Grushte dhe armë në takimin me Angjelin

592
Sigal

Rrihen me grushte socialistët e Komunës së Cepos në Gjirokastër, për hatër të drejtuesit të komanduar të PS-së së Qarkut

Takimi i Asamblesë së zgjeruar socialiste të Komunës Cepo, në Gjirokastër, ishte lajmëruar të bëhej jashtë radhe, pasi do të ishte i pranishëm i deleguari i PS-së nga qendra dhe një nga  njerëzit më të besuar për momentin, të Kryetarit Edi Rama, financieri Anastas Angjeli. Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë  gjatë lulëzimit të lëvizjes “Mjaft” dhe më i përfoluri  për korrupsion në atë kohë, është caktuar si një nga  drejtuesit  kryesorë të PS-së për Qarkun e Gjirokastrës. Madje, vetë Angjeli ka lënë të kuptohet se do jetë në listën kryesore të  personave që do të kandidojnë për deputetë, i renditur në listë në vendin  që është e sigurt që do të fitojë mandatin. Testimi i elektoratit të majtë gjirokastrit, e shtyu kandidatin  për deputet, zotin Angjeli, të udhëtojë  krejt papritur për në Komunën Cepo të Qarkut të Gjirokastrës, i shoqëruar me eskortën  e Kryetarit të Bashkisë së qytetit të Gjirokastrës.

Takimi,  do të bëhej në fshatin Cepo, në orën 11:00 të drekës, në një nga lokalet e fshatit, ku e prisnin rreth 150 vetë. Eskorta e shoqërimit të zotit Angjeli, nuk la përshtypje të mirë te socialistët e Komunës së Cepos, shumica e tyre kishin bërë dhe nga një orë rrugë më këmbë (Zhulat, Plesat, Fushëbardhë etj.), pasi më para kishin ndodhur ngjarje që kishin acaruar marrëdhëniet midis socialistëve të komunës. Që të vinte në këtë takim, shoku Angjeli më parë, me mesazhe telefonike kishte shkarkuar nga partia e Cepos, Hodo Canin dhe kishte emëruar kryetar Shpëtim Novin, mikun e Kryetarit të Bashkisë të Gjirokastrës, Flamur Bine, për t’i bërë qejfin dhe për  të siguruar mbështetjen e Flamurit në Qark. Në lokalin, ku do të zhvillohej takimi i Angjelit me socialistët, hyri i pari zoti Angjeli dhe kur po futej Flamur Bine, atij i zënë rrugën Hodo Cani dhe Alush Aliko dhe tentojnë ta pengojnë me forcë, ngaqë ka shkarkuar pa bërë mbledhje Kryetarin e PS-së të Komunës Cepo dhe ka emëruar njeriun e tij, sikur PS-ja të jetë në pronësi të kompetencave bashkiake. Duke qenë se, përshkelet respekti i Kryetarit të Bashkisë, vërshojnë forcat e Bimes e të Novit dhe në këtë moment fillon një përleshje masive midis socialistëve të Komunës së Cepos dhe eskortës të Policisë Bashkiake të Gjirokastrës, trup më trup, ku bëhet më e ashpër, e pasuruar  me grushte, shqelma, karrige e tavolina, duke i shkatërruar  tërësisht edhe lokalin e Bastri Mustafaraj. Përleshja trup me trup, për të zaptuar karrigen e Kryetarit të PS-së të Komunës Cepo, u zhvendos edhe jashtë lokalit për 20 minuta, me sende të forta, disa persona i drejtohen makinave dhe, në ndihmë të grushteve, shqelmave, e hunjve, u vjen në përforcim edhe vjen një pistoletë TT, por falë ndërhyrjeve të disave, nuk u derdh gjak njerëzish, në emër të kandidaturës për deputet të …shokut Angjeli, si drejtues i komanduar i Kryetarit të PS-së për Qarkun e Gjirokastrës. Të pyetur pas sherreve, përfaqësuesit dhe njëkohësisht pjesëmarrësit në takime, bëjnë me dije se, betohen se këtej e tutje do t’i bëjnë gropën njëri-tjetrit.  Kështu, kryetari i shkarkuar i PS-së, Hodo Cani  dhe miku i tij Alush Aliko, i bëjnë presion Angjelit që të heqë kryetarin e emëruar me sms,  Shpëtimin, që e ka emëruar Flamur Bine  dhe të rivendosë Hodon, se ndryshe PS-ja nuk do ketë qetësi në Cepo. Sherri dhe rrahja e socialistëve në Komunën e Cepos të Qarkut të Gjirokastrës përbën një turp të madh të makinacioneve që përdor Anastas Angjeli për të përçarë socialistët dhe të vendosin në krye të strukturave partiake njerëzit më të besuar të tyre, pavarësisht nga integriteti dhe merita. Por,  mbajtja e fshehtë e këtyre skandaleve për vetë udhëheqjen e PS-së,  përbën një skandal dhe turp për socialistët, ku Kryetari i saj Edi Rama, ose nuk di gjë se çfarë ndodh në të vërtetë në PS, ose njerëzit më të besuar të tij, sikurse Angjeli, ia fshehin, duke dëmtuar kauzën e së majtës socialiste, për hir të interesave të ngushta të Angjelit.

