Grupi kundër Bashës prezanton nismën “ Lëvizja për ringritjen e PD-së”

494
Lëvizja kundër Lulzim Bashës, e drejtuar nga Astrit Patozi vazhdojnë takimet në rrethe, ndërsa kanë prezantuar edhe nismën të cilën e ka pagëzuar “Lëvizja për ringritjen e Partisë demokratike”. Në Korçë Patozi ishte i shoqëruar edhe nga Ridvan Bode dhe disa deputet të tjerë. Patozi ka folur për dështimin e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit, duke bërë përgjegjës vetëm një person dhe ai sipas tij është Basha. Gjithsesi, Patozi deklaroi se mes tyre do të ketë një bashkëpunim për të bërë opozitën më të fortë.“Futet në garë si kryetar, nuk lejon asnjë rregull loje për një garë të drejtë dhe të barabartë dhe thotë; ecim përpara se nuk na ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Kjo nuk mund të pranohet! Unë e kam të vështirë që të kuptoj, që i njëjti njeri që dy javë më parë ka ardhur këtu në Korçë dhe ka thënë, që po ju çoj drejt fitores, vjen prapë për të bërë fushatë për vete këtë radhë dhe thotë; fitoren se arritëm, madje arritëm një humbje shumë të rëndë, por punë e madhe, vazhdojmë prapë bashkë”, deklaroi Astrit Patozi. Patozi nuk ka kursyer as komentet për Eduard Selamin kandidatura e të cilit, sipas tij ka shërbyer thjesht për të legjitimuar rezultatin e paravendosur të kësaj gare. “Dua të ftoj Eduard Selamin, që ka bërë një gabim shumë të rëndë që u fut në një garë pa rregulla dhe e tillë po rezulton, edhe prej atij vetë, por nëse nuk do që të hyjë në historinë e politikës shqiptare si një patericë e shëmtuar që shërbeu për të legjitimuar një fitore të vjedhur të kryetarit të PD, duhet të largohet nga kjo garë një minutë e më parë”, tha ai.Deputeti demokrat ka apeluar që demokratët të mos lejojnë që data 22 korrik të shënojë triumfin e arbitraritetit dhe shkërmoqjen e çdo shansi që PD të ringrihet.
Sigal