Hajro Limaj: Kosova i dorëzon Erdoganit shqiptarin Mustafa Erden

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia kosovare ka arrestuar 6 drejtues të kolegjeve turke në Kosovë. I vetmi shkak është se ata punojnë në institucionet arsimore me udhëheqës shpirtëror Fetullah Gylen, ish-miku i ngushtë i presidentit të Turqisë Erdogan dhe mbas të ashtuquajturit “grusht shteti”. Në krye të këtyre shkollave në Kosovë ishte doktori i shkencave, Mustafa Erden, i cili pasi ka punuar 13 vjet në Shqipëri, drejtor kolegji dhe kancelar i universitetit “Epoka”, mori shtetësinë shqiptare familjarisht. Me emërimin e tij në Kosovë si drejtor i përgjithshëm të institucioneve arsimore turke, ai mori lejen e qëndrimit si qytetar shqiptar me pasaportën që disponon. Me operacionin e fshehtë dhe të kundërligjshëm që u bë në Kosovë, ai është arrestuar së bashku me 5 kolegë të tij mësimdhënës dhe pa kaluar fare në institucionet e drejtësisë kosovare, me avion special të SHIK-ut të Erdoganit, u dërguan dhe u burgosën në Turqi, duke lënë prapa familjet e tyre. Për këtë veprimtari të kundërligjshme kanë reaguar kryeministri i Kosovës Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit Veseli. Ky i fundit akuzon dhe ngarkon me përgjegjësi presidentin Thaçi. Të gjitha vendet perëndimore, OKB dhe Amerika, nuk e kanë pranuar kurrë që personeli dhe drejtuesit e këtyre shkollave në 140 vende të botës të jenë pjesë e organizatës terroriste FETO, siç e ka emërtuar Erdogani. Bile Gjermania ka dalë në mbrojtje të tyre dhe shumicës u ka dhënë strehim politik. Me këtë qëndrim, Kosova tregoi se nuk është shtet funksional dhe Erdogani goditi rëndë të ardhmen e saj. Kosova pretendon Evropën dhe NATO-n, të cilat vitet e fundit janë kundër politikave totalitare dhe agresive të Erdoganit, i cili ka arrestuar me dhjetëra mijë kundërshtarë politik; ka 13 deputetë në burg, mbi 163 gazetarë në burg dhe 7800 kolonelë e gjeneralë, profesorë e shkencëtarë. Erdogani aktualisht është problem botëror. Me Amerikën dhe Bashkimin Evropian i ka çuar marrëdhëniet në krizën më të rëndë të politikës turke dhe është bërë aleate e Rusisë dhe Iranit. Ka pushtuar hapësirat veriore të Sirisë dhe tani ka hyrë në Irak. Me Greqinë kërkon ndryshimin e kufijve, duke hedhur poshtë Marrëveshjen e Lozanës. Ç’do të thotë Shqipëria që qytetarin e saj Kosova ia dorëzoi Erdoganit për ta persekutuar?!