Harta e re 88 vota, mazhoranca “merr” PDIU “humbet” PBDNJ

473
Sigal

TIRANE – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot me 88 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, reformën administrativo-territoriale, për hartën e re me 61 bashki. Ashtu siç ishte paralajmëruar, reforma e shumë diskutuar për ndarjen e re të vendit u miratua me votat e mazhorancës, por pa ate te aleatit Vangjel Dule, ndersa mori 5 votat e deputeteve te PDIU-së, si e vetmja parti opozitare që u bë pjesë e konsensusit për këtë reformë.

Ndërkohë i vetmi që abstenoi në votimin për ndarjen e re territoriale, ishte deputeti i LSI Vangjel Tavo. Edhe të ashtuquajturit 5 ‘rebelë’ të Partisë Socialiste, të cilët kishin shprehur pakënaqësi ditë më parë, ishin të pranishëm në seancë, si dhe kanë dhënë votën e tyre, pro ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit.

Në ditën e fundit të seancës plenare, nuk munguan as debatet për reformën territoriale ku ishte vetë kryeministri i vendit Edi Rama, i cili teksa vlerësoi rëndësinë e kësaj reforme për zhvillimin ekonomike e social të vendit, i dha fund diskutimeve për Himarën, duke theksuar se një çështje e tillë nuk ekziston dhe se Shqipëria gjthmonë e ka respektuar dhe do të vijojë të respektojë minoritetin grek në vend.

“Çështja e Himarës nuk është çështje veçse nëse përdoret për tu keqpërdorur për vite të tëra dhe është ora për ta mbyllur këtë kapitull dhe për të nënvizuar që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi zonat funksionale dhe që garanton integrimin urban, ekonomik dhe social” theksoi Rama

Më herët, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi tha se me ndarjen e re e terriorit të Shqipërisë janë bërë lëshime ndaj zonave minoriate si ansjë vend në Europë, duke shtuar se përfitojnë të gjithë shqiptarët. Kjo deklaratë erdhi në kundërpërgjigje të kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule i cili ripërsëriti edhe në këtë seancë, votën e tij kundër me akuzat se reforma bazohet në elementë elektoralë. Ai tha se vetëm referendumi e zgjidh problemin sipas tij, të bashkimit të Himarës me Vranishtin. Dule, i cili është pjesë e koalicionit mazhoritar, ka deklaruar më herët se nëse kjo reformë miratohet do të dalë nga qeveria.

Pavarësisht bojktotit të shpallur të opozitës, në seancën e fundit të parlamentit për këtë sesion, morën pjesë edhe 6 deputetë nga opozita, kreu demokristian Nard Ndoka dhe 5 deputetët e PDIU-së. Kreu i PDK-së e ka cilësuar jo konsensuale reformen, duke deklaruar qëndrimin për kalimin nga 12 qarqe në 6 rajone. Ai tha se dhe pse pjesmarrës në sallë, bazuar mbi këto argumente, vota e tij do të jetë kundër. Ndërsa Shpëtim Idrizi deklaroi votën pro, duke shënuar partinë e vetme opozitare që e mbështet reformën territoriale.

Pak përpara nisjes së debatit për reformën territoriale në Kuvend, kryeministri Edi Rama shkroi në rrjetin social Facebook se “kjo reformë historike do të riorganizojë Shqipërinë si shtet modern, përmes ndarjes së re administrative”.

Projektligji “Për ndarjen Administrativo – Territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. (shumicë e cilësuar) Duhen të paktën 84 vota pro për miratim.
Në parim: 88 pro
1 kundër
1 abstenim
Nen për nen: Miratohet (vetëm Vangjel Dule abstenim)

Në tërësi:
Kundër 1
Pro 88
1 abstenim

Votimi për amendamentet:
Amendamenti I i Vangjel Dules, nuk miratohet:
1 abstenim (vota e Ilir Metës)
3 vota pro
Të tjerat kundër
Amendamenti II i Vangjel Dules, nuk miratohet
1 abstenim (vota e Ilir Metës)
3 pro
Të tjerat kundër
Amendamenti III i Dules dhe Idrizit, votohet
Asnjë kundër
Asnjë abstenim
Amendamenti IV i Dules, i njëjtë me amendamentin e grupit të deputetëve të PS dhe LSI, votohet
1 abstenim (vota e Shpëtim Idrizit)
Amendamenti V i Vangjel Dules, nuk votohet:
1 abstenim (vota e Ilir Metës)
3 pro
Të tjerat kundër
Votimi për amendamentet e Martos:
Amendamenti I: Livadhjaja të quhet bashkia Finiq, miratohet
1 abstenim (vota e Bashkim Finos)
Të tjerët pro
Amendamenti II: Qendra e bashkisë nga Livadhja të quhet Dyrmysh, miratohet
1 abstenim (vota e Bashkim Finos)
Të tjerët pro

