Grupimi politik, që do të shpëtojë “Rilindjen” nga “Funerali”

470
Ben Blushi: Plani im, të ndaloj qeverinë kur jep pabarazi dhe padrejtësi për njerëzit 
Arsyet që e shtynë të shkruante një libër për dhjetë ditë, dilema nëse ka lënduar dikë me librin e tij, a qëndrojnë situata dhe personazhe realë pas trillit letrar e vërteta e ngjyrës së kopertinës së “Kandidatit”… Ben Blushi në një rrëfim të gjatë për romanin e tij më të ri, Kandidati, dhënë në emisionin e mëngjezit te “Wake-up”. 
“Kandidati” ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Çfarë ndjesie është për një autor, kur njerëzit zënë radhë për të marrë firmën me emrin e tyre? 
Është kënaqësi e madhe, sepse është në të vetmet raste kur nuk takon njerëz që vijnë aty për të sharë apo për interes. Pra, ata vijnë të gjithë me kënaqësi dhe kjo për mua është një mundësi e madhe për të njohur jo vetëm çfarë lexuesish ka në Shqipëri, por dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh sot me këtë shoqëri. Unë e shfrytëzoj këtë; nuk është se në panair jap vetëm autografe, por e kthej takimin në një bisedë dhe kjo më jep një kënaqësi shumë të madhe. Dhe i ftoj të gjithë, sepse nuk dua të shes libra, unë dua të njoh njerëz, prandaj shkoj në panair.
Më thanë se një nga vizitorët, ndërkohë që kërkonte autograf është shprehur: “Të duam ty Ben si kryeministër!”… 
Unë aty jam si shkrimtar dhe këto biseda përpiqem t’i evitoj, por kur shkon në panair nga Parlamenti, siç më ndodhi dje, këto biseda nuk evitoheshin dot. 
Të lëndoi ajo çfarë u artikulua për gjyshin tënd (Dhimitër Shuteriqi)?
Edhe unë e kam këtë dilemë; nëse kam lënduar ndonjë në mënyrë të pamerituar. Ngushëllohem…jo në fakt, nuk ka arsye të ngushëllohem se në fund të fundit kjo është letërsi, pavarësisht se është një letërsi e angazhuar që përpiqet t’u thotë njerëzve pak më shumë se një shije artistike. Dhe unë jam përpjekur të shpjegoj (në libër) Shqipërinë që jetoj sot, që jetoni ju dhe njerëzit që janë jashtë kësaj studio. Çfarë jetojnë? Jetojnë një kalbëzim për fat të keq të gjërave tek të cilat ata kanë besuar. Unë e thashë dhe në parlament dhe këtu është e vetmja pjesë ku do të flas për Parlamentin, klasa jonë politike po kalbëzohet përditë dhe unë jam pjesë e saj. Nuk e di, sesa po higjienizohem duke shkruar apo duke folur në Parlament, por e kam të nevojshme të flas, ndoshta si shumë të tjerë që duan ta bëjnë këtë gjë, por nuk kanë mundësi. E kam përshkruar në këtë libër: Si kjo klasë politike që po humb besimin e njerëzve mund të zgjidhet apo mund të votohet edhe duke qenë politikisht e vdekur?! Në fakt ky është libri; pra sesi një qytet detyrohet të zgjedhë një kandidat, edhe pse i vdekur ai fiton. Pyetja është: Pse i zgjedhim ne ata që kanë vdekur politikisht?! Pse detyrohemi të shkojmë aq larg?!. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj. E thashë që nuk kam arsye të kërkoj ndjesë se kam lënduar dikë. Familjarët e mi për hir të së vërtetës kur lexuan librin- gjyshja ajo e lexoi librin ditët e para- më tha: “Tani do fillojnë të merren me ne. Dhe gërmuan në arkiva, gjetën një letër që është fatalisht e pavërtetë. Këtë s’po e them se unë kam ndonjë arsye që të mbrohem apo për veten time, por më vjen keq që për shkakun tim sulmuan familjarët e mi. Nuk ka lidhje me gjërat që kanë shkruar se një pjesë e krijimtarisë së gjyshit tim i delegohet Lef Nosit, i cili në fund të fundit është një njeri i nderuar, por nuk ishte shkrimtar. 
Qëndrojmë pak te çështja e Pse-së. Ka shumë njerëz që mendojnë se ndoshta ky libër në vetvete është një zgjatim i fjalimit tuaj në “Funeralin e Rilindjes” ? 
Do të ta pohoj?! Ju e shihni edhe vetë çfarë ngjyre ka kopertina dhe po është e vërtetë ajo është ngjyra e Rilindjes. Por nuk ka detyrimisht lidhje me atë shkrim, për shkak se besova se Rilindja si doktrinë –nëse mund të quhet doktrinë me të cilën fituam zgjedhjet e vitit 2013-të –falimentoi dhe sot është më e vërtetë se kurrë kjo. Pra, jo detyrimisht ajo që kam shkruar ka lidhje me këtë libër, por ndoshta gjendja ime, mënyra sesi e shoh Shqipërinë, sigurisht që ka. 
Çfarë të kanë thënë miqtë gazetarë, politikanë dhe nuk e di a e ka lexuar Edi Rama këtë libër? 
Ky është një kuriozitet që unë s’e kam fare, nëse e ka lexuar ky që the apo jo. Absolutisht s’e kam. Dhe nuk besoj se i bën mirë ta lexojë. 
Ju keni një personazh në libër; Zeron. Kur i thoni fast and furious, jeni frymëzuar nga filmi apo e keni përdorur si simbolikë? 
