Hahn në Shkup, “Dixhitalizimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor parakusht për integrimin”

501
Dixhitalizimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor është parakusht elementar për integrimin në Bashkimin Europian.
Kështu u theksua sot në një drekë pune të zhvilluar në Shkup, në kuadër të Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor me Komisionerin e BE-së për Politika Europiane të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ku ishin të pranishëm Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdic, zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi, ministrja e Ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekulic dhe Komisionerja Europiane për Ekonominë Dixhitale dhe Shoqëri, Mariya Ivanova Gabriel.
Në këtë drekë pune u diskutua për forcimin e Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal dhe rruga europiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Mes të tjerash, Kosova konfirmoi bashkërenditjen e saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor në heqjen e tarifave të roamingut brenda këtyre vendeve në fazën e parë dhe më pas me shtetet e BE–së, si dhe angazhimin konkret në dixhitalizimin e Administratës Publike.
Samiti Dixhital i vendeve të Ballkanit Perëndimor po mbahet në Shkup të Maqedonisë dhe Kosova po përfaqësohet nga Kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet e vendit.
Sigal