Diskutimet për reformën territoriale

ORA 16:50 Rama: Nuk ka një çështje Himarë, po keqpërdoret, është si gjithë bashkitë e tjera. 
Reforma territoriale dhe diskutimet që ajo ka ngjallur në vend u është bërë pjesë edhe kryeministri Edi Rama në sesionin e fundit parlamentar. Në fjalën e tij, para votimit të kësaj reforme, Rama, teksa vlerësoi rëndësinë ekonomike dhe sociale që ajo sjell, u ndal kryesisht tek çështja e shumëdiskutuar e minoriteteve në Himarë.

Kryeministri i Shqipërisë, tha se Himara është si gjithë bashkitë e tjera ndërsa hodhi poshtë akuzat se shkelet konventa e të drejtave të minoriteteve, duke shtuar se sipas tij nuk ekziston një çështje “Himara” por se diçka e tillë po keqpërdoret.

Rama ripërsëriti se nuk ka asnjë dallim mes minoritetit dhe shqiptarëve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe se Himara është një territor shqiptar ndërsa nënvizoi se edhe historia ndër vite është dëshmitare e kësaj.

“Sigurisht nuk mund t’i shmangem debatit lidhur me minoritetin, dhe si unë dhe Dule kemi respekt për Milon por jemi të bindur se Milo ka më shumë respekt për Eqerem Çabej se veten. Për mua dhe për të gjithë, Himara është njësoj si të gjitha bashkitë e tjera që u krijuan mbi bazën e kritereve që të jenë funksionale dhe fakti që këtu jeton një pjesë e minoritetit grek. Nuk tregon asgjë veçse detyrimin për të repsketuar minoritetin. Po rikthehem tek Çabej i cili në 1936 punonte si inspektor në arsim dhe im atë kishte ca telashe që çuditërisht historia flet se i kishte me një Bollano. Dhe Ministria e Arsimit nis Çabejn për të inspektuar dhe ai harton një dokument. Ai shkruan: Himara në tërësinë e saj ka qenë dhe është një krahinë shqiptare ku në disa zona sundojnë disa karakteristika më shumë se në krahina të tjera. Për to flasin këngët e vajtimet e tyre që janë shqip, traditat e tyre. Ata e dinë se janë një fis me lebërit e Vlorës. Ky qështë Çabej në ‘36 dhe për t’i dhënë fund barsaletave të javëve të fundit dua t’ju sjell një fakt tjetër të kryepleqve të Himarës që i janë drejtuar Papës së Romës për ndihmë. Himariotët nënshkruajnë përfshirjen e tyre me Vlorën. Letrat origjinale janë në Vatikan. Kështu që çështja e Himarës nuk është çështje veçse nëse përdoret për tu keqpërdorur për vite të tëra dhe është ora për ta mbyllur këtë kapitull dhe për të nënvizuar që Himara është një nga 58 bashkitë e reja të ngritura mbi zonat funksionale dhe që garanton integrimin urban, ekonomik dhe social dhe nga ana tjetër dua të rikthehem tek shprehja e krenarisë së ministrit Çuçi.” theksoi në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama

“Krenar që jam kryeministër, jepet e drejta vendit për të mos u përulur para askujt”
Duke vijuar më tej, Rama theksoi se është krenar që është kryeministër i Shqipërisë në një ditë të një reforme kaq të rëndësishme për vendin, duke shtuar se reforma territoriale është në respektim të të gjitha konventave evropiane dhe një shembull për të gjithë fqinjët.

