Grasso-Metës: Forconi shtetin ligjor për integrimin

798
Sigal

TIRANE– Italia ka rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen për Shqipërinë në rrugën e saj në BE. Këtë e ka shprehur Presidenti i Senatit të republikës së Italisë, Pietro Grasso, i cili ndodhet në një vizitë 2-ditore në Tiranë. Në një dalje të përbashkët për mediat, pas përfundimit të takimit në Kryesinë e Kuvendit me kreun e këtij institucioni Ilir Meta, Grasso vlerësoi përparimin e bërë nga vendi ynë në përmbushjen e rekomandimeve të BE-së dhe realizimit të reformave. Ndërkaq, Grasso tha se Shqipëria duhet të vijojë me reformat dhe forcimin e shtetit ligjor. “Jam i lumtur që jam në Shqipëri. Unë e njoh vendin tuaj prej shumë kohësh, duke pasur parasysh edhe veprimtarinë time të mëparshme. Vizita ime dëshmon vazhdimësinë e marrëdhënieve më Shqipërinë,ë dhe vjen dy muaj pas vizitës së presidentit italian Napolitano në Tiranë. Gjatë kësaj vizite time para rastin të shoh përparimet që ka bërë vendi juaj në vite, dhe shpreh bindjen se Italia do të mbështesë më tej integrimin e Shqipërisë në BE. Vijueshmëria dhe realizimi i reformave në sektorë të ndryshëm, dhe forcimi i shtetit të së drejtës, do të përbëjë bazat për të vijuar më tej me këtë bashkëpunim, dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE”, tha kreu i Senatit italian Pietro Grasso. Ndërsa kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy vendeve, si dhe mbështetjen që Italia i ka dhënë vendit tonë në rrugën e saj drejt integrimit europian. “E falënderoj z.Grasso për pranimin kësaj ftesë dhe për këtë vizitë që po zhvillon në vendin tonë. Kjo rikonfirmon edhe një herë vëmendjen tepër të veçantë që Italia i kushton marrëdhënieve me Shqipëri. Kjo vizitë tregon vazhdimësinë dhe dinamikën në rritje të shkëmbimeve ndërparlamentare, ndërinstitucionale nëpërmjet dy vendeve. Niveli i marrëdhënieve më Italinë nuk ka nevojë për shumë komente, pasi është e qartë se dy vendimet tona kanë një marrëdhënie të gjatë historike. Theksoj rëndësinë e partneritetit strategjik për sot dhe të ardhmen, që vihet re të gjitha raportet tona politike, ekonomike dhe të gjithë sektorët strategjikë. Kemi rënë dakord për shkëmbimet ndërparlamentare me dy vendet. Italia ka qëndruar në krah të Shqipërisë, në proceset e saj integruese. Ka dhënë kontribuar në liberalizmin e vizave, dhe është përkrahëse e vazhdueshme e integrimit tonë europian. Ndjejmë mirënjohje të veçantë dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin për realizimin e reformave që kërkon BE. Për Shqipërisë, presidenca italiane e BE, që fillon pas dy muajsh, përfaqëson një mundësi më shumë për të çuar përpara jo vetëm axhendën tonë europiane, por edhe strategjitë e BE për vendet adriatiko-joniane”, tha Meta. Duke shtuar se Italia është partner i rëndësishëm ekonomik e tregtar i Shqipërisë, Meta ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në vendin tonë. “Vlerësojmë bashkëpunim sa i takon projektit TAP si një shtysë e fuqishme jo vetëm për bashkëpunimin tonë të mëtejshëm por edhe për sigurinë energjetike evropiane. Italia është partneri më i rëndësishëm ekonomik e tregtar të Shqipërisë, me një prezence të gjerë të asistencës së saj në të gjithë sektorët. Ndërkaq, ftojmë sipërmarrësit italiane për më shumë investime në Shqipëri”, tha Meta. Presidenti i Senatit italian gjatë vizitës së tij në Tiranë do të takohet me krerët më të lartë të vendit, Presidentin Nishani, kreun e qeverisë Edi Rama, dhe kreun e PD-së Lulzim Basha.