Hahn: PD stop bojkotit! Reformat e BE kërkojnë dialog parlamentar

409
Sigal

BRUKSEL – “Opozita të lërë bojkotin dhe të bëhet pjesë e jetës parlamentare në vend.” Apeli i radhës për opozitën në vendin tonë, këtë radhë ka ardhur nga Komisionieri i ri për Zgjerim i Komisionit Evropian Johannes Hann, gjatë takimit të parë mes tij dhe Ministrit tonë të Jashtëm Ditmir Bushati në Bruksel.

Duke folur në një konferencë për shtyp, pas takimit me shefin e diplomacisë shqiptare, Hahn theksoi se është e rëndësishme që të ketë një dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës, lidhur me zbatimin e reformave të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian.

Sipas Hahn, pas marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria, janë shtuar edhe përgjegjësitë, dhe në mesin e tyre është edhe diskutimi në parlament mes dy forcave kryesore politike në vend, si një element i rëndësishëm për implementimin e reformave.

“Sot kemi zhvilluar takimin e parë bilateral me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë. Dua të theksoj se marrëdhënia me BE është duke ecur përpara, është gjithnjë në hapa përpara. Vendet që kanë statusin kandidat kanë përgjegjësi të madhe dhe Shqipëria duhet të përfshihet në reformat e kërkuara dhe duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e tyre, siç është edhe sundimi i ligjit. Shqipëria duhet të jetë e vendosur dhe të ecë drejt konsolidimit dhe të japë rezultate konkrete. Sa i përket BE-së është i rëndësishëm edhe dialogu politik për të zbatuar këto reforma. Një dialog konstruktiv mes opozitës dhe mazhorancës. Parlamenti ka punën e tij për të bërë dhe e ritheksoj se është shumë i rëndësishëm dialogu politik. Debatet ndodhin dhe janë të rëndësishme për zbatimin e reformave. Diskutimi në parlament është mjaft i rëndësishëm. Ne kemi përkrahje për vendet e Ballkanit Perëndimor, japim mbështetje politke dhe detyra ime është të bashkëpunojmë me partnerët. Kjo ndihmon në kontributin, e marrëdhënieve më të mira dhe një procesi më të mirë, sa i përket rrugës për në BE.” theksoi Komisioneri për Zgjerim i KE.