Gramshi pret me protesta ministrin Gjiknuri

153
Ish-deputeti Gramshit, njeriu që mori votat e shumicës së banorëve të asaj zone, dhe që sot mban postin e ministrit të Energjitikës Damian Gjiknuri, është rikthyer pas 2 vitesh në zonën e tij elektorale, kësaj here jo për vota, por për të prerë shiritin (e turpit në fakt) e inagurimit të ndërtimit të rreth 15 banesave të reja në fshatin Qerret. Ky fshat ndodhet 8 km larg Gramshit, dhe është vendi ku kompania norvegjeze që ka nisur ndërtimin e hidrocentralit të Banjës, vendosi pas shpërnguljes, ndërtimin e banesave të reja për familjet që mbetën mes katër rrugëve. 

Gjiknuri, ish deputeti, vajti pa ftuar, e zbojë të padëshiruar

Ishte ndoshta një investim dhe iniciativë e kompanisë norvegjeze, por ardhja e (ish-deputetit) ministrit të Energjitikës Gjiknuri ishte e paparashikueshme. Sipas burimeve nga stafi shqiptar pranë kompanisë së huaj “ardhja e Gjiknurit ishte e papritur, jemi njoftuar sot në mëngjes, pasi nuk dinim gjë”. Por vajtja e ish-deputetit në Gramsh duket se nuk është pritur mirë nga banorët e asaj zone, aq më tepër nga qindra familje, që kanë mbetur pa banesa, nga prishja e tyre qysh 18 muaj më parë. Gjiknuri nuk është pritur mirë dhe është dashur ndërhyrja edhe e rojeve të sigurisë së kompanisë së huaj, pasi banorët e mbledhur në shesh, kërkuan takim të veçantë me ish-deputetin. Ceremonia e prerjes së “shiritit” të hapjes së themeleve për 15 banesat e reja, dukej si një skenë humori, ku personazhi kryesor ishte ministri Energjitikës Damian Gjiknuri, prezanca e të cilit atje ishte sa e sforcuar, aq edhe e paramenduar. Fjalët e përshëndetjes që Gjiknuri tha ishin krejtësisht politike, dhe nuk kishin lidhje me H/C, apo me fatkeqësitë e qindra familjeve, që janë zhytur në mjerim në Gramshin e harruar. Reagimi dhe irritimi banorëve të pranishëm ka habitur specialistët e kompanisë së huaj, aq sa ceremonia është mbyllur brënda pak minutave, me pretendimin se gjoja “nisi shiu”. Por lajmi për ardhjen e beftë të ish-deputetit duket se mbërriti në qytetin e Gramshit (vetëm 8 km larg fshatit Qerret) me shpejtësinë e erës. Moti i keq dhe rrugët me gropa, nuk kanë penguar qindra banorë të Gramshit dhe fshatrave të turren drejt Qerretit, për të takuar ish-deputetin, për t’i thënë dy fjalë atij që u rrëmbeu votat në 23 qershor 2013 dhe që prej 2 vitesh nuk kthen as kokën nga ajo zonë, e cila sa vjen dhe degradohet. 

Banorët të irrituar nga premtimet boshe të Gjiknurit

Banorët dhe votuesit e ish-deputetit Damian Gjiknuri, sot ministër Engegjitike, u turrën drejt Qerretit jo nga malli, por nga zemërata, nga halli, dhe nga shpresa e vetme që u ka mbetur për t’i thënë ballë për ballë Daminan Gjiknurit, atë çfarë i thonë njëri-tjetrit të mbetur të vetmuar dhe pa përkrahje nga kjo qeveri. U turrën për të takuar Gjiknurin, ish-deputetin e tyre të papunët, të pastrehët, invalidët, fukarenjtë, të larguarit nga puna, ata që punuan dhe kontribuan me votat e tyre që ai të bëhej fillimisht deputet dhe pastaj edhe ministër. U turrën për të takuar ish-deputetin e tyre ata që presin t’u hapet celulari i tij, ata që kishin marrë një premtim nga ai gjatë fushatës për një vend pune në polici, ushtri, arsim, shëndetsi, bashki, u turrën për të takuar ish-deputetin e tyre ata që po mbyllin kioskat ku shesin ndonjë paketë cigare dhe që në darkë çonin në shtëpi 2 bukë për të mbajtur shpirtin gjallë. 

Gjiknuri pi kafen e mërzisë në Elbasan

Por ishte e kotë, ish-deputeti i tyre, Damian Gjiknuri ministri Energjitikës tha dy fjalë dhe pastaj hipi me urgjencë në mercedezin luksoz dhe u nis drejt Elbasanit. Atje e mbajti vrapin, ku edhe piu kafenë e mëngjesit, për të prerë një tjetër shirit inagurimi, kësaj here në një nënstacion elektrik. Në mesditë turi vizitave të ish-deputetit, Gjiknuri sot ministër të Energjitikës u mbyll, duke lënë pas shijen e hidhur tek banorët e urtë dhe të padjallëzuar të Gramshit, tek ata që mezi e kishin pritur ardhjen e tij, qoftë edhe për prerjen e një shiriti inagurimi, por të paktën t’u plotësonte dëshirën e vjetër për t’i folur açik, ashtu siç ata e mendojnë, dhe siç po e provojnë prej 2 vitesh mungesën e tij të qëllimshme. T’u kishin folur për hallet dhe dertet që u kanë pllakosur dhe që nuk po u largohen, për jetët e tyre të nxira nga varfëria, dhe të ardhmen e fëmijëve e cila është vrarë.