Halim Kosova: Spital bashkiak për qytetarët e Tiranës

517
Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova, takohet me banorët e Laprakës. Kosova angazhohet për menaxhim të drejtë dhe të fortë të financave dhe të administratës. “Kush cënon dinjitetin e qytetarëve, kush abuzon me ju, do të jetë larg meje”
Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova u takua dje me banorë të Laprakës dëgjoi shqetësimet e tyre dhe dhe ndau me ta idetë për drejtimin e qytetit. Kosova u foli qytetarëve për idenë e tij për ngritjen e një spitali bashkiak.
“Ideja ime është që në ndihmë të qytetarëve të Tiranës, Bashkia e ardhshme e Tiranës të ketë spitalin e saj Bashkiak që me menaxhimin dhe me syrin e vëmendjen time do të krijojë një model, ashtu sikurse edhe në detyrat e mia të mëparshme, që jo vetëm do ndihmojë të gjithë shtresat në nevojë dhe jo në nevojë që ka Tirana, për një shërbim që ata meritojnë, por do t’i bëjmë edhe një konkurencë dinjitoze sistemit shëndetësor të propozuar nga qeveria dhe t’i themi që ky vend ka mundësi të ofrojë shembuj pozitiv dhe merreni kopjojeni dhe çojeni në çdo qytet në mënyrë që këtë shërbim shëndetësor që Tirana nesër do të ketë pse mos e kenë të gjithë qytetarët kudo që banojnë”, tha Kosova.
Duke u ndalur tek përvoja e tij menaxheriale, Kosova tha se do të garantojë transparencë.
“Mu në mes të Tiranës do vendos një tabelë të madhe, ku në mënyrë transparente, çdo qytetar të shohë se ku ikin lekët e taksave, si shpërndahen ato, kush paguan e kush jo. Vetëm atëherë lekët do vijnë t’ju kthehen juve në të mira për ju, për familjen dhe për gjithë qytetin”, u shpreh Kosova.
“Partia Demokratike për tetë vjet ka punuar vepra të mëdha si Rruga e Kombit, Tuneli i Elbasanit, boshti i jugut në përfundim, me mijëra kilometra rrugë. Çfarë e dëmtoi Partinë Demokratike? E dëmtoi administrata, nuk qe në shërbimin e duhur të popullit. Duhet t’i kërkosh hesap administratës sepse administrata e bën punën dhe ne e duam në punë administratën”, është kërkesa e një qytetari.
“Njerëzit me meritë, njerëzit të përkushtuar, njerëzit që do ndjekin hapin tim do jenë bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë. Për asnjë tjetër që ju ka cënuar dinjitetin, që ju ka penguar, që ju ka ofenduar, që ju ka prishur diçka aty ku jetoni, nuk ka se si kurrë të jetë pas meje, të jetë pranë meje”, deklaroi Kosova.
Duke bërë një koment për kundërshtarët, Kosova tha se:
“Kanë filluar të shumëfishojnë zyrat si asnjëherë më parë. Kujtojnë se sa më shumë flamujë dhe sa më shumë parrulla të ketë aq më e afërt është fitorja. Kurse unë them aq më i madh është abuzimi që ata kanë bërë. Kurrë nuk mund të jenë në avantazh ata që për dy vjet kanë bërë atë dëm qytetarëve të Tiranës që kurrë ndonjëherë nuk e kam parë për 23, 24 vjet demokraci”.
Sigal