Halimi-Kuçi: “Një komb, një legjislacion”, shenjë e vullnetit të hekurt për të luftuar krimin

516
Sigal

ZYRTARE/Nënshkruhen tre marrëveshje në fushën e bashkëpunimit ndërgjyqësor midis dy vendeve

Së shpejti do të fillojë puna për nismën e përbashkët “Një komb, një legjislacion”  që parashikon përafrimin e legjislacionit, duke u bazuar në traditën kombëtare, juridike dhe aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në BE Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Këto dy vende kanë thëlluar marrëdhëniet në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar. Ky thëllim bashkëpunimi u bë gjatë një takimi të zhvilluar dje në Tiranë në mes Ministrit të Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, z.Eduard Halimi dhe zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr.Hajredin Kuçi, të cilët nënshkruan marrëveshje të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështje penale – ekstradim, transferim të personave të dënuar dhe ndihmë të ndërsjellë juridike. Pas nënshkrimit të dy ministrat thanë së këto marrëveshje pritet të fuqizojnë akoma më shumë raportin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve për të luftuar së bashku kriminalitetin ndër-shtetëror, si dhe do të lehtësojnë punën e sistemit gjyqësor. Në fjalën e tij Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi theksoi se, “Finalizimi  i këtyre  marrëveshjeve, të cilat janë hartuar sipas modelit të marrëveshjeve që Shqipëria ka me Italinë dhe Shtetet e  Bashkuara të Amerikës, dëshmon  vullnetin  e hekurt  të dy palëve që krimi kudo që të ndodh  duhet të marrë të njëjtin ndëshkim. Tre marrëveshjet,  të cilat  u nënshkruan sot vetëm pak ditë para nisjes së festimeve për 100- vjetorin e Pavarësisë së kombit shqiptar, ministri i cilësoi  jo vetëm simbolike, por  edhe një shenjë  e vullnetit të hekurt që të dy palët kanë  për të bashkëpunuar kundër krimit të organizuar në të dyja anët e kufirit. Të dy ministrat ranë dakord për krijimin e grupeve punuese për përafrimin e legjislacionit, duke u bazuar në traditën kombëtare, juridike dhe aspiratat e dy vendeve për anëtarësim në BE. “Ne kemi diskutuar një nismë të përbashkët të ndërmarrë në kuadër të 100 -vjetorit të Pavarësisë së kombit shqiptar. Muajin e ardhshëm do të ngremë  një grup pune të përbashkët që do të punojë për ndërtimin e legjislacionit sipas standardeve evropiane me nismën ” Një komb, një legjislacion” duke ndërtuar dhe përafruar dy legjislacionet sipas standardeve evropiane. Kombi ynë kudo që ndodhet ka një aspiratë dhe kjo është aspirata europine,- tha Ministri Halimi për mediat. Nëpërmjet nënshkrimit të këtyre tre marrëveshjeve, të dy institucionet homologe të drejtësisë shprehin qëndrimin se nënshkrimi i tyre krijon mundësi më të mira për Republikën e Kosovës për njohjen e saj në arenën ndërkombëtare si shtet palë me të drejta e detyrime të plota dhe vlerësimin e saj si një partnere e fuqishme në konsolidimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit gjyqësor në luftën kundër fenomeneve të krimit të organizuar ndërkombëtar Zëvendëskryeministri dhe Ministri të Drejtësisë së Republikës së Kosovës,  Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ndodhet në Tiranë prej dy ditësh për marrë pjesë edhe në takimin e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Ballkanit  dhe BE-në, që po zhvillohet në Tiranë, në të cilin është theksuar forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian në luftën kundër trafikut të armëve dhe qenieve njerëzore, si dhe korrupsionit.