GRATË SOCIALISTE SHKULIN FLOKËT E NJËRA-TJETRËS

500
Sigal

Sarandë- Pasditja e së dielës, 30 shtator 2012, nuk ka qenë ditë e mbarë për socialistet e qytetit jugor të Sarandës. Në kalendarin politik të PS-së Sarandë kjo datë shënonte nisjen e procesit zgjedhor për Forumin e Gruas Socialiste të qytetit. Por duket se në selinë rozë punët nuk venë mbarë si në organizatat e bashkërenditura ashtu edhe të nënrenditura. Ky ngërç dhe kjo anomali në selinë rozë të qytetit jugor ka nisur që me shpalljen kandidat të socialistë të zotit Çipa dhe vijon të shoqërohet edhe sot. Procesi sa ka nisur, ku kandidate përballë njëra-tjetrës kanë qenë dy intelektuale të qytetit, Mira Karalliu dhe mjekja Enkejleda Vasili ish-kandidate edhe për kreun e Këshillit Bashkiak të qytetit nga PS-ja, ka degjeneruar me dhunë dhe akte vandale deri në thyerje të kutisë së votimit dhe pengimi i votuesve. Kandidatja Enkejleda Vasili duke parë situatën e acaruar, pasi në listën zgjedhore sipas sajë mungonin 500 zgjedhëse, ka bërë dorëheqjen nga procesi duke e kontestuar atë si të parregullt, bëjnë të ditur burime pranë selisë rozë të Sarandës për “Telegraf”. Dhe po këto burime shtojnë se duke parë se janë shkelur rregullat nga njëra palë dhe pas dorëheqjes nga njëra kandidate, drejtuesit e PS-së së rrethit janë larguar nga procesi, pasi sipas tyre (megjithëse kreu i PS-së nuk u prononcua, këto janë burime nga anëtarë të asamblesë) janë shkelur procedurat dhe votimin me një kandidaturë nuk e njeh statuti i partisë. Anëtarë të Asamblesë Socialiste të Sarandës thonë për “Telegraf”, se do të ndiqet një zbatim korrekt i procesit, ndaj zgjedhjet e së dielës janë të kontestuara. Asambleja, jo vetëm që është një strukturë që ndjek dhe nuk lejon zbatimin e statutit të partisë dhe për këtë mban përgjegjësi politike, por edhe e vënë përballë një opinioni të revoltuar të socialistëve të Sarandës për ngjarjen e së dielës, mbrëmjen e së hënës mbajtën mbledhjen urgjente jashtë radhe për të analizuar ngjarjen e turpshme. Burime nga asambleja socialiste thonë dhe përsërisin se procesi zgjedhor për kreun e forumit të gruas socialiste në Bashkinë e Sarandës është i kontestuar, por vendimet e kësaj mbledhjeje të jashtëzakonshme, ku janë shkelur në mënyrë flagrante rregullat e procesit dhe statuti i partisë, do të publikohen mesditën e së martës.