Haradinaj në Tiranë me Metën e Ramën, merr pasaportën shqiptare

576
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi dje Tiranën, ku u pajis edhe me pasaportën shqiptare. “Vitin e kaluar, gjatë periudhës së qëndrimit tim në Strasburg, me dekret të posaçëm nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, na është dhënë shtetësia shqiptare, mua dhe bashkëshortes sime, Anitës. E falënderoj shtetin shqiptar dhe e kam për nder të jashtëzakonshëm, që u pajisa me pasaportën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Haradinaj. Shefi i qeverisë së Kosovës u takua edhe me presidentin e Republikës, Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama. Gjatë takimit Meta-Haradinaj është diskutuar për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri. “Ndihma e Shqipërisë është e pazëvendësueshme për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës”, u shpreh Haradinaj. Ndërkohë në takimin e tij me Ramën janë trajtuar temat me interes nacional dhe zhvillimor për Kosovën dhe Shqipërinë. “Në kuadër të takimit, biseduam edhe për zhvillimet politike në rajon dhe për aktivitetet që do të organizohen në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Sigal