Guri SEFERI*/ Pse e harruat kaq shpejt vendlindjen të nderuar deputetë?

687
Sigal

Mora shkas të shkruaj këtë shkrim nga vlerësimi që Kryeministri dhe Qeveria i bënë 17 Nëntorit, ditës përkujtimore të çlirimit të Tiranës si dhe aktiviteteve për 28-29 Nëntorin të zhvilluar në Devoll, ku ju nuk ishit të pranishëm.  Shoqata Kombëtare Atdhetare Kulturore “Devolli”, me rastin e 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut organizoi një takim përkujtimor në një nga sallat e Muzeut Historik, këtu në Tiranë në datë 16 nëntor, ora 11:00 me pjesëmarrjen e shumë devollinjve me banim në Tiranë, nga familjet e Dëshmorëve devollinj, me pjesëmarrjen e shoqatave simotra: “Labëria”,Peza, Opari, Dibra si dhe miq dhe dashamirës të Devollit. Në këtë aktivitet ishin të ftuar edhe 5 deputetë të Kuvendit me origjinë nga Devolli si: Ridvan Bode, Edmond Spaho, Ylli Ziçishti, Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti, të cilëve ju kanë vajtur ftesat në dorë secilit, por jo vetëm që nuk morën pjesë por edhe nuk denjuan të telefononin për të uruar këtë eveniment. E bëj këtë shkrim jo për të qortuar të nderuarit deputetë, por në cilësinë e drejtuesit të një shoqate vullnetare e cila me shumë sakrifica mbron vlerat e krahinës së Devollit nëpërmjet këtyre evenimenteve, për t’ia lënë brezave të ardhshëm për të mos harruar kurrë, por për ti çuar më lart, se Devolli e meriton.

1-Duke marrë shkas nga porositë e Kryeministrit, z.Rama, që çdo deputet apo ministër duhet të jetë prezent në aktivitet që do bëhen me rastin e 70-vjetorit, prandaj ju bëmë dhe ftesë, duke menduar që dhe ju të nderuar deputetë, jeni nga Devolli. Ju, iu përgjigjet me heshtjen tuaj.

2-Ju duhet të ishit iniciatorë të këtyre aktiviteteve se populli dhe votuesit devollinj ju kanë vlerësuar duke ju zgjedhur  në organin më të lartë legjislativ, në  Kuvendin e Shqipërisë. Duhet të dini qe kjo Shoqatë përfaqëson të gjithë devollinjtë kudo që ndodhen, pa dallim bindjesh politike, por mos harroni se ata kanë hedhur votën e tyre të cilën e kanë hedhur pro jush, si gjënë më të shtrenjtë për ti shërbyer Atdheut, prandaj dhe kanë të drejtën morale që dhe t’iu kritikojnë për gabimet që bëni, se nesër është vonë. Për sa i përket iniciativës tuaj, ajo ka munguar gjithmonë se iniciativën në të gjitha rastet e ka marrë “Shoqata Devolli” në bashkëpunim me institucionet e rrethit Devoll ose të rretheve të tjera ku kjo shoqatë ka degë. Po përmend aktivitetet e këtij viti jubilar të 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut:  a- është përkujtuar 65-vjetori i Provokacioneve të 2- gushtit në fshatin Vidohovë,  b- ne si shoqate, në bashkëpunim me Komitetin e Veteranëve në Bilisht dhe me Këshillin Bashkiak të këtij qyteti, kujtuam ngjarjen e 23 shtatorit të vitit 1943, të djegies për së gjalli të tre partizanëve në spitalin partizan në Bradevicë, ku me këtë rast ju vu dhe emri një rruge në Bilisht “Nevruz Gjoza”,Dëshmor i Atdheut, djegur nga gjermanët në këtë ngjarje, c- është festuar në tre aktivitete 83-vjetori i Nderit të Kombit, shkrimtarit të madh, birit të Devollit z. Dritëro Agolli në fshatin e lindjes, Menkulas, në Korçë dhe në Bilisht ku dhe me propozimin e Shoqatës Devolli, Këshilli Bashkiak i vuri emrin shkollës 9-vjeçare “Dritëro Agolli” ku vetë ai ka studiuar, d- aktiviteti i datës 16 nëntor në Muzeun Historik kushtuar 70-vjetorit të çlirimit të Atdheut.

Në të gjitha këto aktivitete që kanë iniciativën e Shoqatës Devolli, në asnjë prej tyre nuk keni marrë pjesë, pavarësisht njoftimit që keni pasur nga ana jonë, megjithatë, pavarësisht mungesës tuaj, këto aktivitete kanë dalë me sukses falë përkushtimit të Shoqatës, Institucioneve drejtuese të Qarkut Korçë dhe devollinjve të cilët e kanë në gjak atdhedashurinë dhe respektin për vlerat e Devollit, të çdo kohe qofshin ato, se dhe ky është misioni i Shoqatës tonë.

Të dashur miq devollinj ku sot jeni më të vlerësuarit nga vota e popullit, dua t’iu them se: Ai që harron të shkuarën është i destinuar të mos ketë të ardhme, ju kujtoj këtë thënie se duam vërtetë t’iu respektojmë dhe t’iu nderojmë duke qenë devollinj dhe duam që në të ardhmen të bëjë pjesë e vlerave pozitive të krahinës së Devollit, se për këtë ju kemi vlerësuar me votën tonë, këtë reflektim nga ana juaj e kërkojmë me sinqeritetin më të madh, se në të kundërt dhe ne do ua shpërblejmë me indiferentizmin tonë. Kështu, ndodhi dhe në festimet për 28-29 Nëntorin në Devoll, ku ju nuk ishit. Këto rreshta isha i detyruar tua thosha, për të plotësuar një shqetësim të të gjithë devollinjve, anëtarë të shoqatës si dhe drejtueseve të kësaj shoqate në degët dhe në qendër. Le të shërbejë ky shkrim si një reflektim që jo vetëm të jeni pjesë e aktiviteteve por të jeni edhe anëtar të Shoqatës “Devolli”.

Kryetar i Shoqatës A.K. “Devolli”