Sipas tij sot vendit i jepet e drejta për të mos u përulur para askujt

“Pikërisht se kjo reformë sanksionon diçka që është përtej konventës së të drejtave të minoriteteve të vendeve që ende nuk e kanë ratifikuar. Dhe unë jam krenar që jam kryeministër në ditën që votohet kjo reformë sepse kjo është Shqipëria jonë dhe i jep të drejtën të mos përulet me nënshtrim para askujt, duke dhënë një shembull të bukur për Greqinë motër dhe për të gjithë të tjerët dhe për të pozicionuar Shqipërinë me forcën e shembullit dhe jo me shembullin e forcës. Nëse dikush do të na jepte një shembull të ngjashëm në të gjithë Evropën, sigurisht që ne nuk do të ndiheshim të vetëm në këtë akt fqinjësie të mirë dhe dashurie të vjetër e të re për fqinjët tanë.” nënvizoi Rama

“PD t’i japë fund bojkotit, po kthehet në komedi” 
Rama u ndal edhe tek mungesa e opozitës për gjetjen e një konsensusi për këtë reformë. Ai tha se fakti që territorialja miratohet në ditën e fundit të sesionit parlamentar vjen për shkak të pritjes së PD nga ana e mazhorancës për tu ulur së bashku në një tryezë diskutimi për këtë çështje.

Rama i bëri thirrje opozitës t’i japë fund bojkotit pasi sipas tij kjo çështje po kthehet në një komedi.

“Dy fjalë për opozitën që sot vijon mungesën por që dua t’ju them se nëse kjo reformë historike diskutohet sot në ditën e fundit, kjo nuk vjen se u vonuam ne, por pritëm ata. Kjo jo se vepruam me forcën e kartonit, por hezituam të ngrinim kartonin. Kjo jo se nuk duam të flisnim por se opozita hezitoi të flasë. Unë nuk di se çduhet bërë më shumë me këtë opozitë, që refuzon të flasë edhe kur si asnjëherë ne shkojmë aty ku opozita diskuton, jashtë parlamentit dhe sërish asgjë. Kam një përshtypje që mendojnë se bojkoti funksionon dhe se historia mund të përsëritet, dhe kur përsëritet kthehet në komedi, dhe kjo është një komedi se opozita nuk ka kauzë. Ka mbetur akoma tek shkulja e veshit ndërkohë që ne do të donim edhe opozitën për të shkulur një sistem kanceroz të administrimit të vendit që e ka gërryer Shqipërinë në të gjithë territorin.” tha Rama

Fino: Falenderoj Nishanin për heshtjen dhe Bashën për mbështetjen shpirtërore
Ora 16:27 
Kryetari i komisionit të Reformës administrative territoriale ka shprehur vlerësimet për reformën territoriale dhe për zhvillimin që merr vendi përmes kësaj reforme. Fino ka folur edhe për konsensusin e munguar me opozitën pavarësisht mundësive dhe realizimit sipas tij të çdo kërkese të bërë nga ana e tyre duke krijuar edhe komisionin e posaçëm. Në përfundim të fjalës së tij Fino ka falënderuar edhe Nishanin për heshtjen e tij dhe për Bashën për mbështetjen e dhenë për reformën pavarësisht se nuk është vënë në praktikë.

“Me ndarjen e vjetër territoriale, shumë nga komunat shërbenin për të marrë rrogat krerët e komunave. Në shtator premtuam një reformë të thellë territoriale duke i dhënë fund fragmentizimit të pushtetit lokal. Në të gjitha raportet ndërkombëtare na është rekomanduar domosdoshmëria e re formës territorial.  Mazhoranca ka përpara një opozitë penguese mosbashkëpunuese për projektet madhore. Qeveria u tërhoq duke krijuar komisionin e posaçëm, por opozita që e kërkonte këtë komision shpalli bojkotin. Thirrjeve iu përgjigjën me një mur shurdhërie të pakalueshëm. Janë angazhuar 8 dëgjesa publike me përfaqësues të njësive lokale. Në muajt qershor-korrik janë realizuar konsulta në të gjithë territorin e vendit. Me kënaqësi se rezultatet e konsultave publike janë mëse të kënaqshme. Mbi 60% mbështesin reformën administrative territoriale. Njësitë vendore të opozitës thyen bojkotin duke shprehur mendimin e tyre.E qartë se njësitë vendore janë pro reformës. Këto reforma nuk mund të kënaqin 100% të popullit, por në bazë të kushteve kjo është harta më e mirë e vendit dhe i hap rrugë decentralizimit. Falënderoj kreun e Kuvendit, Meta, për mbështetjen pa kushte. Falenderoj anëtarët e komisionit për seriozitetin e treguar. Nuk mund të rri pa falënderuar PDIU, që gjeti kurajën për t’u bërë pjesë e reformës. Komisioni ishte një mundësi më shumë për të kuptuar se edhe kur jemi të gjithë dakord do të gjejmë. Falenderoj Nishanin për heshtjen e tij dhe Bashën për mbështetjen me shpirt, por në pamundësi për ta mbështetur praktikisht.”- tha Bashkim Fino.