Për të qarë dhe për të qeshur

Për të shpëtuar kokën, Angjeli “strehohet” nën …tavolinë

Një histori më vete, përse Caci (vetë)quhet drejtuesi i PS-së për Qarkun e Gjirokastrës. Disa thanë, se, ndoshta, shoku Caci ka ardhur në këmbë të shokut Kosta Bajraba, meqë është rektori i tij.  Deri tani, shoku Caci nuk ka qenë ndonjëherë i parë dhe i njohur në Qarkun e Gjirokastrës, si njeriu i PS-së, por, megjithatë, lebërve të Kardhiqit, ua mbushi mendjen që ky është një urdhër i pakundërshtueshëm i Kryetarit të Madh, Edi Rama, ndaj, duhet që shokun Caci ta pranojnë pa bërë zë, si njeriun më të besuar të Kryetarit Edi. Po kishin harruar një gjë të gjithë ata që e kishin komanduar shokun Angjeli, si drejtuesin e PS-së (edhe) me lebërit. Kush është i panjohur për lebërit, është e vështirë të fitojë besimin e tyre. E megjithatë, meqë lebërit besojnë përherë te kryetari (Edi Rama), u mblodhën me kuç e maç, siç thonë ata, që do të dëgjonin fjalimin anti-krizë të djalit minoritar të Vurgut, shokut Anastas, e me këtë rast, shpresonin edhe të  përfitonin ndonjë libër “pak më lirë” nga zemërgjerësia e njohur e Angjelit, për ta përdorur për shitjen e farave të lulediellit  konak më konak, e fshat më fshat… Përpara lokalit, ku do të mbahej takimi i lajmëruar, u rreshtuan forcat e sigurisë së komunës dhe vullnetarë sigurie nga bashkia e komuna mbështetëse, të ndara në tre grupime sulmi dhe mbrojtje. Grupimi i parë ishte ai i kryetarit të komanduar të PS-së Komuna Cepo, Shpëtim Novi më 6 deri në 7 të afërm të tij të besuar. Grupimi i dytë ai i ish- kryetarit të PS-së së Komunës Hodo Cani (i biri i të cilit është emëruar në Komisariatin e Policisë Gjirokastër nga Vangjel Tavo ) dhe tok me të Alush Aliko (inspektor në Drejtorinë Shërbimit të Transportit Rrugor, Gjirokastër) me vëllezër, të afërm e shokë malli e ideali politik. Dhe grupi i tretë ai i Kryetarit të Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bimes me të afërm dhe policë bashkiakë që janë me origjinë nga fshatra që janë pjesë e komunës Cepo, e  zona përreth. Me sy të nxirë, hundë me gjak dhe kokat me xhumba ikën mileti dhe Caci i pazoti të gjejë llafin me lebërit e Gjirokastrës.   Sipas dëshmitarëve okularë të rrahjeve me grushte, me hunj gardhi midis vetë shokëve socialistë, shoku Caci u mundua të shpëtonte kurrizin dhe kokën, duke u “strehuar” poshtë një tavoline, por nga madhësia e vëllimit të trupit, menderja u la e ekspozuar dhe u bë top gjuajtjeje e opingave të lebërve të Cepos. Edhe pse policia e bashkisë ishte e pranishme në sherr dhe gjatë dëmtimeve materiale, askush nuk “guxoi” të ankohej për të gjetur fajtorët dhe për të paguar dëmet materiale. Shokut Angjeli i leverdis që të raportojë te Kryetar Edi që punët e tij e të socialistëve venë vaj, kudo që ai shkon, pavarësisht, se socialistët, po rrihen e thyejnë hundët me njëri-tjetrin.  Se po ta marrë vesh Kryetar Edi që socialistët thyejnë brinjët e njëri-tjetrit nga sherret që u fut shoku Angjeli, do të dyshojë edhe për aftësitë e të deleguarit të Asamblesë Kombëtare të PS-së, në Qarkun e Gjirokastrës, shokut Anastas Angjeli. Sa për dëmet materiale, besojmë se, derisa nuk u njoftua policia, shoku Angjeli do ta zgjidhë në heshtje, e larg syve të botës, edhe punën e shpërblimit të dëmeve materiale….