Grupi “Habilaj”, 30 tonë kanabis drejt Italisë

549
Të dhëna të tjera shokuese vazhdojnë të dalin lidhur me trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali gjatë viteve të fundit. “ABC News” ka mësuar nga dosja sekrete e mbërritur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se grupi kriminal i Moisi Habilajt ka dërguar në brigjet italiane nga vitit 2013-2017 rreth 30 ton drogë kanabis sativa. Grupi kriminal, i drejtuar dhe i organizuar nga vëllezërit Habilaj, kanë trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre Italiane rreth 30 ton hashash. Vlera e kësaj sasie kanabis arrin deri në 300 milionë euro, kur ajo shitet në tregun me pakicë. Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit italianë për aktivitet kriminal që është kryer në harkun 2013-2017. Gjatë biseda të përgjuara dhe të bëra publike tashmë nga gjykata e Katanias, anëtarë të këtij grupi shqetësohen për të siguruar mjete të shpejta lundruese me tre motorë, që konsiderohen edhe si gomone oqeanike. Vetëm në dy aksionet e fundit të kryera në Itali e në Shqipëri, grupit që udhëhiqej nga Moisi Habilaj e Florian Habilaj dhe anëtarëve të tjerë, Nezar Seiti, Meriadian Sulaj e Armando Sulaj, iu sekuestruan në total rreth 8 ton drogë. Fillimisht, në zonën e Brindisit u kapën rreth 3.5 tonë kanabis që ishte dërguar nga banda e Habilajve me mjete lundruese gjatë muajit shtator 2017. Por vijimi i aksionit edhe në territorin shqiptar çoi në zbulimin edhe të 4 tonëve të tjera drogë, të magazinuar dhe e gatshme për transport detar, në zonën e Babicës së Vogël në Vlorë. Por ky aksion solli edhe përplasjen ndërmjet policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku deri në momentin e kryerjes së operacionit, uniformat blu u mbajtën larg nga frika e dekonsperimit. 

Gjithashtu, “ABC News” ka mësuar se në dosjen që mbahet sekret nga organi i akuzës, ndodhet edhe informacioni se gjatë vitit 2014-2015, grupi kriminal i Habilajve ka dërguar në Itali ngarkesa me drogë edhe në rrugë ajrore, konkretisht në zonën e Akërnisë, po në Vlorë. Për këtë aktivitet kriminal, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me homologët e Katanias, të cilët kanë kryer përgjimet edhe në territorin shqiptar, ka kërkuar prangosjen e deputetit Saimir Tahiri. Emri i ish-ministrit të Brendshëm ka dalë gjatë bisedave të anëtarë të grupit, si edhe i ka ndihmuar këta të fundit të jenë të paprekshëm në qarkun e Vlorës. 
Sigal