Habit Rama: Iki nga kryeministër, nëse shteti është peng i koalicionit

487
Kryeministri Edi Rama habiti dje me deklaratën e tij, se do të largohej nga drejtimi i qeverisë nëse administrata e shtetit do të mbetej peng i partive. Në Komunikimin Javor, Rama kërkoi edhe një herë 71 mandate për Partinë Socialiste në Kuvendin e ardhshëm, por la të kuptohet se ai nuk do të jetë i gatshëm të drejtojë një koalicion me partitë e vogla. “Lejomëni sot t’ua them sinqerisht, fare troç, nuk kam më asnjë motiv, të rri në karrigen e kryeministrit si deri më sot, duke pranuar që administrata e shtetit të rri peng i partive; duke pranuar që për të marrë votat për një reformë për të bërë shtet, të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesave të partive të koalicionit për t’i lëshuar drejtorinë në këmbim të votës, dhe deri edhe vende pastruesesh në institucione për votën për një reformë; duke pranuar dorëzimin përballë këtij kanceri sfilitës në trupin e shtetit që duhet operuar sot për të vazhduar ngritjen e shtetit në këmbë”, u shpreh Rama. Në fushatën e tij elektorale, kryeministri Rama është fokusuar te kërkesa për të marrë i vetëm drejtimin e qeverisë, ndërsa ka kritikuar ashpër aleatët e tij për ndarjen e administratës në parcela partiake. Edhe dje ai përmendi dy drejtori që janë drejtuar nga aleatët në katër vitet e shkuar. “Sa keni paguar te patentat?” pyeti kryeministri, ndërsa tha se hipotekat “i kanë marrë shpirtin njerëzve”. Partia Socialiste garon e vetme në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, ndërsa është duke mbyllur një mandate katërvjeçar bashkëqeverisjeje me Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Sigal