Hajdarmataj/ Shteti nuk ekziston në Tropojë, varfëria ka shkuar në skaj

40
Deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj, vizitoi familjet në nevojë të fshatrave, Bujan, Margegaj, Kërnajë, Llugan dhe Komuna Tropojë. Ajo tha se gjendja e shumë famijeve tropojane është në një mjerim të paimagjinueshëm, ndërkohë që një pjesë e tyre jetojnë dhe në banesa të dëmtuara rëndë. Në familjen Toska, ku është djegur banesa dhe jetojnë në një dhomë, në varfëri 10 anëtarët e saj, kryefamiljari, Agimi shprehet se nuk ka marrë as edhe mbështetjen më të vogël nga emergjencat civile. Në familje të tjera, deputetja Hajdarmataj u përball me dëshpërimin e kryefamiljareve , të divorcuara ose me bashkëshortë që kanë humbur jetën, të cilat përballojnë rritjen e fëmijëve, në kushtet e të papunësisë dhe pa asistencë sociale. Deputetja Hajdarmataj tha se vazhdimisht i bën apelit Shërbimit Social dhe Emergjencave civile për të ardhur dhe për të parë nga afër skamjen ekstreme të qindra familjeve në fshatrat e Tropojës, por dhe brenda në qytetin e Bajram Currit. “Këtu shteti është prezent vetëm përmes ekraneve televizive. Bashkia ka fonde të parëpfillshme për ti ardhur në ndihmë një kategorie të madhe të njerëzve të varfër në Tropojës. Me reformën territoriale, pushteti lokal jo vetëm nuk ka fituar pavarësinë por i janë cunguar edhe më shumë fondet nga qeverisja qendore”, tha Hajdarmataj. “Në Tropojë në mbi 2 vite e gjysëm qeveria nuk ka asnjë nisëm apo program konkret për të ulur varfërinë dhe mungesën e shpresës. Ministritë e Çështjeve Sociale dhe të Arsimit flasin për shkolla profesionale dhe punësim në profesione të lira, por Tropoja nuk ka as edhe një punishte fasonësh, agrobiznesi, apo industri minerare që të punësojë të rinj, burra dhe gratë. Ndërkohë çmimet e larta të energjisë dhe taksat e kanë bërë të pamundur ekzistencën e bizneseve në Veri dhe Verilindje të vendit”, shtoi Hajdarmataj. Me mbështetjen e Fondacionit të Katarit u shpërndanë pako ushqimesh tek afro 100 familje në varferi të plotë, mes të cilëve dhe të moshuarve në vetmi.