prej kohësh në
pikiatë. Dhe kjo sidomos dhe vecanërisht në dy vjetët e fundit. Jam shumë i
sigurt që vitin që vjen, do të jetë një vërshim të pazakontë të mbjelljes dhe
të shitjes së kanabisit, sepse do të jenë zgjedhjet nëpër këmbë dhe nevojat e
mafias së drogës do të jenë më të mëdha.

Është sa naive, aq edhe djallëzore, gjenerimi i parave të pista në ekonominë e
vendit, si mënyrë për ta shpëtuar ekonominë e vendit nga kolapsi. Por tek e
fundit, kjo është kryevepra e vërtetë e kësaj qeverie në këto vite, për të
cilën natyrisht nuk mburret dot publikisht.

Natyrisht, nuk ka një zë në buxhet për hashashin, por një raport I Brukselit
para disa ditësh nënvizonte se prodhimi dhe trafikimi i bimëve narkotike zë 2.7
përqind të të GDP-së kombëtare në Shqipëri. Nuk jam shumë i sigurt nëse kjo gjë
thuhet për Kolumbinë apo Afganistanin, si eksportuese droge me famë botëriore,
që janë, por është jashtë cdo dyshimi se për Europën kjo është një risi, ndërsa
për qeverinë e Edi Ramës një rekord i zi. Do të ishte humor i zi dhe cinizëm
ekstrem që opozita sot t’i kërkonte Edi Ramës që të korrektonte buxhetin, duke
përfshirë në të edhe efektet që sjell industria e kultivimit dhe trafikimit te
kanabisit në Shqipëri. Për shkak se jemi seriozë dhe të shqetësuar, ne nuk kemi
sot një amendament për këtë cështje.

Por është më keq se sa duket, mendoj unë. Edhe pse tingëllon si e
mirëkalkuluar, unë nuk e besoj shifrën që jepet nga raporti i BE. Sepse mendoj
që pesha e këtij aktiviteti kriminal në GDP-në e vendit është më shumë. Sepse
ajo llogari me siguri që është bërë ndoshta duke patur parasysh vetëm sasitë e
kapura, cdo ditë, kryesisht nga policitë e huaja, të cilat janë kolosale. Por
të mos harrojmë se sasi të pamatshme kanabisi dhe drogërash të forta, që nisen
nga Shqipëria, arrijnë të penetrojnë në kufinjtë e BE dhe për to, sigurisht,
nuk ka statistikë.

Unë e di se mafia e drogës, që lundron mbi para të pista, me licencë të
qeverisë, ka buxhetin e saj të madh, që nuk ka asnjë lidhje me këtë që po
diskutojmë ne. Por kam merakun se ajo mund të fyhet po t’i themi se produkti i
saj kriminal zë vetëm 2.7 përqind të GDP-së, sic thotë raporti i Brukselit.

E kam dëgjuar shpesh kryeministrin të irritohet sa herë që
përdoret termi Kolumbia e Europës, me argumentin se nuk mund të qëndrojë ky
krahasim. Sepse, sipas tij, është shumë i rëndë për vendin, një barrë që nuk i
takon ta mbajë. Është afërmendsh që Frontit të së Keqes i janë errur sytë dhe
nuk e shikon dot mrekullinë, që ka ndërtuar në këto tre vjet Edi Rama.

Por unë nuk e mbaj dot dhe po e them, që ne jemi më keq se Kolumbia. E dini
pse? Sepse Qeveria e Bogotasë nuk e kontrollon dot të gjithë territorin e
vendit dhe ajo nuk mban dot përgjegjësi për zonat nën regjimin e FARC-ut. Kurse
Shqipëria nuk e ka këtë problem, ndaj edhe qeveria e saj është përgjegjëse për
cdo centimetër katror, që është vënë në dispozicion të mafias për t’u mbjellë
me drogë.

Kam bindjen se ky e meriton epitetin e vet, edhe sepse është buxheti i fundit i
kësaj qeverie të korruptuar dhe të falimentuar. Dhe jam I sigurt se Edi Rama do
te synojë ta përdorë atë edhe si narkotik për zgjedhësit shqiptarë, që do të
vendosin pas një viti për fatin e tij politik.

Sot që po flasim jemi në gati gjashtëmujorin e fundit të kësaj qeverie. Për
cfarë do të mbahet mend ajo? Kush është suksesi i saj më i madh dhe më i
prekshëm? Asnjë metër rrugë, asnjë investim serioz, pagat në vendnumëro,
pensionet gjithashtu. Kurse hashashi është një sukses i gjithëpranuar,
kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht.

Dje e thonte BBC, gjigandi britanik i informimit të publikut dhe unë e kam të
vështirë të pranoj se edhe ajo është bërë pjesë e Frontit të së Keqes.
“Shqipëria është prodhuesja dhe eksportuesja kryesore e kanabist në Europë”,
thonte dje dhe vazhdon ta publikojë edhe sot reportazhin e saj BBC.

Kjo natyrisht është edhe qeveria e palmave, e dritave, e ngjyrave të ndezura, e
fasadave, e qendrave të qyteteve, që “rilindin”, e vijëzimit të rrugëve, e
stadiumeve, e pishinave dhe e shatërvanëve. Sepse Edi Rama mendon se Shqipëria
nuk është ajo që jeton varfërinë, padrejtësinë dhe dëshpërimin, por ajo që
duket në televizor.

Vetëm një hashash – buxhet mund të vijojë shpërndarjen e taksave të qytetarëve
të vet në koncensione, dhe shërbime gati virtuale, pa bërë asnjë punë që
mbetet. Sepse jam I sigurt që Edi Rama do të vijojë të shajë rrugët tona, sic
ka bërë gjithë këto vite, edhe kur të shkojë në fushatë, në pranverën e
ardhshme. E bëri edhe sot për minuta të tëra. Por sado që diku edhe mund të
jetë tepruar apo mund të jetë bërë edhe ndonjë gabim me to, rrugët e ndërtuara
nën qeverisjen tonë janë aty për t’u shërbyer njerëzve, për të lidhur pjesët e
kombit, qytetet dhe fshatrat tona me njëra-tjetrën.

Ndërsa ky kryeministër, që përmes këtij buxheti na ka sjellë në parlament
testamentin e vet politik, e vetmja gjë për të cilën mund të mburret në këto
katër vjet është shkëlqimi dhe mjerimi i industrisë së hashashit. Ndaj edhe ky
buxhet meriton të refuzohet, sepse vendet demokratike dhe të civilizuara nuk e
pranojnë dot t’u nënshtrohen mafias së drogës.

Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Astrit Patozi. 1 dhjetor 2016