Hafizi: Qytetarët e ndershëm e refuzojnë këtë klasë politike të degraduar

400
Sigal

 

Mimoza Hafizi, deputetja e Shkodrës që vendosi përfundimisht të largohet nga grupi parlamentar i PS së bashku me deputetin Ben Blushi, për të themeluar një lëvizje të re politike, thotë se qytetarët e ndershëm e refuzojnë këtë klasë politike dhe e mbështesin krijimin e një force të re. Kjo forcë e re, sipas Hafizit, vë në plan të parë qytetarin e thjeshtë dhe të ndershëm. Pas disa takimeve të zhvilluara në Vlorë e Gjirokastër, ajo shkruan se shumë njerëz po e refuzojnë këtë klasë politike dhe këtë sistem të degraduar që ka penguar progresin e Shqipërisë. “Kam kaluar dy ditë inkurajuese mes qytetarësh vlonjatë e gjirokastritë, të cilët kërkojnë, mbështesin e frymëzojnë forcën tonë të re politike. Kam takuar mësues e gazetarë, pedagogë e nxënës, sipërmarrës biznesi, të rinj e pensionistë, profesionistë të lirë, njerëz të punës së ndershme, qytetarë të thjeshtë e pa histori politike, burra e gra që e neveritin politikën si trampolinë përfitimi vetjak. Kam shkëmbyer ide për aksion me shqiptarë që sfidojnë pesimizmin e mungesën e shpresës që na ka mbërthyer, me vizion e besim për të ardhmen e këtij vendi, me miq që e refuzojnë këtë klasë politike, këtë sistem të degraduar që në dekada ka penguar progresin e Shqipërisë. Kam ndarë qëllimin dhe parimet kryesore të Nismës sonë me qytetarë që janë të gatshëm të bëhen pjesë e një lëvizjeje politike njerëzish të lirë e të barabartë, lëvizjeje politike që ve Shqipërinë mbi Partinë”, shkruan deputetja Hafizi.