Hajdari, nuk dorëzoi mandatin, demokratët e largojnë

546
Sigal

PD përjashton Rudina Hajdarin nga Këshilli Kombëtar: Mandati  është i demokratëve!

Fill pas deklaratës së saj se do të vijojë të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike deklaron se Rudina Hajdari prej sot nuk do të jetë më pjesë e Këshillit Kombëtar të kësaj partie. Kjo masë sipas Gazment Bardhit është e mjaftueshme, pasi Hajdari nuk është anëtare e PD-së. Gazment Bardhi: Vendimi i Rudina Hajdarit është personal. Mandati është i demokratëve! Është e qartë se nga sot ajo nuk përfaqëson më Partinë Demokratike në Parlamentin e Krimit dhe për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH. Kaq mjafton! Në rastin e Rudina Hajdarit, çdo vendim statutor është i panevojshëm, sepse formalisht ajo nuk rezulton e regjistruar si anëtare e Partisë Demokratike. Gazment Bardhi, thotë se babai i deputetes, Azem Hajdari, ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Gazment Bardhi: Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një Qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar. Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 Marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve. Sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm. Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur Lirinë dhe Demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi. Ata kanë folur qartë, më 16 Shkurt dhe do të flasin edhe më qartë, më 16 Mars: Shqipëria do të bëhet si gjithë Evropa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar! Rudina Hajdari deklaroi për “Zërin e Amerikës” se do të mbajë mandatin e deputetit.  Ajo kritikoi opozitën për djegien e mandateve në bllok, duke u shprehur, se ky vendim mund të çojë në destabilizim të vendit.