Djemtë e mi e shohin këtë film. E kam përdorur si një simbolikë të rinisë së sotme, e cila është pak Fast and Furious dhe unë e kam shpjeguar se çfarë janë ata; njerëz që nuk është se kanë ndonjë lidhje të madhe me librin, jetojnë gjithë kohës në makina, lokale, kafe e hashash. 
Ka nga ata që e kanë lidhur me dy emra kryeministrash Vuçiç dhe Rama nga replikat e tyre në samitin e Vjenës. Njëri ishte Fast dhe tjetri Furious…
Unë nuk mendoj fare për kryeministrin kur shkruaj. Nuk kam asnjë lloj arsyeje. 
Për çfarë po mendon gjatë kësaj kohe Blushi, sepse të gjithë duan ta ndajnë; je shkrimtar apo politikan? A ke ti një plan? 
Kam shumë plane artistike dhe shpresoj të kem frymëzimin e duhur për t’i mbaruar, por sigurisht që kam edhe plane politike. Unë jam pjesë e një grupi politik, nuk mund të them se kam një plan individual, por po them që, në qoftë se kam mundësi dua që atë grup politik, ku bëj pjesë ta shpëtoj nga funerali, se për fat të keq aty po shkon. 
Dukesh se je vetëm në këtë aksion apo ke miq dhe nuk e dimë? 
Kjo nuk ka rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi sot, se çfarë mendojnë shqiptarët. Sigurisht që unë nuk i përfaqësoj të gjithë, por jam i bindur që një pjesë e madhe e shqiptarëve ndajnë të njëjtin mendim; se Shqipëria po rrokulliset në një drejtim të paditur. Pra pyetja është: ku po shkojmë? Përveçse krizë ekonomike, të cilën ndoshta nuk e zgjidhim dot, fatkeqësia është se jemi futur edhe në një krizë të madhe morale, sepse ajo që po ndodh në parlament nuk janë ato çfarë njerëzit donin të shihnin. Pra njerëzit mund ta pranojnë varfërinë deri në një masë, por padrejtësinë nuk e pranojnë dot, as pabarazinë. Dhe në qoftë se qeveria jep pabarazi dhe padrejtësi sigurisht që njerëzit thonë; duhet të ikim nga ky vend. Ne duhet ta frenojmë këtë gjë. Ky është plani im, në qoftë se ka ndonjë plan. 
Megjithatë ju më ngjani shumë me personazhin e Simon Shuterit -jo vetëm sepse emri është i ngjashëm me atë të stërgjyshit të tij, Simon Shuteriqi – por ngjani edhe karakterialisht…
Ca të tjerë thonë se unë jam shkrimtari. 
Je te të dy…
Ndoshta. Prandaj është libër, prandaj nuk është i vërtetë, sepse personazhi që kam unë aty nuk është as politikan e as shkrimtar, por është një tregtar mishi që një ditë të caktuar e thërrasin të bëjë një të vdekur kryetar bashkie. Dhe ai thotë: Më keni thirrur të shes mish të ngordhur?! Dhe në fakt këtë bën. Por unë nuk jam ai, sepse unë nuk jam tregtar. Ka dhe një koincidencë tjetër, që nuk është e vërtetë. Unë jam akuzuar se ky libër ka qenë kundër dikujt që është kryetar bashkie sot. Kurse në atë libër personazhi im është pro tij. Pra nuk jam unë; nuk jam as unë, nuk është as ai. 
Në ditët e tua si politikan, a e keni bërë ndonjëherë atë që bën Simon Shuteri në libër, i cili kontribuoi të zgjidhej kryetar bashkie, një i vdekur? 
Jo tamam. Pra, kur kam bërë fushata, besoj për atë e ke fjalën, në shumicën e rasteve kam besuar për gjërat që kam thënë. Por kjo nuk më fajëson, sepse pas 1 apo 2 vjetësh gjërat ndryshojnë nga ajo që ke besuar dhe nëse unë shoh se po ndodh kështu nuk kam pse të mos e them. 
Në fund e mbyllni duke ushtruar palestrën e mosmendimit, duke lënë të kuptohet se shqiptarët nuk mendojnë më… 
Ky është një dyshim i madh i imi; Sa mirë dhe sa drejt mendojnë shqiptarët? Shpresoj që shumë mos të ma marrin për ters këtë që po them. Kur ju më pyesni pse lindi ky libër… Lindi nga zgjedhjet e shkuara në të cilën shumë qytete të Shqipërisë u detyruan të votojnë njerëz të pavotueshëm dhe kur sheh sesi një qytet për arsye që nuk i kupton dot, voton për njerëz që nuk mund të votohen dhe u thua që ky njeri është i pavotueshëm…Ai jo vetëm që votohet në mënyrë të ekzagjeruar, por nuk ka asnjë lloj rezistence, atëherë pikëpyetja është: Po këta njerëz mendojnë para se të votojnë. Mendojnë shqiptarët para se të marrin një vendim. E kam bërë këtë bisedë dhe me njerëz që më vinin në Panair dhe ata më thoshin: Çfarë të bëjmë ne? Nuk kemi asgjë në dorë! A na pyesni ju kur merrni vendime në parlament? Është e vërtetë që nuk i pyesim, por është e pamundur që një qeveri, apo klasë politike të jetë komplet josensitive, sa të mos kuptojë që populli është i mërzitur dhe është gati për të reaguar. Unë prandaj them në fund si alegori; A ka ardhur dita që shqiptarët të mendojnë pak më shumë. Unë them që po.
Sigal