Petrit Vasili: Përdorëm gjithçka për një bashkëpunim me opozitë, por atyre u duhej një alibi
Ora 16:17 
Për kryetarin e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili është e qartë se opozita nuk donte të merrte pjesë në kryereformë, siç e cilëson ai. Lidhur me pakënaqësitë e shprehur Vasili shton se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.

“Konsiderohet me të drejtë kryereformë pasi larmia e ndërhyrjes e bëjnë që të jetë e tillë. Ky proces duhet të nënvizojë një proces nga më të suksesshmit. Kjo mbështetje ka mbështetje të shumtë dhe reagues të plotë. Bëmë gjithçka mundëm për krijimin e një konsensusi, por patëm refuzim nga pala tjetër. Komisioni operoi në disa kritere që bashkë ndante edhe opozita. Nuk u prodhua një variant i vetëm, por 5 të tilla. E qartë që opozita nuk donte të merrte pjesë, pasi donte të krijonte një alibi. Decentralizimi do jetë një reformë pas ndarjes së re territoriale. Jemi të qetë pasi kemi përdorur çdo instrument për bashkëpunim me opozitën. Reforma ka pasur pakënaqësia dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe.  Ka pasur edhe një debat të madh për Himarën. Varianti i ruajtjes së Himarës ashtu siç ishte, është i papranueshëm. Dëgjuam me vëmendje 2 variantet e tjera të cilët ishin të pranueshëm. Madhësia e reformës nuk mund të zbehet dhe as mund të zhbëhet. Impenjim madhor për të vijuar me reformën e decentralizimit. Gjithçka e mirë për këtë reformë nuk do vonojë të vijë. “-tha Petrit Vasili.


Peleshi: Opozita bëri zgjedhjen e vet, Harta e re na jep mundësi për plane zhvillimi
Ora 16:05
 Sipas zëvendëskryeministrit Peleshi pavarësisht mundësive që iu është ofruar opozitës për konsensus ajo e ka bërë zgjedhjen e vet duke mos marrë pjesë në reformë.BE mbështet zhvillimet rajonale, jemi duke përgatitur struktura që i përgjigjen BE-së. Harta e re na jep mundësinë për plane rajonale zhvillimi dhe modernizimi.”-tha zv/kryeministri Peleshi. 244 milionë dollarë mund të kursehen në 4 vite me reformën e re sipas Peleshit, të ardhura të cilat do të shkojnë për zhvillimin e njësive vendore.

“Opozita bëri zgjedhjen e vet, ne shprehim keqardhje. Reforma duhet të jetë e tillë që të mundësojë investime të nevojshme.  Ndarja e re sjell shërbime më të mira. 70% e komunave kanë më pak se 5000 banore. Për 4 vite ne do të kursejmë 244 milionë dollarë dhe mund të ndërtohen 2000 ujësjellësa, landfille për mbetje urbane etj. Bashkitë do të kenë kapacitete të mjaftueshme ekonomike për të rritur efiçencën e tyre. Për pjesën më të madhe të njësive vendore ka qenë e pamundur për të dhënë shërbime. Në shumë komuna mbetjet hidhen në shtratin e lumenjve.  Brenda 4 viteve të mandateve të para të bashkive të reja, nga të ardhurat që përfitohen mund të rehabilitohet e gjithë struktura shkollore në të gjithë Shqipërinë. Në 1 vit zgjidhet problemi i  mbetjeve urbane. Ujësjellës-kanalizimet  që kanë vetëm një njësi vendore janë shumë më tepër efiçente se sa ato që mbulojnë disa. Shumë njësi vendore nuk kanë investuar asnjë gjatë vitit 2012. Janë 73 projekte që po transformojnë qendrat e bashkive dhe komunave. Në komunat që kanë më pak se 1000 banorë. Zhvillimi i territorit në 20 vite shembulli i një zhvillimi të paqëndrueshëm. Sot jemi në kufijtë e një emergjence kombëtare të ndërtimeve pa leje. Nuk mund të flitet për zgjedhje të lira në shumë komuna, dominon votimi fisnor. BE mbështet zhvillimet rajonale, jemi duke përgatitur struktura që i përgjigjen BE-së. Harta e re na jep mundësinë për plane rajonale zhvillimi dhe modernizimi.”-tha zv/kryeministri Peleshi. – See more at: http://www.shqiptarja.com/home/1/-harta-e-re-88-vota-mazhoranca-merr-pdiu-humbet-pbdnj-230182.html#sthash.GKhQBpkZ.dpuf