Greqia: Problemet me Shqipërinë u mbyllën, gati firmat

708
Kryeministri grek, Aleksis Cipras, ka autorizuar Ministrinë e tij të Jashtme për fazën finale të negociatave me Shqipërinë. Burime diplomatike pranë Ministrisë së Jashtme greke i kanë konfirmuar “Top Channel” se autorizimi është dhënë për “shportën” e çështjeve të pazgjidhura mes Greqisë dhe Shqipërisë. Sipas këtyre burimeve, dy ditë më parë, Cipras ka dhënë dakordësinë dhe fuqinë ekzekutive për ministrin e Jashtëm dhe ekipin negociator grek, për të kaluar në fazën e shkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve. Në Kretë dhe Korçë, por edhe gjatë takimit të fundit që dy ministrat e Jashtëm kishin në Bullgari, janë detajuar edhe ato pak pika që palët nuk kishin një pozicion përfundimtar. Sipas burimeve, tashmë konsiderohen të mbyllura marrëveshja e detit, ku palët kanë detajuar çdo pikë të saj, madje janë dakortësuar edhe në hartë për ndarjen e re të vijës bregdetare dhe të zonës ekskluzive ekonomike. Po ashtu, ka përfunduar deri në detaje, madje pritet zbatimi brenda disa javësh i heqjes së vulës apostile për legalizimet e dokumenteve zyrtare shqiptare. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të kursejë mijëra euro nga xhepat e emigrantëve shqiptare, të cilët humbin ditë të tëra në radhë për të legalizuar certifikata dhe dokumente zyrtare. Gjithashtu, palët pritet të arrijnë marrëveshje për heqjen e ligjit të luftës, përcaktimin në terren dhe mirëmbajtjen e piramidave të kufirit tokësor, menaxhimin e krizave dhe çështjen e patentave. Shqipëria dhe Greqia kanë tashmë marrëveshje për varrezat e të rënëve grekë në Luftën e Dytë Botërore, si dhe disa marrëveshje bashkëpunimi rajonal, çështjen e pronave të komunitetit ortodoks, apo zgjerimin e detyrimeve për zonat minoritare. Gjithashtu, mësohet se Tirana zyrtare është zotuar të përmbushë të gjitha detyrimet që përmban konventa e mbrojtjes së minoriteteve, madje edhe t’i zgjerojë ato, për sa i përket programeve integruese të minoriteteve, kuotave të punësimit në administratë, por edhe me përfaqësimin e tyre politik, si në nivel lokal, edhe me atë qendror. Ndërsa detajet e fundit po konkretizohen në marrëveshjen e korrigjimit të teksteve shkollore, për të cilën palët kanë dakortësuar heqjen e termave irredentiste apo fyese për dy vendet. Burimet thonë se palët kanë rënë dakord për shmangien e termave gjeografike që përcaktojnë zona si “Voriepiri” për grekët apo “Çamëria” për palën tonë, për të cilat është rënë dakord që të mos përdoren në nivelet e larta të politikës. Burimet në Athinë thonë se pala shqiptare është zotuar për heqjen e termit “Çamëri” nga regjistri i gjendjes civile, kur bëhet fjalë për personat e lindur në fshatrat e zonës së Thesprotisë. Diplomatët e lartë grekë janë shprehur se kjo çështje do të bisedohet në takimin privat familjar mes Cipras dhe Ramës në Korçë, pak ditë përpara atij zyrtar që do të mbahet në Tiranë. Kryeministri Cipras raportohet se ka pranuar ftesën e homologut të tij Rama për të kaluar së bashku me familjet e tyre, por edhe nën shoqërinë e ministrave Bushati dhe Kocias, Pashkët Ortodokse, në datën 6-8 prill, ndërsa mbetet ende e pakonfirmuar data e vizitës zyrtare të kryeministrit grek në Tiranë, ku më e mundshme është përcaktimi i saj në 10-12 prill ose diku rreth fundit të prillit, nëse do të vendoset për firmosje të të gjithë marrëveshjeve të dakortuara. Në këtë takim të Korçës do të gjendet një zgjidhje në kuadër të asaj që quhet “Human Solution” për mospengimin me kufi të çamëve që dëshirojnë të vizitojnë vendlindjen e tyre, por edhe do të kërkohet një zgjidhje për këtë çështje, për të cilën pala greke thotë se nuk ekziston.
Sigal