Hafizi takim me ndërkombëtarët: E gatshme të angazhohem në një parti të re

88
Deputetja e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi, ka zhvilluar dje një takim me eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Hannes Swoboda. Pas takimit, Hafizi tha se takimi u bë me kërkesë të dy eurodeputetëve, ndërsa ajo ka shprehur sërish kritika ndaj Edi Ramës dhe si e drejton ai PS. Ajo theksoi se takimi ishte bërë me kërkesë të tyre të posaçme përpara se të mbërrinin në Shqipëri dhe në fund siç theksoi Hafizi mesazhi ishte i qartë prej tyre: Mos u ndalni! “Ka një javë që na është kërkuar ky takim. 
Është propozuar nga ana e delegacionit. Në dijeninë time kanë pasur një vizitë njëditore dhe kishin parashikuar një takim me atë grupim brenda Partisë Socialiste. Ne na vlerësuan si një grup që po mbajmë gjallë debatin brenda Partisë Socialiste dhe partive politike në Shqipëri. Ky ishte një delegacion i një forumi të rëndësishëm të partive të majta”, theksoi ajo. Duke u ndalur tek çështja e kërkesës për hapjen e kutive të referendumit, deputetja Hafizi tha se dyshonte se do të kishte një përgjigje. “Nuk ka patur ende përgjigje dhe dyshoj nëse do të ketë një përgjigje. Edhe para tre javësh i kemi dërguar një kërkesë Komisionit të Garancive Statutore dhe nuk kemi marrë përgjigje. Nëse do të funksiononte sipas normave të partisë, ai komision duhet ta anulonte këtë referendum në shkelje flagrante të normave të Partisë Socialiste. Ky komision as nuk u mblodh, as nuk e vuri ujin në zjarr, një arrogancë flagrante dhe ekstreme”, tha ajo