Hapet bulevardi “Migjeni” në Kashar, lidh Unazën e Re me Yzberishtin, Veliaj: Mos ngatërroni punët e qytetit me partinë

239

U hap sot bulevardi “Migjeni” në Kashar, që lidh Unazën e Re me rrugën “Tre Dëshmorët” dhe Yzberishtin.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, siguruan se investimet në këtë zonë do të vijojnë.

Tirana mbush 100 vjeç këtë vit dhe festimet do të nisin në shkurt. Disa e kanë harruar se qeveria, për të kryer transferimin e Tiranës në kryeqytet, u takua me kryetarin e bashkisë të atëhershëm jo te sheshi “Skënderbej”, as në Laprakë, as te 21-shi, por në Kashar. Pra, stacioni i parë ku stafeta i kaloi Tiranës si kryeqytet, ka qenë Kashari, ndaj nuk besoj se ka mënyrë më të mirë për të kujtuar 100 vjetorin e shpalljes kryeqytet, sesa me hapjen e bulevardit të ri të Kasharit, i cili mban emrin e poetit të madh Migjeni”, deklaroi ai.

Duke sjellë në vëmendje bllokimin tek zona e Astirit, ai iu drejtua me një mesazh opozitës, duke theksuar se punët e politikës nuk duhen ngatërruar kurrsesi me ato të qytetit. “Ky është një segment që bie pingul me Unazën e Madhe të Astirit. Le të bëjmë një krahasim: si u punua këtu dhe si nuk punuam dot tek zona e Astirit. Pra, puna ecën kur ka bashkëpunim, kur ka dashamirësi, kur nuk e ngatërrojmë politikën me asfaltin, kur nuk e ngatërrojmë partinë me ndriçimin, kur nuk e ngatërrojmë sherrin e ditës me infrastrukturën rrugore, nga e cila përfitojnë fëmijët tanë. Ndaj, ftesa ime për të gjithë ata që deri dje e kanë penguar Unazën e Madhe është: mos e ngatërroni politikën me fatin e kalamajve. Politikanët shkojnë e vijnë, zgjedhje do ketë gjithmonë, por të ngatërrosh rrugën me punët e partisë, do të thotë të dëmtosh me duart e tua fatin e familjes tënde”, deklaroi kryebashkiaku.

Sipas Veliaj, bulevardi “Migjeni” ka filluar t’i japë një impuls të ri ekonomisë së gjithë zonës.

Kur kemi qenë këtu herën e parë, asnjë nga dyqanet nuk ishte shitur. Sot dikush ka bërë një biznes, dikush një kafe, dikush ka hapur një zyrë, dikush një sipërmarrje, një punishte të vogël, dikush një bukëpjekës apo pastiçeri, por secili prej tyre paguan qira, taksa, janë punësuar minimalisht nga 3-4 vetë në punishtet e vogla deri në 50-60 veta në zyrat më të mëdha. E gjitha është një ekonomi që nuk e kishim, e në vend të saj ishte një baltovinë. Ndaj, jam sot shumë krenar”, u shpreh Veliaj.

Bulevardi i Kasharit ka dy korsi për secilin kah lëvizjeje, korsi biçikletash dhe rrugë për këmbësorët. Ndërkaq, në këtë bulevard, janë të përcaktuara edhe zonat për gjelbërim, sistemi i ndriçimit, vijëzimet etj.