Haradinaj-Limaj vs Thaçi-Rama. Meta në mes, Vuçiç anash. Amerikanët kudo

Gazetarët e Prishtinës kishin filluar të pyesnin se përse po vjen Ilir Meta kaq shpesh në Kosovë, pas një vizitë të shpejtë në fund të janarit. Pyetje që më së shumti vinte nga ajo pjesë e shtypit të Prishtinës që e servirin Edi Ramën si liderin e rajonit e që bash Vuçiç është inferior ndaj tij. Ilir Meta kishte zbritur në "Swiss" i pashoqëruar nga askush për të konsumuar një kafe me mikun e tij Fatmir Limaj. Ky i fundit një njohës dhe nuhatës brilant i asaj se çfarë po ndodhte në Kosovë Janarin e ftohtë.

Limaj duke se kishte marrë përsipër ta këshillonte më së miri mikun dhe shefin e tij në qeveri, kryeministrin Ramush Haradinaj. Ky i fundit kishte qenë drejtë një rrëshqitje në seancën në tentativë për të shfuqizuar specialen vetëm tre orë pasi kuvendi kishte mbyllur punimet për vitin 2017. Një garanci, siç duket edhe kërkesë e Presidentit Thaçi për të zhbërë specialen, kishte bërë që qeveria e Kosovës të bëhej gati për të bërë kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Seancë e cila në raste se mblidhej i kishte votat për të zhbërë këtë gjykatë të miratuar nga vetë Kuvendi.

Problemi ishte se kush e propozonte këtë seancë. Dhe këtu ishte edhe këshilla e Limajt prej miku dhe respekti ndaj shefit të vet në qeveri Haradinaj. "Jo qeveria, por Presidenti ta thërrasë seancën dhe të kërkojë shfuqizimin e speciales". Por Thaçi që kishte menduar që të gjithë këtë aksion ta bënte me duart e të tjerëve nuk kishte pranuar të ishte ai propozuesi, por kishte premtuar të ishte dekretuesi i shfuqizimit. Në këtë moment Ramush Haradinaj ishte tërhequr edhe duke dyshuar se këtë votim të Kuvendit për shfuqizimin e speciales, Presidenti Thaçi mund ta mbante në dorë për të bërë pazar personal me faktorin ndërkombëtar, duke bërë atë që di të bëjë më mirë.

E gjithë kjo parantezë për të treguar se vetëm Fatmir Limaj mund të ndërmerrte guximin të kërkonte ndërmjetës edhe privatisht për të negociuar me palën malalazeze për një marrëveshje që kënaqte të dy palët. Mësohet se Limaj i ka kërkuar Presidentit shqiptar që të ndërmjetësonte me Gjukanoviç dhe kryeministrin malazez për një takim jo zyrtar ku të diskutohej se si ngërçi të mos kthehej në krizë. Koha tregoi që jo mjegulla në aeroport por mjegulla në vendimmarrjen e Prishtinës ka bërë që kryeministri malazez të mos zbres në Prishtinë por të ftoj për një drekë Presidentin Meta e më pas vetë Fatmir Limajn me miratimin e Hashim Thaçit të udhëtonte drejt Podgoricës për të arritur deri tek marrëveshja.

"Lideri global" është ndjerë i parëndësishëm tashmë që Prishtina kishte zgjidhur ngërçin që po e mbante larg liberalizimit të vizave, Presidenti Thaçi është ndjerë si pjesë e delagacionit të Ramush Haradianj në Washington, e madje ndryshe nga ky i fundit nuk ka marrë kureshtjen e Presidentit Trump për ta parë se kush është kur ju thirr emri në mëngjesin e lutjeve. Jo vetëm kaq, por kryeministri Haradinaj dhe jo Presidenti Thaçi është pritur në takim nga shefi i CIA gjatë vizitës në Washington DC.

Vimë tek ajo çfarë ndodhi mbrëmë në Prishtinë. I gjendur i parëndësishëm në zgjidhjen e ngërçit me Malin e Zi, dhe aq më tepër kur protagonistë kishte qenë Ilir Meta, kryeministri Rama ka guxuar ta konsiderojë problemin një shpikje të Ramush Haradinaj, kur nuk kishte problem. E si rrjedhojë nuk ka pas as zgjidhje. Pra, "Lideri i Rajonit" nuk është përjashtuar nga zgjidhja por nuk kam pasur problem përveç një tekë të Ramush Haradinajt. Ky i fundit, dje në mbrëmje nuk u soll si mikpritës por si kryeministër i Kosovës, fiks funksionin që qytetarët e Kosovës i kanë besuar. Dhe ju përgjigj Edi Ramës bash si kryeministri i Kosovës, duke e detyruar edhe me këshillën e Baton Haxhiut ti shkonte në shtëpi për të zhbërë skandalin që vetë kishte krijuar.

Edi Rama u thirr nga Batoni i tij për të "vënë vetullat e nxori sytë".

Kjo ishte ajo çfarë ndodhi mbrëmë. Por para se ta mbyllim këtë vëzhgim ku marrim përsipër vërtetësinë e çdo fakti të përmendur, duhet ti rikthehemi edhe një herë seancës së dështuar për shfuqizimin e speciales, për t’iu sjell një fakt qytetarëve të Kosovës, fakt që ata do të ndjehen të sigurtë në të ardhmen e tyre. SHBA e kanë investim të tyrin shtetin e Kosovës, dhe për asnjë rast nuk do ti lënë gjërat në rënie të lirë apo në dorë të vullnetit të politikanëve që kanë frikë nga përballja me drejtësinë. Prandaj natën e seancës së dështuar, Kuvendi i Kosovës ka qenë i "pushtuar" nga marinsat amerikanë për të paketuar për në bazën e tyre ushtarake të gjithë politikanët e dyshuar për krime post/lufte.