Halimi akuza të forta maxhorancës: Deputetët të vishen si të duan, por të zhvishen nga lidhjet me krimin

594
Mbledhja e Këshillit të Rregullores së Mandateve është shoqëruar me debate mes përfaqësuesve të opozitës dhe maxhorancës.
Gjatë fjalës së tij deputeti i PD-së Eduard Halimi lëshoi akuza të forta për PS-në, ndërsa theksoi se Kuvendi është mbushur me deputetë me rekorde kriminale. Kjo deklaratë e Halimit vjen fill pas akuzave që opozita i drejtoi ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, njëherësh deputet i PS-së, pas arrestimit të Moisi Habilajt në Itali për trafik droge.
“Parlamenti sot ka në përbërje të tij deputetë me rekorde të tmerrshme kriminale, deputetë që janë zgjedhur me paratë dhe suportin e krimit, deputetë që kanë lidhje familjare me krimin e organizuar, deputetë që kanë lidhje personale me kriminelë, deputetë që kanë përfituar tendera dhe koncesione personalisht apo nëpërmjet familjareve të tyre. Nuk është shqetësimi jonë se si vishen deputetët. Të vishen si të duan por e rëndësishme është të zhvishem nga lidhjet me krimin, nga përfitimi i tenderave nga deputet.”, tha Halimi.
Fill pas mbledhjes së Komisionit të Rregullores, Halimi deklaroi për gazetarët se duhet të miratohet një Kod Etik për pastrimin e parlamentit nga kodet kriminale.
“Nuk kanë çështje kodi, nuk ka çështje që ka të bëjë me ndëshkime. Deputeti nuk duhet të fshihet pas imunitetit. Deputeti që duhet të shkojë para drejtësisë, këto mekanizma nuk e çojnë para drejtësisë. Mjafton fakti që një deputet ka lidhje familjare me botën e krimit, janë njerëz të dënuar për trafik droge, ai duhet të largohet. Në realitetin që ndodhet sot Kuvend, duhet tu jepet zgjidhje. Ndaj duhet të jetë një institucion. Kodi i Etikës duhet të jetë një tërësi rregullash, që të pastrojë parlamentin nga persona të lidhur me krimin, por edhe për çështje të etikës. Maxhoranca e sotme ka fshehur të dhënat për deputetë që duhet të shkojnë para drejtësisë, siç janë edhe kërkesat për ekstradim nga Interpoli”, tha Halimi.
Këshilli i Rregullores ra dakord që të ngrihet një grup politik brenda 2 javësh që të sjellin amendimet tek grupi i punës. Grupi përbehet nga 3 anëtarë; një nga PD, një nga LSI dhe një nga PS. Ndërkohë, në parim anëtarët e Komisionit u shprehen dakord se duhet kodi, i cili sipas tyre duhet të riformulohet.
Sigal